Nga: Robert J. Tamasy

Çdo kulturë ka proverbat e saj, fjalë të urta që i kanë rezistuar kohërave e që kanë kaluar nga brezi në brez duke u pranuar si të vërteta. Por jo të gjitha janë të vërteta. Marrim, për shembull, proverbin që përsëritet aq shumë (në Amerikë): “Shkopinjtë dhe gurët mund të më thyejnë kockat, por emrat s’kanë ç’më bëjnë.” Në të vërtetë, emrat (e njerëzve), kur është fjala për kujtime të pakëndshme prej tyre, të shkaktojnë shqetësim dhe shpesh dhimbja shpirtërore që sjellin, mund të jetë më jetëgjatë se sa dhimbja fizike që provon kur goditesh nga ndonjë objekt.

Një tjetër proverb me vërtetësi të dyshimtë është ky, “Paraja nuk sjell lumturinë.” Mendohu pak: A nuk ndjehesh i lumturuar kur ta rrisin rrogën në punë? Po kur merr papritur ndonjë çek parash, a nuk përjeton momente lumturie? Po kur ke vendosur të shesësh diçka dhe merr vesh se çmimi i saj në treg është më i lartë nga sa ke menduar, a nuk ndjehesh i lumturuar? Edhe Bibla e pranon se,

“Pasuritë sigurojnë një numër të madh miqsh, por të varfrin e braktis miku i tij…të gjithë janë miq të atij që bën dhurata” .

(Fjalët e Urta 19:4, 6)

Padyshim, nëse do të zgjidhnim para dy mundësive – për të pasur ose mos pasur para – të gjithë do të zgjidhnim mundësinë e parë. Apo jo? Por çështja është se çfarë nënkuptojmë me fjalën “lumturi”?

Vite më parë kam dëgjuar një program në radio që bënte një dallim të shkëlqyer midis lumturisë dhe gëzimit. Lumturia, thuhej aty, ka të bëjë me ngjarje, faktorë të jashtëm që ndikojnë mbi ne në mënyrë pozitive ose negative. Gëzimi, shpjegonte folësi, është një ndjesi e brendshme mirëqenieje, diçka që nuk varet nga çfarë ndodh rreth nesh. Të marrim si shembull rastin kur blejmë një makinë të re. Ky fakt mund të na lumturojë së tepërmi duke filluar nga çasti që ndjejmë aromën karakteristike të makinës së dyqanit dhe prekim aksesorët e saj modernë e deri në çastet kur provojmë emocionet e ngarjes së një makine të re. Megjithatë, nëse dikush në parkim na e godet makinën e na shtrembëron parafangon e saj, lumturia që provuam zhduket menjëherë. Ky lloj lumturimi venitet edhe me kalimin e kohës teksa shohim makinën tonë që fillon e vjetrohet. Pra, paratë mund të blejnë lumturi, por ato nuk mund ta ruajnë atë përgjithmonë.

Gëzimi, përkundrazi, mund të ruhet edhe në çaste dhimbjeje, humbjeje, ose fatkeqësish të mëdha. Sepse ai ka të bëjë me ndjenjën e plotësimit të brendshëm shpirtëror dhe nuk cënohet nga rrethana të jashtme. Prandaj është më e saktë të theksojmë se paraja mund ta blejë lumturinë, por ajo nuk mund të blejë gëzimin.

Edhe Bibla flet për këtë: Syno për gjërat e duhura. Paraja është e dobishme, por ajo ka limitet e veta. Ajo s’ka vlerë kur vijmë në fundin e jetës tonë. Në atë pikë, ajo që ka rëndësi është vetëm trashëgimia që lëmë pas, reflektimi mbi atë se si e jetuam jetën dhe çfarë ndikimi lamë në këtë botë.

“Pasuritë nuk sjellin dobi ditën e zemërimit, por drejtësia të shpëton nga vdekja”

(Fjalët e Urta 11:4)

Fokusohu në gjërat që zgjasin në kohë. Një tjetër proverb thotë: “Kollaj vjen, kollaj ikën (nga kjo jetë mbi tokë)” Pra, a është mençuri që t’ia përkushtojmë gjithë kohën dhe energjitë tona sigurimit të pasurive që mund t’i humbasim aq lehtë e shpejtë?

“Mos u lodh për t’u pasuruar…Sa të hapësh e të mbyllësh sytë pasuria do të bëjë krahë e do të fluturojë drejt qiellit si shqiponjë.

(Fjalët e Urta 23:4-5)

Grumbullo pasurinë e vërtetë. Nëse kuptimin e jetës tonë e gjejmë tek gëzimi në kuptimin e plotësimit shpirtëror, pak rëndësi ka nëse kemi shumë para apo hiç fare.

“Mos mblidhni për vete thesare mbi tokë ku i brejnë tenja dhe ndryshku dhe ku vjedhësit shpërthejnë dhe vjedhin. Përkundrazi, mblidhni për vete thesare në qiell ku as tenja as ndryshku nuk prishin dhe ku vjedhësit nuk shpërthejnë e nuk vjedhin”

(Mateu 6:19-20)

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Categories