E enjtja e Madhe, e njohur në anglisht si Maundy Thursday, është një nga ditët më domethënëse të Javës së Shenjtë. Ajo na çon drejtpërdrejt në momentet e fundit të Jezusit me dishepujt e Tij, duke mbartur një mesazh të thellë për jetën e çdo të krishteri. Fjala Maundy vjen nga latinishtja “mandatum”, që do të thotë “urdhërim” ose “porosi”. Ky term lidhet drejtpërdrejt me fjalët e Jezusit gjatë Darkës së Fundit: “Një urdhërim të ri po ju jap: ta doni njëri-tjetrin; sikurse unë ju kam dashur ju” (Gjoni 13:34). Ky është thelbi i kësaj dite—një urdhërim hyjnor që nuk është thjesht një këshillë morale, por një standard i ri jetese për ndjekësit e Krishtit. Në këtë ditë përkujtojmë disa ngjarje themelore: Larja e këmbëve – Jezusi, megjithëse Zot dhe Mësues, u përul dhe lau këmbët e dishepujve. Ky veprim ishte një shembull i gjallë i përulësisë dhe shërbimit. Ai na mëson se madhështia në Mbretërinë e Perëndisë matet me dashurinë që shërben. Pjetri në fillim refuzoi, por kur u sqarua, deshi të lahej i tëri :). Ka shumë simbolika të tilla që në disa kisha praktikohen si kujtesë dhe ftesë. Darka e Fundit – Jezusi theu bukën dhe ndau verën, duke themeluar Kungimin/Meshën e Shenjtë. Kjo është kujtesa e përhershme e sakrificës së Tij dhe e besëlidhjes së re. Të krishterët duhet ta bëjnë këtë gjë; nuk është opsionale, nuk është “kur të kem kohë”, por duhet bërë, sepse nëse nuk bëhet, harrohet ajo që Ai bëri, duke harruar atë që Ai tha të bëjmë që të mos harrojmë. Tradhtia dhe fillimi i vuajtjeve – Po atë natë, Jezusi u tradhtua nga Juda dhe u arrestua në kopshtin e Gjetsemanit. Drita e dashurisë hyjnore qëndron përballë errësirës së mëkatit njerëzor. Ne nuk e dimë se kush do të na tradhtojë dhe kur, por prapë Krishti na dha shembullin që edhe tradhtarët (që përfshijnë ata që nuk mbajnë premtimet, që e lënë Jezusin për një përfitim politik, material apo social) duhet të duhen, sepse dashuria është mbi gjithçka. Për ne si të krishterë shqiptarë, E enjtja e Madhe nuk është vetëm një përkujtim historik, por një thirrje e gjallë. Në një kulturë ku marrëdhëniet dhe nderi kanë peshë të madhe, Jezusi na fton të jetojmë një dashuri që shkon përtej fjalëve—një dashuri që fal, që përkulet dhe që shërben pa kërkuar lavdi. Ky “mandatum” i Jezusit mbetet sfidë edhe sot:
  1. Të duam kur është e vështirë.
  2. Të shërbejmë kur nuk vlerësohemi.
  3. Të qëndrojmë besnikë edhe kur përballemi me tradhti apo padrejtësi.
E enjtja e Madhe na kujton se rruga drejt kryqit fillon me dashurinë dhe përulësinë. Dhe vetëm duke jetuar këtë urdhërim të ri, ne tregojmë se jemi me të vërtetë dishepuj të Krishtit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Categories