Kjo pikturë shpreh atë që ka ndodhur vazhdimisht kur osmanllinjtë pushtuan territore të krishterë dhe kishat që nuk i shkatërruan i kthyen në xhami ose objekte të tjera. Muralet me mesazhet dhe simbolet e krishtera u fshinë. Në atë kohë kur njerëzit ishin të palexuar dhe vareshin nga ajo që i thonin priftërinjtë, shkatërrimi i objekteve të tilla ishte shumë i dëmshëm sepse shpesh ishte pika e kontaktit të tyre me Perëndinë. Prishja e ndërtesave të kishave apo referencave të tjera biblike, sëbashku me presionin në drejtimin financiar dhe social, i bënë gjithmonë e më shumë shqiptarë të perandorisë osmane të largoheshin nga rrënjët e tyre fetare.
Po sot, çfarë presioni mund të bëjë shqiptarët t’i kenë të zhveshur muret e jetës së tyre nga elementet hyjnore?
Po ata që i janë kthyer adhurimit të Zotit në godinat e shenjta, ç’do të bëjnë kur vajtja në këto godina nuk do jetë e mundur apo e lehtë?
Çfarë po bëjnë sot besimtarët që COVID nuk i lejon të shkojnë tek ndërtesa e shenjtë?
Ndërsa vëzhgoj kalimtarë dhe shoferë që kalojnë afër shtëpisë sime që gjendet pranë një objekti të tillë fetar dhe jo rrallë arrij të kap në të qindat e sekondës, që bëjnë kryqin ndërsa kalojnë shpejtazi afër. Është një kujtesë e mirë e simbolit më të rëndësishmë të krishtërimit. Po a mjafton që ta mbajë një person të gjallë shpirtërisht, bërja e një kryqi afër ndërtesës së kishës? Apo lutja përpara një ikone në shtëpi?
Më kujtohet në Shqipëri sa herë shihja shoferë që përpara makinës mbanin librin e shenjtë të fesë së tyre, duke harruar që nuk ishte kartoni i librit ai që ju jepte atyre mbarësi, por fjalët brenda librit.
Justifikimi kryesore që kam dëgjuar këto 25 vjet si i krishterë mbi apatinë e individëve ndaj mësimeve të krishtera ishte që “Enveri i shkatërroi kishat e xhamiat dhe ne u rritëm pa Zot”.
Imagjino të shkosh në një vend ku nuk ka patur shkollë dhe justifikimi të mos ndërtohet shkolla e re, të jetë që për 40 vjet ky vend nuk ka patur shkollë dhe ne jemi rritur pa mësues.
Pas 91′ misionarë dhe misione të cdo kahu erdhën në Shqipëri: arabë, italianë, grekë dhe protestantë nga dhjetra kombe (anglezë, gjermanë, amerikanë, kanadezë, hollandezë, italianë, brazilianë, etj etj). Unë i përkas grupit të katërt dhe jam fryt i atyre misionarëve që punuan me mish e shpirt me njerëz që erdhën nga xhungla mendjeshplarë ish-komuniste.
Por mentaliteti anti-teist shikonte tek shumë misionarë vetëm një gjë: ndërhyrjen e vendeve nga vinin në punët e brendshme të Shqipërisë. Koncepti i spiunëve nuk kishte dalë ende nga mendja jonë. Kur unë u bëra predikues, numri i atyre që mbështetën vendimin tim ishte gati ZERO. (Krejt ndryshe kur këtë gjë merrnin vesh njerëzit në Kanada – kishin zakonisht respekt për njerëzit e kishës. Jo më kot jemi 2 shekuj diferencë në mentalitet). Me kalimin e viteve nuk ishin të paktë ata që e lidhnin punën time për kishën veç me një arësye: të japin rrogë të mirë. Mendja anti-teiste nuk shikonte dot përtej hundës së vet materialiste.
Si përfundim, dua të ftoj cdo lexues të konsiderojë të njohë Perëndinë përtej afreskeve të mureve të kishave dhe të lejojë që piktura më e bukur të gdhendet në shpirtin e vet. Atë nuk ka asnjë qeveri dhe asnjë barbarizëm që mund të fshijë.