Në një ditë prej 24 orësh, një pjesë e madhe e kohës sonë kalon duke fjetur, duke përgatitur dhe ngrënë ushqim, dhe mbi të gjitha, duke punuar. Orët që mbeten zakonisht janë ato që marrin më shumë vëmendje në predikimet dhe aktivitetet e kishës: adhurimi, ungjillizimi, dishepullizimi, shërbimi dhe inkurajimi i besimtarëve. Por kjo ngre një pyetje të rëndësishme: Sa shpesh flasim në kishë për punën e përditshme? Bibla ka shumë për të thënë për punën, pushimin, ushqimin, përgjegjësinë dhe mënyrën se si duhet ta jetojmë jetën tonë të zakonshme para Perëndisë. Për besimtarin, jeta nuk ndahet në një pjesë “shpirtërore” dhe një pjesë “laike”. Perëndia është Zot mbi të gjithë jetën tonë.

Ne u krijuam për të punuar

Puna nuk ishte pasojë e mëkatit. Që në fillim, Perëndia i dha njeriut një detyrë: “Zoti Perëndi e mori njeriun dhe e vuri në kopshtin e Edenit, që ta punonte dhe ta ruante.”  Zanafilla 2:15 Kjo është një e vërtetë e rëndësishme. Puna ishte pjesë e planit të mirë të Perëndisë para Rënies. Mëkati nuk e krijoi punën; ai e prishi punën. Pas Rënies, puna u bë e mundimshme, e lodhshme dhe shpesh zhgënjyese. Megjithatë, vetë puna mbeti pjesë e thirrjes së Perëndisë për njeriun. Prandaj, kur një i krishterë shkon në zyrë, në fabrikë, në shkollë, në një kantier ndërtimi, në një dyqan, në një spital apo punon nga shtëpia, ai nuk po largohet nga jeta e tij shpirtërore. Ai po jeton një pjesë të thirrjes së tij para Perëndisë.

Puna “laike” mund të jetë shërbim shpirtëror

Shpesh mendojmë se shërbim ndaj Perëndisë është vetëm ajo që bëjmë brenda kishës: të predikojmë, të këndojmë, të drejtojmë një grup, të bëjmë ungjillizim ose të shërbejmë në një aktivitet. Por Shkrimi na jep një perspektivë shumë më të gjerë. Pali u shkruan skllevërve dhe punëtorëve: “Çfarëdo që të bëni, punojeni me gjithë shpirt, si për Zotin dhe jo për njerëzit.”  Kolosianëve 3:23 Vini re: “çfarëdo që të bëni.”  Jo vetëm predikimin. Jo vetëm lutjen. Jo vetëm aktivitetin e kishës. Çfarëdo që të bëni. Kjo do të thotë se puna jonë e përditshme mund të bëhet një akt adhurimi kur e bëjmë me ndershmëri, përgjegjësi, përkushtim dhe me vetëdijen se po i shërbejmë Zotit. Punonjësi i krishterë nuk duhet të ketë dy standarde: një në kishë dhe një tjetër në vendin e punës. Karakteri ynë në punë është pjesë e dëshmisë sonë për Krishtin.

Puna jonë është edhe dëshmi

Një nga mënyrat më të fuqishme për të dëshmuar për Krishtin është mënyra se si punojmë. Titit 2:10 flet për një jetë që “zbukuron mësimin e Perëndisë, në çdo gjë”. Njerëzit që punojnë me ne mund të mos vijnë menjëherë në në takime kishe për të dëgjuar një predikim. Por ata na shohin çdo ditë. Ata shohin nëse jemi të ndershëm. Shikojnë nëse i mbajmë premtimet. Shikojnë si reagojmë kur trajtohemi padrejtësisht.  Shikojnë nëse punojmë vetëm kur na kontrollon shefi. Shikojnë nëse përfitojmë nga të tjerët.  Shikojnë nëse ankohemi vazhdimisht. Dhe shikojnë nëse besimi ynë në Krishtin ka ndonjë ndikim real në karakterin tonë. Puna e bërë mirë mund të bëhet një platformë për ungjillin.

Perëndia e sheh punën që bëjmë

Në një vend pune mund të ketë një shef që nuk e vëren përkushtimin tonë. Mund të kemi një menaxher që nuk e vlerëson punën tonë. Mund të punojmë shumë dhe të mos marrim menjëherë shpërblimin që mendojmë se meritojmë. Por besimtari punon me “sytë lart”. Pse? Sepse e di se ka një Zot qiellor që sheh. Shpërblimi i Perëndisë është më i madh se paga që marrim në fund të muajit. Paga është e rëndësishme dhe puna duhet të shpërblehet me drejtësi, por vlera e punës sonë nuk përcaktohet vetëm nga shuma në çekun e pagës. Puna po formon edhe personin që po bëhemi. Dikush ka thene: “Shpërblimi më i madh i punës së njeriut nuk është ajo që merr prej saj, por ajo që bëhet përmes saj.” Kjo sjell një pyetje e fuqishme për çdo të krishterë: Çfarë lloj njeriu po më transformon puna ime? A po më bën më të ndershëm? Më të durueshëm? Më të përgjegjshëm? Më bujar? Më të përulur? Apo më lakmitar, më egoist dhe më të fiksuar pas parasë?

Puna nuk duhet të bëhet idhull

Puna është e mirë. Por edhe gjërat e mira mund të bëhen idhuj. Një njeri mund të fillojë të jetojë vetëm për karrierën, pagën, pozitën, suksesin dhe pasurinë. Në atë moment puna nuk është më thjesht një mjet për të përmbushur përgjegjësitë tona; ajo bëhet një zot i vogël.  Prandaj Bibla na mëson edhe për pushimin. Perëndia nuk na krijoi si makina. Edhe vetë ritmi i krijimit na mëson për punën dhe pushimin. Ne kemi nevojë për gjumë, ushqim, familje, marrëdhënie, adhurim dhe kohë për të pushuar. Ndonjëherë edhe pamundësia për të pushuar është shenjë se kemi harruar se kush është në të vërtetë Zoti. Bota nuk mbahet mbi shpatullat tona apo sic me kane thene kur kam qene besimtar i ri “ti nuk je Shpetimtari”.  Ne punojmë me besnikëri, por Perëndia është ai që sundon dhe kujdeset për gjithçka.

Puna dhe bujaria

Puna nuk është vetëm për të fituar para për veten. Pali, duke kujtuar shembullin e tij, thotë: “Në çdo gjë ju tregova se duke u munduar kështu duhet të ndihmoni të dobëtit dhe të mbani mend fjalët e Zotit Jezus, që tha: ‘Ka më shumë lumturi të japësh sesa të marrësh.’” Veprat 20:35  Kjo ndryshon mënyrën se si e shohim pagën. Ne punojmë për të siguruar nevojat tona dhe të familjes, por Perëndia gjithashtu na jep mundësinë që përmes punës sonë të ndihmojmë të tjerët. Paga jonë mund të ushqejë një familje. Mund të ndihmojë një të varfër. Mund të mbështesë një misionar. Mund të kontribuojë në punën e kishës. Mund të ndihmojë një person në nevojë. Prandaj pyetja nuk është vetëm: “Sa mund të fitoj?” Por edhe: “Si dëshiron Perëndia që ta përdor atë që fitoj?”

Jezusi dhe puna

Vetë Jezusi na jep një shembull të jashtëzakonshëm. Para se të vinte në botë si njeri, Ai ishte Krijuesi. Kur erdhi në tokë, Ai jetoi për shumë vite si një punëtor, i njohur si marangoz. Kjo na kujton se puna e zakonshme nuk është diçka e padenjë për një ndjekës të Krishtit. Jezusi nuk e kaloi gjithë jetën tokësore duke predikuar në mënyrë publike. Ai kaloi shumë vite në heshtje, duke jetuar dhe punuar në një komunitet të zakonshëm. Kjo duhet të na ndryshojë mënyrën se si e shohim jetën tonë të zakonshme. Vitet që kalojmë duke punuar nuk janë vite të humbura nga perspektiva e Perëndisë. Edhe puna e zakonshme mund të jetë pjesë e një jete të jashtëzakonshme të jetuar për Krishtin.

Edhe rritja e fëmijëve është punë me vlerë

Në një shoqëri që shpesh e mat vlerën me pagën, pozitën dhe titullin profesional, duhet të kujtojmë se jo çdo punë e rëndësishme paguhet me para.Rritja e fëmijëve, kujdesi për familjen, edukimi, përgatitja e ushqimit, organizimi i shtëpisë dhe kujdesi për njerëzit janë përgjegjësi me një vlerë të madhe.Shkrimi i Shenjtë nuk e mat vlerën e punës vetëm me një rrogë.Një nënë apo baba që kujdeset për fëmijët po kryen një detyrë me rëndësi të përjetshme. Fëmijët nuk janë thjesht një përgjegjësi; ata janë njerëz që Perëndia ia ka besuar familjes për t’i rritur, dashur dhe drejtuar.

Po pensioni?

Edhe pensioni nuk duhet parë thjesht si fundi i dobisë sonë. Kur mbaron një karrierë, nuk mbaron thirrja për të qenë i dobishëm për Perëndinë. Mund të ndryshojë lloji i punës, por jo domosdoshmërisht qëllimi i jetës. Mosha më e madhe mund të sjellë mundësi të reja për mentorim, lutje, këshillim, kujdes për familjen, shërbim ndaj kishës dhe ndihmë ndaj brezit të ri. Nuk dalim në pension nga mbretëria e Perëndisë.

Puna nuk përfundon me këtë jetë

Një nga të vërtetat më inkurajuese të Shkrimit është se puna jonë nuk përfundon përgjithmonë me vdekjen. Në Zbulesën 22:3 lexojmë: “Shërbëtorët e tij do t’i shërbejnë.” Në praninë e Perëndisë do të vazhdojmë t’i shërbejmë Atij. Në mbretërinë e Krishtit puna nuk do të jetë më e shoqëruar nga mallkimi, kotësia, lodhja dhe padrejtësia që njohim sot. Puna do të jetë e çliruar nga pasojat e mëkatit.

Puno për Zotin

Ndoshta duhet ta shohim ndryshe javën tonë. Kur të hënën në mëngjes ngrihemi për të shkuar në punë, nuk po largohemi nga “shërbesa e krishterë” për të hyrë në jetën “normale”. Po vazhdojmë t’i shërbejmë Perëndisë në një fushë tjetër. Kur punojmë me ndershmëri, po e nderojmë Atë. Kur i shërbejmë klientit me respekt, po e nderojmë Atë. Kur kujdesemi për familjen, po e nderojmë Atë. Kur refuzojmë mashtrimin, po e nderojmë Atë. Kur punojmë edhe kur askush nuk na sheh, po e nderojmë Atë. Kur përdorim të ardhurat tona për të ndihmuar dikë në nevojë, po e nderojmë Atë. Kur dimë të ndalojmë dhe të pushojmë, po pranojmë se Ai është Zoti dhe ne nuk jemi. Prandaj, pyetja nuk është vetëm: “Çfarë pune bëj?” Pyetja më e rëndësishme është: “Për kë po punoj?” Nëse përgjigjja është “për Zotin”, atëherë edhe puna më e zakonshme mund të marrë një kuptim të përjetshëm. Sepse për një të krishterë, puna e përditshme nuk është e ndarë nga besimi. Puna jonë është një nga vendet ku besimi ynë bëhet i dukshëm. Dhe lutja jonë mund të jetë:  “Zot, më ndihmo që mënyra se si punoj të zbukurojë doktrinën e Krishtit, të bekojë njerëzit rreth meje dhe të të sjellë lavdi Ty.”
Categories