Puna e përditshme si shërbim ndaj Perëndisë

Në një ditë prej 24 orësh, një pjesë e madhe e kohës sonë kalon duke fjetur, duke përgatitur dhe ngrënë ushqim, dhe mbi të gjitha, duke punuar. Orët që mbeten zakonisht janë ato që marrin më shumë vëmendje në predikimet dhe aktivitetet e kishës: adhurimi, ungjillizimi, dishepullizimi, shërbimi dhe inkurajimi i besimtarëve. Por kjo ngre një pyetje të rëndësishme: Sa shpesh flasim në kishë për punën e përditshme? Bibla ka shumë për të thënë për punën, pushimin, ushqimin, përgjegjësinë dhe mënyrën se si duhet ta jetojmë jetën tonë të zakonshme para Perëndisë. Për besimtarin, jeta nuk ndahet në një pjesë “shpirtërore” dhe një pjesë “laike”. Perëndia është Zot mbi të gjithë jetën tonë.

Ne u krijuam për të punuar

Puna nuk ishte pasojë e mëkatit. Që në fillim, Perëndia i dha njeriut një detyrë: “Zoti Perëndi e mori njeriun dhe e vuri në kopshtin e Edenit, që ta punonte dhe ta ruante.”  Zanafilla 2:15 Kjo është një e vërtetë e rëndësishme. Puna ishte pjesë e planit të mirë të Perëndisë para Rënies. Mëkati nuk e krijoi punën; ai e prishi punën. Pas Rënies, puna u bë e mundimshme, e lodhshme dhe shpesh zhgënjyese. Megjithatë, vetë puna mbeti pjesë e thirrjes së Perëndisë për njeriun. Prandaj, kur një i krishterë shkon në zyrë, në fabrikë, në shkollë, në një kantier ndërtimi, në një dyqan, në një spital apo punon nga shtëpia, ai nuk po largohet nga jeta e tij shpirtërore. Ai po jeton një pjesë të thirrjes së tij para Perëndisë.

Puna “laike” mund të jetë shërbim shpirtëror

Shpesh mendojmë se shërbim ndaj Perëndisë është vetëm ajo që bëjmë brenda kishës: të predikojmë, të këndojmë, të drejtojmë një grup, të bëjmë ungjillizim ose të shërbejmë në një aktivitet. Por Shkrimi na jep një perspektivë shumë më të gjerë. Pali u shkruan skllevërve dhe punëtorëve: “Çfarëdo që të bëni, punojeni me gjithë shpirt, si për Zotin dhe jo për njerëzit.”  Kolosianëve 3:23 Vini re: “çfarëdo që të bëni.”  Jo vetëm predikimin. Jo vetëm lutjen. Jo vetëm aktivitetin e kishës. Çfarëdo që të bëni. Kjo do të thotë se puna jonë e përditshme mund të bëhet një akt adhurimi kur e bëjmë me ndershmëri, përgjegjësi, përkushtim dhe me vetëdijen se po i shërbejmë Zotit. Punonjësi i krishterë nuk duhet të ketë dy standarde: një në kishë dhe një tjetër në vendin e punës. Karakteri ynë në punë është pjesë e dëshmisë sonë për Krishtin.

Puna jonë është edhe dëshmi

Një nga mënyrat më të fuqishme për të dëshmuar për Krishtin është mënyra se si punojmë. Titit 2:10 flet për një jetë që “zbukuron mësimin e Perëndisë, në çdo gjë”. Njerëzit që punojnë me ne mund të mos vijnë menjëherë në në takime kishe për të dëgjuar një predikim. Por ata na shohin çdo ditë. Ata shohin nëse jemi të ndershëm. Shikojnë nëse i mbajmë premtimet. Shikojnë si reagojmë kur trajtohemi padrejtësisht.  Shikojnë nëse punojmë vetëm kur na kontrollon shefi. Shikojnë nëse përfitojmë nga të tjerët.  Shikojnë nëse ankohemi vazhdimisht. Dhe shikojnë nëse besimi ynë në Krishtin ka ndonjë ndikim real në karakterin tonë. Puna e bërë mirë mund të bëhet një platformë për ungjillin.

Perëndia e sheh punën që bëjmë

Në një vend pune mund të ketë një shef që nuk e vëren përkushtimin tonë. Mund të kemi një menaxher që nuk e vlerëson punën tonë. Mund të punojmë shumë dhe të mos marrim menjëherë shpërblimin që mendojmë se meritojmë. Por besimtari punon me “sytë lart”. Pse? Sepse e di se ka një Zot qiellor që sheh. Shpërblimi i Perëndisë është më i madh se paga që marrim në fund të muajit. Paga është e rëndësishme dhe puna duhet të shpërblehet me drejtësi, por vlera e punës sonë nuk përcaktohet vetëm nga shuma në çekun e pagës. Puna po formon edhe personin që po bëhemi. Dikush ka thene: “Shpërblimi më i madh i punës së njeriut nuk është ajo që merr prej saj, por ajo që bëhet përmes saj.” Kjo sjell një pyetje e fuqishme për çdo të krishterë: Çfarë lloj njeriu po më transformon puna ime? A po më bën më të ndershëm? Më të durueshëm? Më të përgjegjshëm? Më bujar? Më të përulur? Apo më lakmitar, më egoist dhe më të fiksuar pas parasë?

Puna nuk duhet të bëhet idhull

Puna është e mirë. Por edhe gjërat e mira mund të bëhen idhuj. Një njeri mund të fillojë të jetojë vetëm për karrierën, pagën, pozitën, suksesin dhe pasurinë. Në atë moment puna nuk është më thjesht një mjet për të përmbushur përgjegjësitë tona; ajo bëhet një zot i vogël.  Prandaj Bibla na mëson edhe për pushimin. Perëndia nuk na krijoi si makina. Edhe vetë ritmi i krijimit na mëson për punën dhe pushimin. Ne kemi nevojë për gjumë, ushqim, familje, marrëdhënie, adhurim dhe kohë për të pushuar. Ndonjëherë edhe pamundësia për të pushuar është shenjë se kemi harruar se kush është në të vërtetë Zoti. Bota nuk mbahet mbi shpatullat tona apo sic me kane thene kur kam qene besimtar i ri “ti nuk je Shpetimtari”.  Ne punojmë me besnikëri, por Perëndia është ai që sundon dhe kujdeset për gjithçka.

Puna dhe bujaria

Puna nuk është vetëm për të fituar para për veten. Pali, duke kujtuar shembullin e tij, thotë: “Në çdo gjë ju tregova se duke u munduar kështu duhet të ndihmoni të dobëtit dhe të mbani mend fjalët e Zotit Jezus, që tha: ‘Ka më shumë lumturi të japësh sesa të marrësh.’” Veprat 20:35  Kjo ndryshon mënyrën se si e shohim pagën. Ne punojmë për të siguruar nevojat tona dhe të familjes, por Perëndia gjithashtu na jep mundësinë që përmes punës sonë të ndihmojmë të tjerët. Paga jonë mund të ushqejë një familje. Mund të ndihmojë një të varfër. Mund të mbështesë një misionar. Mund të kontribuojë në punën e kishës. Mund të ndihmojë një person në nevojë. Prandaj pyetja nuk është vetëm: “Sa mund të fitoj?” Por edhe: “Si dëshiron Perëndia që ta përdor atë që fitoj?”

Jezusi dhe puna

Vetë Jezusi na jep një shembull të jashtëzakonshëm. Para se të vinte në botë si njeri, Ai ishte Krijuesi. Kur erdhi në tokë, Ai jetoi për shumë vite si një punëtor, i njohur si marangoz. Kjo na kujton se puna e zakonshme nuk është diçka e padenjë për një ndjekës të Krishtit. Jezusi nuk e kaloi gjithë jetën tokësore duke predikuar në mënyrë publike. Ai kaloi shumë vite në heshtje, duke jetuar dhe punuar në një komunitet të zakonshëm. Kjo duhet të na ndryshojë mënyrën se si e shohim jetën tonë të zakonshme. Vitet që kalojmë duke punuar nuk janë vite të humbura nga perspektiva e Perëndisë. Edhe puna e zakonshme mund të jetë pjesë e një jete të jashtëzakonshme të jetuar për Krishtin.

Edhe rritja e fëmijëve është punë me vlerë

Në një shoqëri që shpesh e mat vlerën me pagën, pozitën dhe titullin profesional, duhet të kujtojmë se jo çdo punë e rëndësishme paguhet me para.Rritja e fëmijëve, kujdesi për familjen, edukimi, përgatitja e ushqimit, organizimi i shtëpisë dhe kujdesi për njerëzit janë përgjegjësi me një vlerë të madhe.Shkrimi i Shenjtë nuk e mat vlerën e punës vetëm me një rrogë.Një nënë apo baba që kujdeset për fëmijët po kryen një detyrë me rëndësi të përjetshme. Fëmijët nuk janë thjesht një përgjegjësi; ata janë njerëz që Perëndia ia ka besuar familjes për t’i rritur, dashur dhe drejtuar.

Po pensioni?

Edhe pensioni nuk duhet parë thjesht si fundi i dobisë sonë. Kur mbaron një karrierë, nuk mbaron thirrja për të qenë i dobishëm për Perëndinë. Mund të ndryshojë lloji i punës, por jo domosdoshmërisht qëllimi i jetës. Mosha më e madhe mund të sjellë mundësi të reja për mentorim, lutje, këshillim, kujdes për familjen, shërbim ndaj kishës dhe ndihmë ndaj brezit të ri. Nuk dalim në pension nga mbretëria e Perëndisë.

Puna nuk përfundon me këtë jetë

Një nga të vërtetat më inkurajuese të Shkrimit është se puna jonë nuk përfundon përgjithmonë me vdekjen. Në Zbulesën 22:3 lexojmë: “Shërbëtorët e tij do t’i shërbejnë.” Në praninë e Perëndisë do të vazhdojmë t’i shërbejmë Atij. Në mbretërinë e Krishtit puna nuk do të jetë më e shoqëruar nga mallkimi, kotësia, lodhja dhe padrejtësia që njohim sot. Puna do të jetë e çliruar nga pasojat e mëkatit.

Puno për Zotin

Ndoshta duhet ta shohim ndryshe javën tonë. Kur të hënën në mëngjes ngrihemi për të shkuar në punë, nuk po largohemi nga “shërbesa e krishterë” për të hyrë në jetën “normale”. Po vazhdojmë t’i shërbejmë Perëndisë në një fushë tjetër. Kur punojmë me ndershmëri, po e nderojmë Atë. Kur i shërbejmë klientit me respekt, po e nderojmë Atë. Kur kujdesemi për familjen, po e nderojmë Atë. Kur refuzojmë mashtrimin, po e nderojmë Atë. Kur punojmë edhe kur askush nuk na sheh, po e nderojmë Atë. Kur përdorim të ardhurat tona për të ndihmuar dikë në nevojë, po e nderojmë Atë. Kur dimë të ndalojmë dhe të pushojmë, po pranojmë se Ai është Zoti dhe ne nuk jemi. Prandaj, pyetja nuk është vetëm: “Çfarë pune bëj?” Pyetja më e rëndësishme është: “Për kë po punoj?” Nëse përgjigjja është “për Zotin”, atëherë edhe puna më e zakonshme mund të marrë një kuptim të përjetshëm. Sepse për një të krishterë, puna e përditshme nuk është e ndarë nga besimi. Puna jonë është një nga vendet ku besimi ynë bëhet i dukshëm. Dhe lutja jonë mund të jetë:  “Zot, më ndihmo që mënyra se si punoj të zbukurojë doktrinën e Krishtit, të bekojë njerëzit rreth meje dhe të të sjellë lavdi Ty.”

Pse ecim në këtë rrugë të veçantë dhe jo në një tjetër?

Dita e Dyte – Pse ecim në këtë rrugë të veçantë në udhën tonë të besimit dhe jo në një tjetër? Le te meditojme mbi Mishërimin, se si Zoti e shikon botën me dashuri dhe hyn në të. Në mënyrë të ngjashme, Perëndia shikon rremujen e jetës sonë dhe hyn në të. Në jetën tonë gjejmë vazhdimisht dëshmi të Perëndisë që vepron në ne. Medito mbi Thirrjen e Mbretit, mbi thirrjen bindëse të zërit të Jezuit në jetën tonë. Te gjitheve na paraqen dy standarte, qe krijojne thirrjet konkurruese në jetën tonë për «pasuri, nderim dhe krenari» ose për «varfëri, çnderim dhe përulësi». Tekste të sugjeruara: Gjoni 1:35-45 Luka 5:1-11 Mateu 9:9-13 Mateu 4:1-11 Pika për meditim: Medito për aktivitetin e Perëndisë në jetën tënde dhe për zërat e ndryshëm që të thërrasin. Medito për Mishërimin: Si hyn Perëndia në mes te jetës sate? Ku i gjen dëshmitë e Perëndisë në veprim: në heshtjen e lutjes  apo në jetën tënde të përditshme? Thirrja e Mbretit: Përfytyro një udhëheqës të botës dhe pastaj imagjino Jezuin. Cfaredo beje po te therriste nje drejtues i njohur financiar, politik apo strategjik? Ku e dëgjon zërin e Jezuit në jetën tënde? Ne c’drejtim po të thërret Jezusi? Dy pyetje:
  • Kur tundohesh të ndjekësh pasurinë, nderimin dhe krenarinë në një mënyrë jo të shëndetshme?
  • Si po të fton Jezusi të thellohesh në varfëri, çnderim dhe përulësi?

Dashuri pa kufi

Shpresoj kjo histori e jashtezakonshme e treguar prej Jezusit dhe e regjistruar tek Ungjilli sipes Lukes kapitulli 15, do ju ftoje te mendoje mbi thellesine, gjatesine dhe gjeresine e dashurise se Perendise per secilin prej nesh, te penduar apo jo, te sinqerte apo jo, te bindur apo jo. Vetem kur e perjeton kete dashuri, ke guxim ta thuash publikisht qe nuk krahasohet me tjeter dashuri. Kjo dashuri te fton, te pret, te perqafon por nuk te detyron dhe nuk te shtyn me zor drejt saj.

“Një njeri kishte dy bij. Më i riu i tyre i tha babait: “Atë, më jep pjesën e pasurisë që më takon”. Dhe i ati ua ndau mes tyre pasurinë. Mbas pak ditësh biri më i ri mblodhi çdo gjë, shkoi në një vend të largët dhe atje e prishi gjithë pasurinë, duke bërë një jetë të shthurur. Por, si i shpenzoi të gjitha, në atë vend ra një zi e madhe buke, dhe ai filloi të jetë në hall. Atëherë shkoi e iu ngjit pas një banori të atij vendi, i cili e çoi në arat e tij që të ruajë derrat. Dhe ai dëshironte të mbushte barkun me lendet që hanin derrat, por askush nuk ia jepte. Atëherë erdhi në vete dhe tha: “Sa punëtorëve mëditës të atit tim u tepron buka, kurse unë po vdes nga uria! Do të çohem dhe do të shkoj tek im atë dhe do t’i them: Atë, mëkatova kundër qiellit dhe para teje; nuk jam më i denjë të quhem yt bir; trajtomë si një nga mëditësit e tu”. U çua, pra, dhe shkoi tek i ati. Por kur ishte ende larg, i ati e pa dhe dhembshuri; u lëshua vrap, ra mbi qafën e tij dhe e puthi. Dhe i biri i tha: “O atë, mëkatova kundër qiellit dhe para teje dhe nuk jam më i denjë të quhem biri yt”. Por i ati u tha shërbëtorëve të vet: “Sillni këtu rrobën më të bukur dhe visheni, i vini një unazë në gisht dhe sandale në këmbë. Nxirrni jashtë viçin e majmur dhe thereni; të hamë dhe të gëzohemi, sepse ky biri im kishte vdekur dhe u kthye në jetë, kishte humbur dhe u gjet përsëri”. Dhe filluan të bënin një festë të madhe. Djali i tij i madh ishte në ara; dhe kur u kthye dhe iu afrua shtëpisë, dëgjoi këngë e valle. Atëherë thirri një shërbëtor dhe e pyeti ç’ishte e gjitha kjo. Dhe ai i tha: “U kthye yt vëlla dhe yt atë theri viçin e majmur, sepse iu kthye djali shëndoshë e mirë”. Kur i dëgjoj këto, ai u zemërua dhe nuk deshi të hynte; atëherë i ati doli dhe iu lut të hynte. Por ai iu përgjigj të atit dhe tha: “Ja, u bënë kaq vite që unë të shërbej dhe kurrë s’kam shkelur asnjë nga urdhërat e tu, e megjithëatë kurrë s’më dhe një kec për të bërë një festë me miqtë e mi. Por, kur u kthye ky djali yt, që prishi pasurinë tënde me prostituta, ti there për të viçin e majmur”. Atëherë i ati i tha: “O bir, ti je gjithmonë me mua, dhe çdo gjë që kam është jotja.

Por duhet të festojmë dhe të gëzohemi, sepse ky vëllai yt kishte vdekur dhe u kthye në jetë, kishte humbur dhe u gjet përsëri”

KUSH THOTË SE PARAJA NUK SJELL LUMTURINË?

Nga: Robert J. Tamasy

Çdo kulturë ka proverbat e saj, fjalë të urta që i kanë rezistuar kohërave e që kanë kaluar nga brezi në brez duke u pranuar si të vërteta. Por jo të gjitha janë të vërteta. Marrim, për shembull, proverbin që përsëritet aq shumë (në Amerikë): “Shkopinjtë dhe gurët mund të më thyejnë kockat, por emrat s’kanë ç’më bëjnë.” Në të vërtetë, emrat (e njerëzve), kur është fjala për kujtime të pakëndshme prej tyre, të shkaktojnë shqetësim dhe shpesh dhimbja shpirtërore që sjellin, mund të jetë më jetëgjatë se sa dhimbja fizike që provon kur goditesh nga ndonjë objekt.

Një tjetër proverb me vërtetësi të dyshimtë është ky, “Paraja nuk sjell lumturinë.” Mendohu pak: A nuk ndjehesh i lumturuar kur ta rrisin rrogën në punë? Po kur merr papritur ndonjë çek parash, a nuk përjeton momente lumturie? Po kur ke vendosur të shesësh diçka dhe merr vesh se çmimi i saj në treg është më i lartë nga sa ke menduar, a nuk ndjehesh i lumturuar? Edhe Bibla e pranon se,

“Pasuritë sigurojnë një numër të madh miqsh, por të varfrin e braktis miku i tij…të gjithë janë miq të atij që bën dhurata” .

(Fjalët e Urta 19:4, 6)

Padyshim, nëse do të zgjidhnim para dy mundësive – për të pasur ose mos pasur para – të gjithë do të zgjidhnim mundësinë e parë. Apo jo? Por çështja është se çfarë nënkuptojmë me fjalën “lumturi”?

Vite më parë kam dëgjuar një program në radio që bënte një dallim të shkëlqyer midis lumturisë dhe gëzimit. Lumturia, thuhej aty, ka të bëjë me ngjarje, faktorë të jashtëm që ndikojnë mbi ne në mënyrë pozitive ose negative. Gëzimi, shpjegonte folësi, është një ndjesi e brendshme mirëqenieje, diçka që nuk varet nga çfarë ndodh rreth nesh. Të marrim si shembull rastin kur blejmë një makinë të re. Ky fakt mund të na lumturojë së tepërmi duke filluar nga çasti që ndjejmë aromën karakteristike të makinës së dyqanit dhe prekim aksesorët e saj modernë e deri në çastet kur provojmë emocionet e ngarjes së një makine të re. Megjithatë, nëse dikush në parkim na e godet makinën e na shtrembëron parafangon e saj, lumturia që provuam zhduket menjëherë. Ky lloj lumturimi venitet edhe me kalimin e kohës teksa shohim makinën tonë që fillon e vjetrohet. Pra, paratë mund të blejnë lumturi, por ato nuk mund ta ruajnë atë përgjithmonë.

Gëzimi, përkundrazi, mund të ruhet edhe në çaste dhimbjeje, humbjeje, ose fatkeqësish të mëdha. Sepse ai ka të bëjë me ndjenjën e plotësimit të brendshëm shpirtëror dhe nuk cënohet nga rrethana të jashtme. Prandaj është më e saktë të theksojmë se paraja mund ta blejë lumturinë, por ajo nuk mund të blejë gëzimin.

Edhe Bibla flet për këtë: Syno për gjërat e duhura. Paraja është e dobishme, por ajo ka limitet e veta. Ajo s’ka vlerë kur vijmë në fundin e jetës tonë. Në atë pikë, ajo që ka rëndësi është vetëm trashëgimia që lëmë pas, reflektimi mbi atë se si e jetuam jetën dhe çfarë ndikimi lamë në këtë botë.

“Pasuritë nuk sjellin dobi ditën e zemërimit, por drejtësia të shpëton nga vdekja”

(Fjalët e Urta 11:4)

Fokusohu në gjërat që zgjasin në kohë. Një tjetër proverb thotë: “Kollaj vjen, kollaj ikën (nga kjo jetë mbi tokë)” Pra, a është mençuri që t’ia përkushtojmë gjithë kohën dhe energjitë tona sigurimit të pasurive që mund t’i humbasim aq lehtë e shpejtë?

“Mos u lodh për t’u pasuruar…Sa të hapësh e të mbyllësh sytë pasuria do të bëjë krahë e do të fluturojë drejt qiellit si shqiponjë.

(Fjalët e Urta 23:4-5)

Grumbullo pasurinë e vërtetë. Nëse kuptimin e jetës tonë e gjejmë tek gëzimi në kuptimin e plotësimit shpirtëror, pak rëndësi ka nëse kemi shumë para apo hiç fare.

“Mos mblidhni për vete thesare mbi tokë ku i brejnë tenja dhe ndryshku dhe ku vjedhësit shpërthejnë dhe vjedhin. Përkundrazi, mblidhni për vete thesare në qiell ku as tenja as ndryshku nuk prishin dhe ku vjedhësit nuk shpërthejnë e nuk vjedhin”

(Mateu 6:19-20)