Puna e përditshme si shërbim ndaj Perëndisë

Në një ditë prej 24 orësh, një pjesë e madhe e kohës sonë kalon duke fjetur, duke përgatitur dhe ngrënë ushqim, dhe mbi të gjitha, duke punuar. Orët që mbeten zakonisht janë ato që marrin më shumë vëmendje në predikimet dhe aktivitetet e kishës: adhurimi, ungjillizimi, dishepullizimi, shërbimi dhe inkurajimi i besimtarëve. Por kjo ngre një pyetje të rëndësishme: Sa shpesh flasim në kishë për punën e përditshme? Bibla ka shumë për të thënë për punën, pushimin, ushqimin, përgjegjësinë dhe mënyrën se si duhet ta jetojmë jetën tonë të zakonshme para Perëndisë. Për besimtarin, jeta nuk ndahet në një pjesë “shpirtërore” dhe një pjesë “laike”. Perëndia është Zot mbi të gjithë jetën tonë.

Ne u krijuam për të punuar

Puna nuk ishte pasojë e mëkatit. Që në fillim, Perëndia i dha njeriut një detyrë: “Zoti Perëndi e mori njeriun dhe e vuri në kopshtin e Edenit, që ta punonte dhe ta ruante.”  Zanafilla 2:15 Kjo është një e vërtetë e rëndësishme. Puna ishte pjesë e planit të mirë të Perëndisë para Rënies. Mëkati nuk e krijoi punën; ai e prishi punën. Pas Rënies, puna u bë e mundimshme, e lodhshme dhe shpesh zhgënjyese. Megjithatë, vetë puna mbeti pjesë e thirrjes së Perëndisë për njeriun. Prandaj, kur një i krishterë shkon në zyrë, në fabrikë, në shkollë, në një kantier ndërtimi, në një dyqan, në një spital apo punon nga shtëpia, ai nuk po largohet nga jeta e tij shpirtërore. Ai po jeton një pjesë të thirrjes së tij para Perëndisë.

Puna “laike” mund të jetë shërbim shpirtëror

Shpesh mendojmë se shërbim ndaj Perëndisë është vetëm ajo që bëjmë brenda kishës: të predikojmë, të këndojmë, të drejtojmë një grup, të bëjmë ungjillizim ose të shërbejmë në një aktivitet. Por Shkrimi na jep një perspektivë shumë më të gjerë. Pali u shkruan skllevërve dhe punëtorëve: “Çfarëdo që të bëni, punojeni me gjithë shpirt, si për Zotin dhe jo për njerëzit.”  Kolosianëve 3:23 Vini re: “çfarëdo që të bëni.”  Jo vetëm predikimin. Jo vetëm lutjen. Jo vetëm aktivitetin e kishës. Çfarëdo që të bëni. Kjo do të thotë se puna jonë e përditshme mund të bëhet një akt adhurimi kur e bëjmë me ndershmëri, përgjegjësi, përkushtim dhe me vetëdijen se po i shërbejmë Zotit. Punonjësi i krishterë nuk duhet të ketë dy standarde: një në kishë dhe një tjetër në vendin e punës. Karakteri ynë në punë është pjesë e dëshmisë sonë për Krishtin.

Puna jonë është edhe dëshmi

Një nga mënyrat më të fuqishme për të dëshmuar për Krishtin është mënyra se si punojmë. Titit 2:10 flet për një jetë që “zbukuron mësimin e Perëndisë, në çdo gjë”. Njerëzit që punojnë me ne mund të mos vijnë menjëherë në në takime kishe për të dëgjuar një predikim. Por ata na shohin çdo ditë. Ata shohin nëse jemi të ndershëm. Shikojnë nëse i mbajmë premtimet. Shikojnë si reagojmë kur trajtohemi padrejtësisht.  Shikojnë nëse punojmë vetëm kur na kontrollon shefi. Shikojnë nëse përfitojmë nga të tjerët.  Shikojnë nëse ankohemi vazhdimisht. Dhe shikojnë nëse besimi ynë në Krishtin ka ndonjë ndikim real në karakterin tonë. Puna e bërë mirë mund të bëhet një platformë për ungjillin.

Perëndia e sheh punën që bëjmë

Në një vend pune mund të ketë një shef që nuk e vëren përkushtimin tonë. Mund të kemi një menaxher që nuk e vlerëson punën tonë. Mund të punojmë shumë dhe të mos marrim menjëherë shpërblimin që mendojmë se meritojmë. Por besimtari punon me “sytë lart”. Pse? Sepse e di se ka një Zot qiellor që sheh. Shpërblimi i Perëndisë është më i madh se paga që marrim në fund të muajit. Paga është e rëndësishme dhe puna duhet të shpërblehet me drejtësi, por vlera e punës sonë nuk përcaktohet vetëm nga shuma në çekun e pagës. Puna po formon edhe personin që po bëhemi. Dikush ka thene: “Shpërblimi më i madh i punës së njeriut nuk është ajo që merr prej saj, por ajo që bëhet përmes saj.” Kjo sjell një pyetje e fuqishme për çdo të krishterë: Çfarë lloj njeriu po më transformon puna ime? A po më bën më të ndershëm? Më të durueshëm? Më të përgjegjshëm? Më bujar? Më të përulur? Apo më lakmitar, më egoist dhe më të fiksuar pas parasë?

Puna nuk duhet të bëhet idhull

Puna është e mirë. Por edhe gjërat e mira mund të bëhen idhuj. Një njeri mund të fillojë të jetojë vetëm për karrierën, pagën, pozitën, suksesin dhe pasurinë. Në atë moment puna nuk është më thjesht një mjet për të përmbushur përgjegjësitë tona; ajo bëhet një zot i vogël.  Prandaj Bibla na mëson edhe për pushimin. Perëndia nuk na krijoi si makina. Edhe vetë ritmi i krijimit na mëson për punën dhe pushimin. Ne kemi nevojë për gjumë, ushqim, familje, marrëdhënie, adhurim dhe kohë për të pushuar. Ndonjëherë edhe pamundësia për të pushuar është shenjë se kemi harruar se kush është në të vërtetë Zoti. Bota nuk mbahet mbi shpatullat tona apo sic me kane thene kur kam qene besimtar i ri “ti nuk je Shpetimtari”.  Ne punojmë me besnikëri, por Perëndia është ai që sundon dhe kujdeset për gjithçka.

Puna dhe bujaria

Puna nuk është vetëm për të fituar para për veten. Pali, duke kujtuar shembullin e tij, thotë: “Në çdo gjë ju tregova se duke u munduar kështu duhet të ndihmoni të dobëtit dhe të mbani mend fjalët e Zotit Jezus, që tha: ‘Ka më shumë lumturi të japësh sesa të marrësh.’” Veprat 20:35  Kjo ndryshon mënyrën se si e shohim pagën. Ne punojmë për të siguruar nevojat tona dhe të familjes, por Perëndia gjithashtu na jep mundësinë që përmes punës sonë të ndihmojmë të tjerët. Paga jonë mund të ushqejë një familje. Mund të ndihmojë një të varfër. Mund të mbështesë një misionar. Mund të kontribuojë në punën e kishës. Mund të ndihmojë një person në nevojë. Prandaj pyetja nuk është vetëm: “Sa mund të fitoj?” Por edhe: “Si dëshiron Perëndia që ta përdor atë që fitoj?”

Jezusi dhe puna

Vetë Jezusi na jep një shembull të jashtëzakonshëm. Para se të vinte në botë si njeri, Ai ishte Krijuesi. Kur erdhi në tokë, Ai jetoi për shumë vite si një punëtor, i njohur si marangoz. Kjo na kujton se puna e zakonshme nuk është diçka e padenjë për një ndjekës të Krishtit. Jezusi nuk e kaloi gjithë jetën tokësore duke predikuar në mënyrë publike. Ai kaloi shumë vite në heshtje, duke jetuar dhe punuar në një komunitet të zakonshëm. Kjo duhet të na ndryshojë mënyrën se si e shohim jetën tonë të zakonshme. Vitet që kalojmë duke punuar nuk janë vite të humbura nga perspektiva e Perëndisë. Edhe puna e zakonshme mund të jetë pjesë e një jete të jashtëzakonshme të jetuar për Krishtin.

Edhe rritja e fëmijëve është punë me vlerë

Në një shoqëri që shpesh e mat vlerën me pagën, pozitën dhe titullin profesional, duhet të kujtojmë se jo çdo punë e rëndësishme paguhet me para.Rritja e fëmijëve, kujdesi për familjen, edukimi, përgatitja e ushqimit, organizimi i shtëpisë dhe kujdesi për njerëzit janë përgjegjësi me një vlerë të madhe.Shkrimi i Shenjtë nuk e mat vlerën e punës vetëm me një rrogë.Një nënë apo baba që kujdeset për fëmijët po kryen një detyrë me rëndësi të përjetshme. Fëmijët nuk janë thjesht një përgjegjësi; ata janë njerëz që Perëndia ia ka besuar familjes për t’i rritur, dashur dhe drejtuar.

Po pensioni?

Edhe pensioni nuk duhet parë thjesht si fundi i dobisë sonë. Kur mbaron një karrierë, nuk mbaron thirrja për të qenë i dobishëm për Perëndinë. Mund të ndryshojë lloji i punës, por jo domosdoshmërisht qëllimi i jetës. Mosha më e madhe mund të sjellë mundësi të reja për mentorim, lutje, këshillim, kujdes për familjen, shërbim ndaj kishës dhe ndihmë ndaj brezit të ri. Nuk dalim në pension nga mbretëria e Perëndisë.

Puna nuk përfundon me këtë jetë

Një nga të vërtetat më inkurajuese të Shkrimit është se puna jonë nuk përfundon përgjithmonë me vdekjen. Në Zbulesën 22:3 lexojmë: “Shërbëtorët e tij do t’i shërbejnë.” Në praninë e Perëndisë do të vazhdojmë t’i shërbejmë Atij. Në mbretërinë e Krishtit puna nuk do të jetë më e shoqëruar nga mallkimi, kotësia, lodhja dhe padrejtësia që njohim sot. Puna do të jetë e çliruar nga pasojat e mëkatit.

Puno për Zotin

Ndoshta duhet ta shohim ndryshe javën tonë. Kur të hënën në mëngjes ngrihemi për të shkuar në punë, nuk po largohemi nga “shërbesa e krishterë” për të hyrë në jetën “normale”. Po vazhdojmë t’i shërbejmë Perëndisë në një fushë tjetër. Kur punojmë me ndershmëri, po e nderojmë Atë. Kur i shërbejmë klientit me respekt, po e nderojmë Atë. Kur kujdesemi për familjen, po e nderojmë Atë. Kur refuzojmë mashtrimin, po e nderojmë Atë. Kur punojmë edhe kur askush nuk na sheh, po e nderojmë Atë. Kur përdorim të ardhurat tona për të ndihmuar dikë në nevojë, po e nderojmë Atë. Kur dimë të ndalojmë dhe të pushojmë, po pranojmë se Ai është Zoti dhe ne nuk jemi. Prandaj, pyetja nuk është vetëm: “Çfarë pune bëj?” Pyetja më e rëndësishme është: “Për kë po punoj?” Nëse përgjigjja është “për Zotin”, atëherë edhe puna më e zakonshme mund të marrë një kuptim të përjetshëm. Sepse për një të krishterë, puna e përditshme nuk është e ndarë nga besimi. Puna jonë është një nga vendet ku besimi ynë bëhet i dukshëm. Dhe lutja jonë mund të jetë:  “Zot, më ndihmo që mënyra se si punoj të zbukurojë doktrinën e Krishtit, të bekojë njerëzit rreth meje dhe të të sjellë lavdi Ty.”

MËKATI I DËSHTIMIT TË DASHURISE PËR TË TJERËT

Pasoja më e rëndë e lënies pas dore të takimeve të kishës!

Ne jetojmë në një kulturë të rehatisë, personalizimit dhe të individualizmit. Ne kemi një milion mënyra të përshtatjes së jetëve që të na shkojë për shtat me çdo preferencë tonë.

Kur gjërat janë të vështira, nuk na shkon nëpër mend që të lëmë pas dore përgjegjësitë dhe riorientimit të jetëve tona larg çfarë do gjëje që nuk na shkon për shtat. Madje mund të shtrihet edhe diçka aq e mirë dhe aq kryesore si përkushtimi ynë ndaj kishës vendore.

Ne të gjithë që jemi përfshirë në kishë lokale kemi parë njerëz që lëkunden dhe largohen nga përkushtimi i tyre. Shumë nga ne na është dashur t’i bëjmë thirrje dikujt që të kthehen te pjesëmarrja, të kthehen te shërbesat e adhurimit. Kur ne e bëjmë këtë, ne shpesh shkojmë Hebrenjëve 10:24-25 për të paralajmëruar mbi rreziqet e “lënies pas dore të takimeve, siç e kanë zakon disa…”

Ne insistojmë që ata që lënë pas dore takimet e kishës do të hasin tundime shpirtërore, rënie shpirtërore dhe madje vdekje shpirtërore. Dhe ndërkohë që e gjitha kjo është e vërtetë, ky nuk është theksi i pasazhit. Në fakt, kur e përdorim pasazhin në këtë mënyrë, ne nuk po shfaqim urgjencën hyjnore mbrapa tekstit, por individualizmin tonë të thellë që ka hedhur rrënjë në ne.

Mëkati i parë i lënies së takimeve të kishës është mëkati i dështimit të duam tjerët.

Shikoni çfarë thotë Hebrenjëve 10:24-25: “Dhe le të kujdesemi për njeri tjetrin, për t’u nxitur për dashuri dhe vepra të mira, pa hequr dorë nga të mbledhurit bashkë tonin, sikurse kanë zakon disa, por të nxisim njeri tjetrin, aq më tepër se e shihni ditën që po afrohet.” Ky pasazh me të vërtetë na paralajmëron mbi mëkatin serioz të mospjesëmarrjes në takimet e kishës, por fokusi nuk është çfarë ne mund të presim përmes syve tanë perëndimorë, syve individualistë.

Ky pasazh nuk na paralajmëron ne mbi që kur lëmë takimet e kishës që ne vëmë veten në rrezik. Për më tepër na paralajmëron ne që kur lëmë takimin e kishës ne i vëmë të tjerët në rrezik. Mëkati i parë i lënies së takimeve të kishës është se dështojmë të duam të tjerët.

Mbledhja e njerëzve të Perëndisë është nuk ka të bëjë me bekimin, por të jesh bekim. Së pari nuk ka të bëjë me marrje, por me dhënien. Ndërsa përgatitemi për adhurim të Dielën, konsiderata jonë e parë duhet të jetë: “për t’u nxitur për dashuri dhe vepra të mira.” Ne vijmë te e diela me qëllim, mezi presim t’ju bëjmë të mirë të tjerëve, të jemi një bekim për ata.

Në këto kohë ne ndjejmë zellin tonë të dobësohet, kur ne ndjejmë tundimin të lëmë takimin e të dielës ose tërhiqemi fare, ne duhet të konsiderojmë detyrën që na ka dhënë Perëndia për të “të nxisim njeri tjetrin, aq më tepër se e shihni ditën që po afrohet.” Ky tekst nuk është për ne, por për ata. Ky tekst nuk është për të krishterë individë, por komunitete të Krishtera.

Dhe sigurisht përkushtimi ynë ndaj kishës lokale është më i rëndësishëm sesa përkushtimi ndaj shërbesave të Ditës së Diel. Është përkushtimi ynë ndaj të tjerëve për gjatë gjithë jetës. Është një përkushtim për të adhuruar me ta njëherë apo dy herë në javë, pastaj për të pasur bashkësi me ta, për t’iu shërbyer atyre dhe për t’u lutur për ata të gjithë përgjatë javës.

Ky tekst është për ne për të na lidhur bashkë në një besëlidhje në të cilin ne premtojmë t’iu bëjmë mirë atyre, t’i bëjmë ata objektin e veçantë të vëmendjes dhe inkurajimit tonë. Është një premtim që do të identifikohemi dhe përdorim dhuntitë shpirtërore për të mirën e tyre në mënyrë që t’ju shërbejmë, forcojmë dhe bekojmë ata.

Çdo i krishterë ka një vend në kishën lokale. Çdo i krishterë është i nevojshëm brenda një kishe lokale. Çdo i krishterë ka përgjegjësi brenda një kishe lokale.

Çdo i krishterë duhet të përkushtohet ndaj anëtarëve të kishës lokale për t’i dashur, inkurajuar dhe për t’i nxituar ata në zell deri ditën e kthimit të Krishtit.

Tim Challes (perkthyer nga Genci Cesula)

Te ruajme bashkesine

Le të lexojmë se c’na thotë Hebrenjve 10: 24-39

Dhe le të kujdesemi për njeri tjetrin, për t’u nxitur për dashuri dhe vepra të mira, pa hequr dorë nga të mbledhurit bashkë tonin, sikurse kanë zakon disa, por të nxisim njeri tjetrin, aq më tepër se e shihni ditën që po afrohet.(v.24-25)

Bashkesia jone me Perendine nuk duhet te kthehet ne nje bashkesi egoiste. Ne duhet te kemi bashkesi me te krishtere te tjere ne nje bashkesi lokale. Sic na thote ky shkrim disa besimtare te lekundshem e kishin vecuar veten nga bashkesia me kishen. Na duhet t’i japim rendesi theksimit qe na jepet ne kete varg: ajo cfare japim ne bashkesi dhe jo ajo qe marrim. Besnikeria ne pjesemarrje ne takime te kishes inkurajon te tjeret dhe i nxit ata per te dhene dashuri dhe per te bere punera te mira.

Nje nga motivimet kryesore per besnikeri eshte ardhja e shpejte e Jezus Krishtit. Ne fakt vendi tjeter ku permendet fjala “mbledhurit bashke (v.25) eshte tek Letra e dyte drejtuar Thesalonikasve 2:1 ku tema eshte bashkimi me Krishtin ne ardhjen e Tij.

Tre virtytet kryesore te krishtera paraqiten ne kete pjese te Hebrenjve qe lexuam me lart: besimi (v.22), shpresa (v.23) dhe dashuria (v.24). Keto virtyte jane fryti i bashkesise sone me Perendine ne shenjteroren e Tij.

Reflektim:

  1. Cfare jane perfitimet kryesore qe ti merr nga pjesemarrja ne nje grup ku adhurohet Perendia?
  2. Cfare jep ti si pjese e atij grupi?

Pse prinderit duhet t’i marrin femijet e tyre ne kishe?

Para disa vitesh kam bere bisede me nje te afermin tim lidhur me menyren sesi do te rriteshin femijet tane qe kishin gati te njejten moshe. Vajza ime qe e vogel ka shkuar ne takimet e kishes ku shkoja sebashku me gruan. Kur ishte ende disa jave ne e perkushtuam me lutje perpara Zotit. I dhuruam qe ne fillimin Biblen Time te Pare – nje variant i thjeshtezuar i bibles per femije te vegjel, gje qe vajza e hapte dhe bente sikur e lexonte, duke na kopjuar ne.

I afermi im me tha qe nuk donte t’i shtynte femijet e tij ne nje jete fetare, ata mund ta zgjidhnin vete me vone kete gje. Pra, dy perspektiva ishin ne diskutim, nese duhet t’ia ofrojme jeten e krishtere femijeve apo t’i leme ne dore te tyre. Me lejoni t’ju jap nje detaj qe i afermi im nuk eshte person qe shkon ne kishe dhe ende nuk eshte i sigurte per ekzistencen e Perendise.

Une mendoj qe eshte shume normale per nje familje te krishtere t’i prezantoje me Jezusin, kishen, besimin qe ne fillim. Nese besimi eshte pjese normale e prinderve, nuk ka pse te mos jete pjese normale e femijeve. Ky nuk eshte abuzim me femijen. Prinderit e bejne pjese te gjerave qe bejne dhe femijen e tyre. Me lejoni t’u pergjigjem te ashtequajtur prinderve liberale: 1) Nese prinderit marrin pjese ne nje Pride Parade, a i marrin femijet e vet me vete, pa i pyetur nese jam pro apo kunder? 2) Nese prinderit shkojne ne nje koncert per festat e Nentorit, a nuk i marrin femijet me vete, pa i pyetur ata nese duan te jetojne si shqiptare apo si kanadeze kur te rriten? 3) Nese prinderit deshirojne qe femija i tyre te mesoje Frengjisht, a nuk marrin kete vendim zakonisht pa i pyetur femijet e tyre, duke besuar qe po e bejne per te miren e femijes? 4) Nese prinderit gatuajne mish cdo dite dhe ja japin femijes, a nuk e bejne ata pa e pyetur femijen nese do te jete mishngrenes, vegan apo ne mes?

Pra, nje prind i mire do perpiqet t’i jape femijes ate qe beson qe eshte me e mira. Nese besimi ne Krishtin, vajtja ne Kishe dhe zbatimi i mesimeve Biblike eshte i mire per prindin, ai/ajo ne menyre automatike dhe normale do ia ofrojne dhe ngulisin femijeve te tyre. Pra, ta drejtosh femijen drejt nje jete te krishtere, absolutisht nuk mund te shihet si abuzim me te femijet. Eshte shume normale. Femija kur rritet merr vendime qe jo rralle ndeshen me ate qe prindi deshiroi, parashikoi dhe e mesoi femijen. Ne te gjithe jemi deshmitare te kesaj -duke e patur me te lehte ta bejme vete, sesa te na e bejne femijet.

A ka te mira vajtja ne kishe? Patjeter qe po. Me lejo te rradhis disa prej tyre.

1-Nese e besojme qe Fjala e Zotit eshte si nje shpate qe ndan mendimet e zemres dhe te verteten nga genjeshtra, a nuk do te doje qe femijet e tu te rriten me aftesi per te dalluar te miren nga e keqja? A nuk do te krijoje mundesi qe te degjonin sa me shume nga kjo fjale? E ku flitet me shume fjala e Zotit sesa ne takime te kishes? Ajo qe femijet tane degjojne, do ndikoje ne formimin e tyre. Fjalet kane fuqi dhe ndersa media lufton per te marre vemendjen e femijeve tane duke ju ofruar dhe mesazhe qe ne nuk biem dakort, ne duhet gjithashtu te jemi te qellimshem per t’ia ofruar vetes dhe femijeve tane mundesine per te degjuar vazhdimisht Fjalen e Zotit dhe menyrat sesi mund ta veme ne zbatim parimet hyjnore ne jeten tone te perditshme.

2-Nje prind i krishtere shpreson qe femijet e vet kur rriten po ashtu jane pjese aktive e kishes. Kjo fillon me respektin qe i jepet nje dite ne jave ( qe zakonisht eshte e diela) ku nuk behen punet e zakonshme por i jepet fokusi pushimit ne Zotin. Cfare prinderit bejne, femijet zakonisht kopjojne. Nese nje prind merr pjese me deshire ne takimet e kishes, femijet do e kuptojne kete gje dhe kur rriten kane me teper mundesi te jene aktive ne kishe sesa femijet e prinderve qe jane te krishtere vec dy ore te dielave.

3- Miqesia qe femijet e tu do te ndertojne me femije te tjere te krishtere do te kete perfitime. Te gjithe e dime qe “shoqerite e keqija prishin zakonet e mira” apo “me thuaj me ke rri, te them se kush je“. Pjesemarrja e rregullt ne takime te kishes i ofron femijeve te tu nje mundesi per te bere shoqeri me femije te prinderve qe mendojne si ty ne lidhje pa parime etiko-morale te jetes. Hebrenjte 10:25 na inkurajon te mos heqim dore se mbledhuri sebashku si te krishtere. Ne jemi qenie sociale dhe do te ndertojme shoqeri. Nga eksperienca ime si i rritur prej se paku 25 vitesh, mund te them qe shoqerite me te mira i kam me njerez qe jane besimtare. Imagjino sikur nje pjse te ketyre shoqerive t’i kisha qe kur isha femije.

4- Kisha permes programeve ofron mundesi te jashtezakonshme per femijet. Femijeve pervec se mundesise per te mesuar, u ofrohet mundesia per t’u angazhuar dhe per te qene aktiv: kjo si ne aktivitete te brendshme te kishes apo jashte saj duke ndihmuar ne komunitet. Ne kishe femijeve u jepet mundesia qe t’i zhvillohen aftesite e drejtueshmerise, marrjes se pergjegjesive,por mund te zbuloje aftesi ne kendim, aktrim, kercim qe ndoshta nuk do te dalin shume ne pah, nese nuk do u ofrohet kjo mundesi. Ju besoj qe jeni te informuar qe shume kengetare te njohur e kane filluar karrieren e tyre duke kenduar ne kishe. Eshte i vetmi vend social ku te gjithe kendojne te pakten nje here ne jave.

Cfare mendon ti? A je dakort me keto vezhgime dhe sugjerime? Jeni te mirepritur te komentoni apo te beni pyetje te tjera duke derguar nje email tek info@kishashqiptare.ca.