Puna e përditshme si shërbim ndaj Perëndisë

Në një ditë prej 24 orësh, një pjesë e madhe e kohës sonë kalon duke fjetur, duke përgatitur dhe ngrënë ushqim, dhe mbi të gjitha, duke punuar. Orët që mbeten zakonisht janë ato që marrin më shumë vëmendje në predikimet dhe aktivitetet e kishës: adhurimi, ungjillizimi, dishepullizimi, shërbimi dhe inkurajimi i besimtarëve. Por kjo ngre një pyetje të rëndësishme: Sa shpesh flasim në kishë për punën e përditshme? Bibla ka shumë për të thënë për punën, pushimin, ushqimin, përgjegjësinë dhe mënyrën se si duhet ta jetojmë jetën tonë të zakonshme para Perëndisë. Për besimtarin, jeta nuk ndahet në një pjesë “shpirtërore” dhe një pjesë “laike”. Perëndia është Zot mbi të gjithë jetën tonë.

Ne u krijuam për të punuar

Puna nuk ishte pasojë e mëkatit. Që në fillim, Perëndia i dha njeriut një detyrë: “Zoti Perëndi e mori njeriun dhe e vuri në kopshtin e Edenit, që ta punonte dhe ta ruante.”  Zanafilla 2:15 Kjo është një e vërtetë e rëndësishme. Puna ishte pjesë e planit të mirë të Perëndisë para Rënies. Mëkati nuk e krijoi punën; ai e prishi punën. Pas Rënies, puna u bë e mundimshme, e lodhshme dhe shpesh zhgënjyese. Megjithatë, vetë puna mbeti pjesë e thirrjes së Perëndisë për njeriun. Prandaj, kur një i krishterë shkon në zyrë, në fabrikë, në shkollë, në një kantier ndërtimi, në një dyqan, në një spital apo punon nga shtëpia, ai nuk po largohet nga jeta e tij shpirtërore. Ai po jeton një pjesë të thirrjes së tij para Perëndisë.

Puna “laike” mund të jetë shërbim shpirtëror

Shpesh mendojmë se shërbim ndaj Perëndisë është vetëm ajo që bëjmë brenda kishës: të predikojmë, të këndojmë, të drejtojmë një grup, të bëjmë ungjillizim ose të shërbejmë në një aktivitet. Por Shkrimi na jep një perspektivë shumë më të gjerë. Pali u shkruan skllevërve dhe punëtorëve: “Çfarëdo që të bëni, punojeni me gjithë shpirt, si për Zotin dhe jo për njerëzit.”  Kolosianëve 3:23 Vini re: “çfarëdo që të bëni.”  Jo vetëm predikimin. Jo vetëm lutjen. Jo vetëm aktivitetin e kishës. Çfarëdo që të bëni. Kjo do të thotë se puna jonë e përditshme mund të bëhet një akt adhurimi kur e bëjmë me ndershmëri, përgjegjësi, përkushtim dhe me vetëdijen se po i shërbejmë Zotit. Punonjësi i krishterë nuk duhet të ketë dy standarde: një në kishë dhe një tjetër në vendin e punës. Karakteri ynë në punë është pjesë e dëshmisë sonë për Krishtin.

Puna jonë është edhe dëshmi

Një nga mënyrat më të fuqishme për të dëshmuar për Krishtin është mënyra se si punojmë. Titit 2:10 flet për një jetë që “zbukuron mësimin e Perëndisë, në çdo gjë”. Njerëzit që punojnë me ne mund të mos vijnë menjëherë në në takime kishe për të dëgjuar një predikim. Por ata na shohin çdo ditë. Ata shohin nëse jemi të ndershëm. Shikojnë nëse i mbajmë premtimet. Shikojnë si reagojmë kur trajtohemi padrejtësisht.  Shikojnë nëse punojmë vetëm kur na kontrollon shefi. Shikojnë nëse përfitojmë nga të tjerët.  Shikojnë nëse ankohemi vazhdimisht. Dhe shikojnë nëse besimi ynë në Krishtin ka ndonjë ndikim real në karakterin tonë. Puna e bërë mirë mund të bëhet një platformë për ungjillin.

Perëndia e sheh punën që bëjmë

Në një vend pune mund të ketë një shef që nuk e vëren përkushtimin tonë. Mund të kemi një menaxher që nuk e vlerëson punën tonë. Mund të punojmë shumë dhe të mos marrim menjëherë shpërblimin që mendojmë se meritojmë. Por besimtari punon me “sytë lart”. Pse? Sepse e di se ka një Zot qiellor që sheh. Shpërblimi i Perëndisë është më i madh se paga që marrim në fund të muajit. Paga është e rëndësishme dhe puna duhet të shpërblehet me drejtësi, por vlera e punës sonë nuk përcaktohet vetëm nga shuma në çekun e pagës. Puna po formon edhe personin që po bëhemi. Dikush ka thene: “Shpërblimi më i madh i punës së njeriut nuk është ajo që merr prej saj, por ajo që bëhet përmes saj.” Kjo sjell një pyetje e fuqishme për çdo të krishterë: Çfarë lloj njeriu po më transformon puna ime? A po më bën më të ndershëm? Më të durueshëm? Më të përgjegjshëm? Më bujar? Më të përulur? Apo më lakmitar, më egoist dhe më të fiksuar pas parasë?

Puna nuk duhet të bëhet idhull

Puna është e mirë. Por edhe gjërat e mira mund të bëhen idhuj. Një njeri mund të fillojë të jetojë vetëm për karrierën, pagën, pozitën, suksesin dhe pasurinë. Në atë moment puna nuk është më thjesht një mjet për të përmbushur përgjegjësitë tona; ajo bëhet një zot i vogël.  Prandaj Bibla na mëson edhe për pushimin. Perëndia nuk na krijoi si makina. Edhe vetë ritmi i krijimit na mëson për punën dhe pushimin. Ne kemi nevojë për gjumë, ushqim, familje, marrëdhënie, adhurim dhe kohë për të pushuar. Ndonjëherë edhe pamundësia për të pushuar është shenjë se kemi harruar se kush është në të vërtetë Zoti. Bota nuk mbahet mbi shpatullat tona apo sic me kane thene kur kam qene besimtar i ri “ti nuk je Shpetimtari”.  Ne punojmë me besnikëri, por Perëndia është ai që sundon dhe kujdeset për gjithçka.

Puna dhe bujaria

Puna nuk është vetëm për të fituar para për veten. Pali, duke kujtuar shembullin e tij, thotë: “Në çdo gjë ju tregova se duke u munduar kështu duhet të ndihmoni të dobëtit dhe të mbani mend fjalët e Zotit Jezus, që tha: ‘Ka më shumë lumturi të japësh sesa të marrësh.’” Veprat 20:35  Kjo ndryshon mënyrën se si e shohim pagën. Ne punojmë për të siguruar nevojat tona dhe të familjes, por Perëndia gjithashtu na jep mundësinë që përmes punës sonë të ndihmojmë të tjerët. Paga jonë mund të ushqejë një familje. Mund të ndihmojë një të varfër. Mund të mbështesë një misionar. Mund të kontribuojë në punën e kishës. Mund të ndihmojë një person në nevojë. Prandaj pyetja nuk është vetëm: “Sa mund të fitoj?” Por edhe: “Si dëshiron Perëndia që ta përdor atë që fitoj?”

Jezusi dhe puna

Vetë Jezusi na jep një shembull të jashtëzakonshëm. Para se të vinte në botë si njeri, Ai ishte Krijuesi. Kur erdhi në tokë, Ai jetoi për shumë vite si një punëtor, i njohur si marangoz. Kjo na kujton se puna e zakonshme nuk është diçka e padenjë për një ndjekës të Krishtit. Jezusi nuk e kaloi gjithë jetën tokësore duke predikuar në mënyrë publike. Ai kaloi shumë vite në heshtje, duke jetuar dhe punuar në një komunitet të zakonshëm. Kjo duhet të na ndryshojë mënyrën se si e shohim jetën tonë të zakonshme. Vitet që kalojmë duke punuar nuk janë vite të humbura nga perspektiva e Perëndisë. Edhe puna e zakonshme mund të jetë pjesë e një jete të jashtëzakonshme të jetuar për Krishtin.

Edhe rritja e fëmijëve është punë me vlerë

Në një shoqëri që shpesh e mat vlerën me pagën, pozitën dhe titullin profesional, duhet të kujtojmë se jo çdo punë e rëndësishme paguhet me para.Rritja e fëmijëve, kujdesi për familjen, edukimi, përgatitja e ushqimit, organizimi i shtëpisë dhe kujdesi për njerëzit janë përgjegjësi me një vlerë të madhe.Shkrimi i Shenjtë nuk e mat vlerën e punës vetëm me një rrogë.Një nënë apo baba që kujdeset për fëmijët po kryen një detyrë me rëndësi të përjetshme. Fëmijët nuk janë thjesht një përgjegjësi; ata janë njerëz që Perëndia ia ka besuar familjes për t’i rritur, dashur dhe drejtuar.

Po pensioni?

Edhe pensioni nuk duhet parë thjesht si fundi i dobisë sonë. Kur mbaron një karrierë, nuk mbaron thirrja për të qenë i dobishëm për Perëndinë. Mund të ndryshojë lloji i punës, por jo domosdoshmërisht qëllimi i jetës. Mosha më e madhe mund të sjellë mundësi të reja për mentorim, lutje, këshillim, kujdes për familjen, shërbim ndaj kishës dhe ndihmë ndaj brezit të ri. Nuk dalim në pension nga mbretëria e Perëndisë.

Puna nuk përfundon me këtë jetë

Një nga të vërtetat më inkurajuese të Shkrimit është se puna jonë nuk përfundon përgjithmonë me vdekjen. Në Zbulesën 22:3 lexojmë: “Shërbëtorët e tij do t’i shërbejnë.” Në praninë e Perëndisë do të vazhdojmë t’i shërbejmë Atij. Në mbretërinë e Krishtit puna nuk do të jetë më e shoqëruar nga mallkimi, kotësia, lodhja dhe padrejtësia që njohim sot. Puna do të jetë e çliruar nga pasojat e mëkatit.

Puno për Zotin

Ndoshta duhet ta shohim ndryshe javën tonë. Kur të hënën në mëngjes ngrihemi për të shkuar në punë, nuk po largohemi nga “shërbesa e krishterë” për të hyrë në jetën “normale”. Po vazhdojmë t’i shërbejmë Perëndisë në një fushë tjetër. Kur punojmë me ndershmëri, po e nderojmë Atë. Kur i shërbejmë klientit me respekt, po e nderojmë Atë. Kur kujdesemi për familjen, po e nderojmë Atë. Kur refuzojmë mashtrimin, po e nderojmë Atë. Kur punojmë edhe kur askush nuk na sheh, po e nderojmë Atë. Kur përdorim të ardhurat tona për të ndihmuar dikë në nevojë, po e nderojmë Atë. Kur dimë të ndalojmë dhe të pushojmë, po pranojmë se Ai është Zoti dhe ne nuk jemi. Prandaj, pyetja nuk është vetëm: “Çfarë pune bëj?” Pyetja më e rëndësishme është: “Për kë po punoj?” Nëse përgjigjja është “për Zotin”, atëherë edhe puna më e zakonshme mund të marrë një kuptim të përjetshëm. Sepse për një të krishterë, puna e përditshme nuk është e ndarë nga besimi. Puna jonë është një nga vendet ku besimi ynë bëhet i dukshëm. Dhe lutja jonë mund të jetë:  “Zot, më ndihmo që mënyra se si punoj të zbukurojë doktrinën e Krishtit, të bekojë njerëzit rreth meje dhe të të sjellë lavdi Ty.”

Reflektime nga demtimi ne supermarket

Nje zhurme u degjua ne anen tjeter te marketit dhe disa vajten te shohin se c’ndodhi. Ne mes te nje katrahure te kavanozave te thyer, ishte nje plake gjysme e hutuar dhe gjysme e turperuar. Ndersa shumica e njerezve thjesht po vezhgonin, dikush u afrua dhe u perpoq te ndihmonte ne pastrim. U afrua dhe manaxheri i marketit dhe i tha: “S’ka gje, do e pastrojme ne kete”. Plaka qe me zor po rrinte ne kembe, tha: “Si do ta paguaj une kete dem qe bera?” Menaxheri ju pergjigj buzagaz: “Mos ki merak nene, kemi siguracion per raste te tilla, na mbulon ai. Ti shko ne shtepi”

Me beri te mendoja per siguracionin qe kemi si besimtare. Sa here qe bejme rremuje jeten tone dhe demtojme dhe te tjere, jo rralle vuajme me denimin e brendshem te fajit te bere. Faji eshte aty, na flet, na kujton qe ne jemi gabimtare dhe na duhet te paguajme. Kjo eshte e drejte apo jo. Te largohesh fshehtas me shprese qe nuk te pa askush nuk e largon ndjenjen e fajit, vec te jep idene qe shmanget pasoja e te paguarit te demit. Nese do e konsiderojme pagesen e Krishtit ne kryq si siguracion per jeten tone, a do te kemi mjaftueshem guxim dhe besim te bejme “claim”, pra te themi qe kemi te drejte qe te jemi te falur. Kerkon besim tek informacioni i marre qe siguracioni i prere nga Zoti Jezus mbulon dhe mekatin tim.

Mrekulli! Sot do te jetoj i lire nga denimi. Shpresoj dhe ajo plaka do te fleje e paturperuar per demin ne supermarket. Shpresoj dhe ti lexues i dashur, te besosh ne premtimin e Perendise per ty dhe te thuash: “Faleminderit Krishtit, jam i falur”.

Si te mbrohemi nga frika?

Cfare duhet te bejme ne nje situate te tille ku Covid19 po vret njerez dhe sigurine e milionave te tjereve?

Bibla na flet per situata te tjera shume te veshtira ku njerezimi ka kaluar dhe Zoti u ka folur njerezve ne ate kohe me fjale qe na flasin edhe ne sot.

Isaia 41:10 Mos ki frikë, sepse unë jam me ty, mos e humb, sepse unë jam Perëndia yt. Unë të forcoj dhe njëkohësisht të ndihmoj dhe të mbaj me dorën e djathtë të drejtësisë sime.

Besimi dhe frika vijne nga fjalet, nga ajo qe ne degjojme. Sot te gjitha lajmet flasin vazhdimisht sa individe jane infektuar, sa kane vdekur, sa eshte inflacioni, sa vende pune po mbyllen.

Sa lajme na mjaftojne qe duhet te degjojme? Ndersa ne s’duhet te rrime si struci me koken ne rere, duhet te ruhemi qe te mos e mbajme koken vetem ne drejtimin me lajme jo inkurajuese.

Na duhet te disiplinojme veten te mos degjojme lajme gjate gjithe kohes dhe te mos rrime shume ne median sociale, qe te shmangim riperseritjen e asaj qe degjojme nga ekrani ne ato qe mendojme dhe flasim.

Na duhet kohe te reflektojme dhe mundesisht te degjojme ndonje fjale prej Perendise per kete situate. Perendia pavaresisht se mund te nderhyje ne kete situate (eshte dicka qe nuk eshte ne doren tone), cfare ne kemi nevoje eshte qe te nderhyje ne jeten tona. Mbreteria e Perendise vepron aty ku Perendia nderohet. Perendia mund te na ndryshoje ne, dhe ne mund te ndryshojme situatat. Ndersa stafet mjekesore, brenda aftesive dhe njohurive te tyre perpiqen te bejne maksimumin ne drejtimin pozitiv, ne te njejten menyre dhe ne qe besojme ne Krishtin na duhet te bejme maksimumin ne baze te asaj qe jemi thirrur te bejme.

Por fuqia dhe fokusi yne do te varen shume nga motivacioni i brendshem:1) nxitur nga frika per te ardhmen apo 2) nga besimi qe ne Perendine e ardhmja jone eshte ne duar te sigurta.

Ndoshta frika eshte duke prekur gjera te rendesishme ne jeten tone dhe ne duhet te pyesim veten se cfare eshte perparesi ne ate qe bejme dhe kemi. Nese jeta jone eshte ngarkuar me gjera te panevojshme per udhetimin, atehere me dashjen tone ose nga halli mund te ndodhe qe keto te humbasin rruges.

Kjo eshte nje kohe prove, nuk eshte prova e madhe qe do te vije mbi njerzimin, por edhe kjo prove eshte e dhimbshme, sepse afer shpirtit tone jane ngjitur shume elemente qe nuk duhet te jene aq afer.

Zoti Jezus ki meshire per ne mekataret dhe fali fajet tona dhe te bashkekombasve tane. Na cliro nga frika dhe na meso sesi te besojme Ty ne keto kohe te veshtira. Amen!

Besimi intelektual perballe besimit transformues

Apostull Jakobi ne letren e tij prek nje problem te asaj kohe, por qe duke studiuar historine e kishes dhe duke vezhguar sot njerezit, mund te them qe eshte per te patur vemendjen tone edhe sot.

Jakobi 2:14-26 Ç’dobi ka, vëllezër të mi, nëse dikush thotë se ka besim, por nuk ka vepra? A mund ta shpëtojë atë besimi? Dhe në qoftë se një vëlla ose një motër janë të zhveshur dhe u mungon ushqimi i përditshëm, dhe dikush nga ju u thothë atyre: “Shkoni në paqe! Ngrohuni dhe ngopuni”, dhe nuk u jepni atyre gjërat për të cilat kanë nevojë për trupin, ç’dobi ka? Po kështu është edhe besimi; në qoftë se s’ka vepra, është i vdekur në vetvete. Po dikush do të thotë: “Ti ke besimin, dhe unë kam veprat”; më trego besimin tënd pa veprat e tua dhe unë do të të tregoj besimin tim me veprat e mia. Ti beson se ka vetëm një Perëndi. Mirë bën; edhe demonët besojnë dhe dridhen. Po, a dëshiron të kuptosh, o njeri i kotë, se besimi pa vepra është i vdekur? Abrahami, ati ynë, a nuk u shfajësua me anë të veprave, kur e ofroi birin e vet, Isakun, mbi altar? Ti e sheh se besimi vepronte bashkë me veprat e tij, dhe se, nëpërmjet veprave, besimi u përsos. Kështu u përmbush Shkrimi, që thotë: “Edhe Abrahami i besoi Perëndisë, dhe kjo iu numërua për drejtësi”; dhe u quajt miku i Perëndisë. Ju shikoni, pra, se njeriu shfajësohet nga veprat dhe jo vetëm nga besimi. Gjithashtu a nuk u shfajësua edhe Rahabi, lavirja, nga veprat, kur i priti të dërguarit dhe i përcolli nga një udhë tjetër? Sepse, sikurse trupi pa frymën është i vdekur, ashtu edhe besimi, pa vepra, është i vdekur.

Ndersa Shqiperia lejoi ne vitin 91′ perhapjen e ungjillit, turma njerezish u turren per te degjuar se cfare po thonin misionaret e pare te asaj periudhe. Jo pak besuan dhe permes predikimit te brezit te pare e te dyte te besimtareve ende sot shqiptare vijne ne njohurine e Perendise dhe te asaj qe Perendia ka bere per ne permes vepres se Jezus Krishtit.

Po t’i sjellesh te gjithe shqiptaret qe besojne ne Jezusin ne nje rresht te drejte, besoj qe do te ishte nje rresh shume i gjate i cili do te mund te verifikohej me shpejt nese do kaloje paralelisht me makine.

Po t’i kerkosh te gjithe atyre qe jane rreshtuar, nese e lexojne Biblen rregullisht dhe nese e kane lexuar nje here te pakten nga fillimi ne fund – te bejne nje hap perpara, besoj nje grup i konsiderueshem do e beje kete hap.

Menjehere do te shikohet nje dallim midis atyre qe bejne nje deklarim besimi dhe atyre qe kane vendosur te informohen mire per ate qe besojne.

Nese grupit qe eci perpara do i kerkohet qe ” te bejne nje hap perpara, kushdo qe eshte pjese e nje kishe lokale”, me shume mundesi nje pjese e shqiptareve do te benin nje hap perpara, duke lene te tjere prapa. Kush jane kata qe mund te rrine prapa?

1) Mund te jene besimtare qe jetojne te izoluar ne vende ku nuk ka nje kishe, ndoshta besimi i tyre eshte i fshehur nga te afermit per shkak te frikes nga persekutimi.

2) Mund te jene besimtare qe jane zgjenjyer per dicka ne kishen ku kane qene dhe kane vendosur ta jetojne besimin e tyre pa drejtues shpirterore, jo rralle duke u ushqyer permes internetit nga predikues te preferuar. Ky grup, pavaresisht se ka nje aresye per mosbashkim me te krishtere te tjere, eshte ne nje pozicion qe nuk eshte shume i perdorshem per Mbreterine e Perendise. Pse? Se pari sepse nuk ka lejuar qe madheshtia dhe plani i Perendise te fitoje mbi lendimet dhe pakenaqesite e tij/saj. Se dyti, nuk lejon Perendine ta bekoje permes bashkebesimtareve te tjere qe jetojne ne te njejtin komunitet. Eshte per te ardhur keq qe disa besimtare jane me te lidhur me kisha qe nuk i njohin (pervec permes asaj qe kisha vendos ne Internet) sesa me kishen ne lagje apo qytetin ku banon. Se treti, nuk lejon qe Perendia ta perdore sic duhet. Perendia punon permes kishes dhe jo permes individeve individualiste.

3) Mund te jene besimtare qe teorikisht jane bere te krishtere, por jo se kane patur nje ndryshim te jetes se tyre, keshtu qe edhe ajo qe ofrojne per Perendine nuk eshte domethenese. Nje pjese prej tyre, vijne nga familje me tradite te krishtere dhe ambjenti normal i tyre eshte kisha, por jo se e kane zgjedhur kete ambjent. Nje pjese e tyre, krahasohen me besimin musliman dhe u duket nga jashte jo i pershtatshem dhe thone qe besimi i krishtere eshte me i mire. (Ky krahasim eshte bere nga njerez reale, dhe nuk eshte per te treguar nje deklarim zyrtar-kjo eshte per t’u sqaruar ne postime te tjera-lexo nje ketu)

Ne qofte se do u kerkohej atyre qe bene nje hap perpara, te konsideronin nese 1) benin dicka per kishen, pervec se vajtjes ne takime, 2) a sherbenin me shpirt ne kishe, 3) a jepnin nga financat e tyre per mbreterine e Perendise, 4) a ndihmonin te varferit ne kishe dhe jashte saj, etj, grupi me siguri do te zvogelohej ne fund.

Bejeni kete ushtrim me veten tuaj duke lexuar letren e Jakobit, ose pjesen qe postova me siper. A eshte besimi juaj ne Krishtin vec intelektual apo vertet Krishti per ju eshte Shpetimtari qe meriton gjithcka qe ti ke: adhurimin, kohen, dhuntine, planet?

Ky artikull nuk u shkruajt per te gjykuar disa prej jush, por per t’ju ofruar me dashamiresi perspektiven biblike te asaj qe sheh Perendia ne jeten dhe veprat tona. Nese veprat tona, nuk reflektojne Perendine dhe vepren e Krishtit atehere eshte koha per te ndaluar trenin dhe verifikuar: 1) ne cilin tren ke hipur, 2) a po shkon ne drejtimin e duhur.

Njeriu me mend ne koke, shkon dhe kontrollohet tek doktori kur kupton qe dicka nuk shkon, sepse nuk deshiron qe nje problem i mundshem te zmadhohet me pasoja fatale. Krishti ju ndricofte rrugen!

@Endrit Mullisi