“Jezusi u përgjigj: ‘Është shkruar: Njeriu nuk do të jetojë vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë.’” – Mateu 4:4
Ekziston një kurth i heshtur në të cilin mund të biem lehtësisht, veçanërisht ne që kemi emigruar në Amerikën e Veriut. Erdhëm këtu me ëndrra, me shpresa dhe me dëshirën për t’u siguruar familjeve tona një jetë më të mirë. Shumë prej nesh kemi lënë pas vështirësi ekonomike, pasiguri dhe mungesa. Prandaj, kur gjejmë mundësinë për të punuar, për të fituar më shumë dhe për të siguruar një jetë më të qëndrueshme, kjo bëhet një përparësi e natyrshme. Por pikërisht këtu fshihet edhe një rrezik shpirtëror: të fillojmë të jetojmë vetëm për bukën e përditshme, duke harruar Bukën e përjetshme. Jezusi i tha këto fjalë në shkretëtirë, pasi kishte agjëruar dyzet ditë dhe dyzet net. Ai ishte i uritur dhe Satani e tundoi që t’i kthente gurët në bukë. Nevoja ishte reale, uria ishte reale, por tundimi ishte që një nevojë e përkohshme të merrte vendin e bindjes ndaj Perëndisë. A nuk është kjo një nga tundimet tona më të zakonshme sot?

Kur buka bëhet qëllimi i jetës

Në Amerikën e Veriut, buka nuk është vetëm ushqimi në tryezë. Ajo mund të jetë shtëpia më e mirë, makina më e re, një punë më e paguar, një llogari bankare më e sigurt, pushimet më të bukura apo mundësia për t’u dhënë fëmijëve gjithçka që ne nuk e patëm. Asnjëra prej këtyre gjërave nuk është domosdoshmërisht e keqe. Është bekim të punosh, të kujdesesh për familjen dhe të jetosh me dinjitet. Problemi fillon kur bekimet e përkohshme bëhen qëllimi kryesor i jetës sonë. Fillojmë të krahasojmë veten me miqtë, fqinjët dhe kolegët tanë. Nëse ata kanë një shtëpi më të madhe, duam edhe ne një të tillë. Nëse punojnë dy turne, mendojmë se duhet të punojmë edhe ne. Nëse fëmijët e tyre kanë më shumë mundësi, ndiejmë se duhet t’u japim edhe fëmijëve tanë gjithçka që kanë të tjerët. Dhe kështu, pa e kuptuar, ajo që dikur ishte një nevojë për mbijetesë bëhet një garë e pafund për të pasur më shumë. A mos vallë po punojmë 99% të kohës për bukën që na duhet për një ditë dhe vetëm 1% për bukën që na ushqen përjetësisht? Mund të kemi orë të tëra për punë, takime, tregti, plane financiare dhe argëtim, por mezi gjejmë disa minuta për lutje, lexim të Biblës, adhurim dhe përkujdesje për shpirtin tonë. Mund të jemi shumë të shqetësuar që fëmijët tanë të kenë arsimimin më të mirë, një profesion të mirë dhe një të ardhme të sigurt, por sa kohë dhe përkushtim investojmë që ata të njohin Perëndinë dhe të ecin me Jezusin? Çfarë vlere ka t’u lëmë fëmijëve tanë një shtëpi të bukur, nëse nuk u kemi treguar rrugën drejt shtëpisë së përjetshme?

Buka e përditshme nuk mund të zëvendësojë Fjalën e Perëndisë

Jezusi nuk tha se buka nuk është e rëndësishme. Në lutjen që Ai na mësoi, ne lutemi: “Bukën tonë të përditshme na e jep sot.” Perëndia e njeh nevojën tonë për ushqim, punë, strehim dhe siguri. Ai nuk na thërret të jemi të papërgjegjshëm ndaj familjeve tona. Por Ai na kujton se njeriu ka një uri shumë më të thellë sesa ajo e stomakut. Kjo është uria e shpirtit, të cilën nuk mund ta shuajnë paratë, karriera, prona apo suksesi. Mund të kemi frigoriferin plot, por zemrën bosh. Mund të kemi një shtëpi të madhe, por të mos kemi paqe. Mund të kemi një pagë të mirë, por të mos kemi kohë për Perëndinë. Mund të arrijmë gjithçka që shoqëria e quan sukses, por të humbasim atë që ka vlerë përjetësore. Fjala e Perëndisë na ushqen, na udhëheq, na korrigjon dhe na kujton se kush jemi dhe për çfarë jemi krijuar.

Le të ndryshojmë përparësitë

Ndoshta nuk kemi nevojë të punojmë më shumë, por të jetojmë më me mençuri. Ndoshta nuk kemi nevojë për një angazhim tjetër, por për më shumë kohë me Perëndinë dhe me familjen tonë. Le të mos e masim suksesin vetëm me atë që kemi arritur të grumbullojmë, por edhe me atë që kemi ndërtuar në jetën tonë shpirtërore dhe në jetën e të tjerëve. Le të kemi kohë për Fjalën e Perëndisë, jo vetëm kur jemi në krizë, por çdo ditë. Le të mos e shtyjmë shërbimin, lutjen dhe adhurimin për një ditë kur do të kemi më pak punë, sepse ajo ditë mund të mos vijë kurrë. Le të kujtojmë se jemi këtu për një kohë të kufizuar. Gjithçka që blejmë, ndërtojmë dhe grumbullojmë do të mbetet një ditë pas nesh. Por ajo që mbjellim në Mbretërinë e Perëndisë ka vlerë të përjetshme. Një ditë do të largohemi nga kjo botë. Pyetja nuk do të jetë sa bukë kemi siguruar, sa orë kemi punuar apo sa pronë kemi fituar, por çfarë kemi bërë me jetën që Perëndia na ka dhënë. Prandaj, le të punojmë me ndershmëri, të kujdesemi për familjet tona dhe të jemi mirënjohës për bekimet që kemi. Por mbi të gjitha, le të mos lejojmë që buka e përditshme të na bëjë të harrojmë Bukën e Jetës.Mos jetojmë vetëm për atë që na mban gjallë sot, por edhe për Atë që na jep jetën e përjetshme. Lutje Zot Jezus, më fal kur kam lejuar që shqetësimet e kësaj bote, puna, paratë dhe dëshira për të pasur më shumë të zënë vendin Tënd në jetën time. Më ndihmo të jem i përgjegjshëm për familjen dhe punën time, por të mos harroj kurrë se shpirti im ka nevojë për Fjalën Tënde. Më jep urtësi të dalloj atë që është e nevojshme nga ajo që është thjesht dëshirë. Më ndihmo të mos e mas suksesin me standardet e kësaj bote, por me besnikërinë ndaj Teje. Bëj që familja ime të mos trashëgojë prej meje vetëm gjëra materiale, por mbi të gjitha një besim të gjallë në Ty. Në emrin e Jezusit. Amen.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Categories