Sovraniteti i Perëndisë është të ushtruarit e epërsisë së tij- (Ne folëm per Epërsinë e Perëndisë javën e kaluar) I ngritur pafundësisht mbi krijesën më të lartë, Ai është Shumë i Larti, zoti i qiellit dhe tokës. Ai nuk i nënshtrohet askujt, nuk ndikohet prej askujt dhe është absolutisht i pavarur. Ai bën atë që i pëlqen, vetëm atë që u pëlqen dhe gjithnjë atë që i pëlqen. Askush nuk mund ta pengojë atë. Ja çfarë shpall Fjala e Tij: “që shpall fundin që në fillim, dhe shumë kohë më parë gjërat që ende nuk janë bërë, duke thënë: “Plani im do të realizohet dhe do të bëj gjithçka më pëlqen” (Isaia 46:10); “Ai vepron si të dojë me ushtrinë e qiellit dhe me banorët e dheut. Askush nuk mund t’ia ndalë dorën” (Daniel 4:35). Sovraniteti i Perëndisë do të thotë që Perëndia është Perëndi, si në fakt, ashtu edhe në emër dhe që, nga Froni i universit, udhëheq gjithçka dhe vepron gjithçka “sipas këshillës së vullnetit të tij” (Efesianeve 1:11). Mateu 20:13-15Por ai duke u përgjigjur i tha njerit prej tyre: “Mik, unë nuk po të ha hakun; a nuk re në ujdi me mua për një denar? Merr atë që të takon ty dhe shko; por unë dua t’i jap këtij të fundit aq sa ty. A nuk më lejohet të bëj me timen ç’të dua? Apo bëhesh sylig, sepse unë jam i mirë?” Charles Spurgeon në predikimin e tij bazuar mbi këtë pasazh thotë: “Nuk ka atribut më ngushëllues për fëmijët e tij sesa ai i Sovranitetit të Perëndisë. Në rrethanat më të pavorshme, në provat më të vështira, ata besojnë se Sovraniteti ka paracaktuar pikëllimet e tyre, se Sovraniteti sundon mbi to dhe se Sovraniteti do t’i shenjtërojë ato. Nuk ka doktrinë tjetër për të cilën fëmijët duhet të luftojnë me zell, sesa doktrina e Zotit të tyre mbi tërë krijimin, e Mbretërimit të Perëndisë mbi të gjitha veprat e duarve të tij, e Fronit të Perëndisë dhe e të drejtës së tij për të sunduar në atë fron. Nga ana tjetër, nuk ka doktrinë që të urrehet më shumë nga njerëzit e botës, asnjë të vërtetë të cilën e kanë bërë top futbolli, sesa doktrina e famshme, e jashtëzakonshme, por mjaft e sigurtë e Sovranitetit të Jehovahut të pafund. Njerëzit pranojnë shumë gjëra për Perëndinë, përveç faktit që Ai sundon në fronin e tij. Ata e pranojnë që Ai modelon botën dhe krijon yje, që shpërndan bujarisht lëmoshat, që mban tokën dhe shtyllat e saj apo ndriçon dritat e qiellit, që sundon dallgët e detit që është gjithnjë në lëvizje, por kur Perëndia ngjitet në fron, krijesat e tij kërcëllijnë dhëmbët. Ne shpallim një Perëndi që sundon në fron, që ka të drejtë të bëjë atë që do me krijesat e tij, të bëjë me ta siç i duket më mirë, pa u konsultuar aspak me ta, prandaj dhe na fishkëllejnë e na urrejnë, e na e bëjnë veshin të shurdhër, sepse nuk duan Perëndinë që sundon në fron. Por pikërisht për Perëndinë që mbretëron duam të predikojmë, sepse atij i besojmë”. Cfarë ju fton të reflektoni ky pasazh? A bie ti dakort apo jo me Charles, dhe pse? “Zoti bën ç’të dojë në qiell dhe në tokë, në dete dhe në të gjitha humnerat” (Psalm 135:6). I tillë është Mbreti i Plotfuqishëm që na është zbuluar në Shkrimin e Shenjtë. I patejkalueshëm në madhështi, i pakufizuar në fuqi, i pandikuar fare nga çdo gjë që ndodhet jashtë vetes. Por ne jetojmë në një kohë kur edhe më “ortodoksët” kanë frikë ta pranojnë natyrën hyjnore të Perëndisë. Ata thonë se po të nxisësh idenë e sovranitetit të Perëndisë, përjashtohet përgjegjësia njerëzore, kur në fakt, përgjegjësia njerëzore bazohet në sovranitetin hyjnor dhe është produkt i tij. “Por Perëndia ynë është në qiejtë dhe bën tërë atë që i pëlqejnë” (Psalm 115:3). Ai zgjodhi si sovran që të vendoste çdo krijesë në pozitën që iu duk e përshtatshme. Ai krijoi engjëj, disa prej të cilëve i vuri në një pozitë të kushtëzuar, kurse disa të tjerëve u dha një rang të lartë e të pandryshueshëm (1 Tim. 5:21), por duke qenë nën Krishtin si kreu i tyre (Kolosianeve 2:10). Mos ta harrojmë se engjëjt që mëkatuan (2 Pjetri 2:5), ishin edhe ato krijesat e tij si engjëjt që nuk mëkatuan. Edhe Adamin, në kopshtin e Adamit, Perëndia e vendosi si sovran, në një pozitë të kushtëzuar. Po të kishte dashur, ai mund ta kishte vendosur në një pozitë të pakushtëzuar, në një rang aq të qëndrueshëm sa ai që gëzojnë engjëjt. Ai mund ta kishte vënë atë në një pozitë aq të qëndrueshme dhe të pandryshueshme, si ajo që gëzojnë shenjtorët në Krishtin. Por ai zgjodhi që ta vendoste në Eden, në bazë të përgjegjësisë së tij si krijesë, që ishte bindja ndaj Krijuesit. Adami ishte i përgjegjshëm ndaj Perëndisë në bazë të ligjit që i kishte dhënë Krijuesi i tij. Në këtë rast, kemi të bëjmë me një përgjegjësi të pacënuar, të provuar në kushtet më të favorshme. Perëndia nuk e vuri Adamin në një pozitë përgjegjësie të kushtëzuar prej krijese, për shkak se ishte e drejtë që ai të vihej në atë pozitë. Jo, ishte e drejtë sepse Perëndia e bëri këtë. Perëndia nuk i krijoi krijesat sepse ishte e drejtë që ta bënte këtë, sikur të ishte i detyruar t’i krijonte, por ishte e drejtë sepse ai e bëri këtë. Perëndia është sovran dhe vullneti i tij është suprem. Në vend që Perëndia të jetë nën ndonjë ligj të së “drejtës”, ai është një ligj në vetvete e prandaj çfarëdo që bën është e drejtë. Mjerë rebeli që e vë në pikëpyetje sovranitetin e tij: Mjerë ai që i kundërvihet atij që e ka formuar, një fragment enësh balte me fragmente të tjera të enëve prej balte. A do t’i thotë argjila atij që i jep formë: “Ç’po bën?” (Isaia 45:9). Zoti Perëndi e vendosi popullin e Izraelit në një pozitë të kushtëzuar. Kapitujt 19,20 dhe 24 te Eksodit e provojne qartë këtë. Ata u vunë në një besëlidhje punësh/veprash. Perëndia u dha disa ligje të caktuara dhe bekimet si komb do të vareshin për ta nga respektimi i dekreteve të tij. Por Israeli ishte qafëfortë dhe i parrethprerë në zemër. Ata rebeluan kundër Jehovahut, braktisën ligjin e tij, u kthyen te perënditë e rreme dhe rebeluan. Si pasojë, ata u gjykuan nga Perëndia, duke rënë në duart e armiqve dhe duke u shpërndarë në gjithë botën. Edhe sot ata janë nën zemërimin e fuqishëm të Perëndisë. Perëndia, duke ushtruar sovranitetin e tij të lartë, e vuri Satanin dhe engjëjt e tij, Adamin dhe Izraelin në pozitën e tyre përkatëse të përgjegjshme. Sovraniteti i tij nuk e heq përgjegjësinë nga krijesa, por përkundrazi duke e ushtruar atë, Perëndia i vuri ata në këtë pozitë të kushtëzuar, nën disa përgjegjësi të caktuara që atij iu dukën të përshtatshme dhe si meritë e këtij sovraniteti, ai shihet se është vërtet Perëndi mbi gjithçka. Ekziston një harmoni e përsosur midis sovranitetit të Perëndisë dhe përgjegjësisë së krijesës. Shumë persona kanë thënë pa mend se është e pamundur që të përcaktohet se ku përfundon sovraniteti hyjnor dhe ku fillon përgjegjësia e krijesës. Pikërisht këtu nis përgjegjësia e krijesës: në paracaktimin sovran të Krijuesit. Përsa i përket sovranitetit të tij, nuk ka patur dhe as nuk ka për të patur ndonjë “fund” ndaj tij! Le të japim disa prova të mëtejshme se përgjegjësia e krijesës bazohet në sovranitetin e Perëndisë. Sa shumë gjëra janë shkruar në Shkrim, të cilat kanë qenë të drejta, sepse Perëndia i ka dekretuar dhe nuk do të kishin qenë të drejta, po të mos i kishte dekretuar! Çfarë të drejte kishte Adami që të “hante” nga pemët e Kopshtit? Pa lejen e Krijuesit të tij (Zanafilla 2:16), ai do të kishte qenë një hajdut! Ç’të drejtë kishte Izraeli që t’u “merrte hua” egjiptasve sende të çmuara dhe rroba (Eksodi 12:35)? Asnjë të drejtë, po të mos e kishte autorizuar Perëndia (Eksodi 3:22). Ç’të drejtë kishte Izraeli që të therte të gjithë ato qengja për flijim? Asnjë, nëse Perëndia nuk do ta kishte urdhëruar. Ç’të drejtë kishte Izraeli të vriste tërë kanaanitët? Asnjë, nëse Jehovahu nuk do t’i kishte urdhëruar. Ç’të drejtë kemi ne sot te percaktojme detyrimet, nenshtrimet, llogaridheniet ne gjithe marredheniet tona -familje, punë, kishë, autoritetet? Asnjë, nëse Perëndia nuk e ka urdhëruar këtë. Dhe kështu mund të vazhdojmë. Përgjegjësia njerëzore bazohet në sovranitetin hyjnor. Ja një shembull tjetër i ushtrimit të sovranitetit absolut të Perëndisë. Perëndia i vendosi të zgjedhurit e tij në një pozitë të ndryshme nga ajo e Adamit apo Izraelit. Ai i vendosi të zgjedhurit e tij në një pozitë të pakushtëzuar. Në Besëlidhjen e Përjetshme, Jezu Krishti u caktua Kreu i tyre, mori përgjegjësinë e tyre mbi vete dhe përmbushi një drejtësi të përsosur, të paanulueshme dhe të përjetshme. Krishti u vendos në një pozitë të kushtëzuar, sepse iu “nënshtrua ligjit, që të shpengojë ata që ishin nën ligj”, por vetëm se ka një ndryshim të pafund: që të tjerët kanë dështuar, kurse ai jo dhe nuk mund të dështojë. Kush e vuri Krishtin në atë pozitë të kushtëzuar? Perëndia Trini. Ishte vullneti sovran që e caktoi atë, dashuria sovrane që e dërgoi dhe autoriteti sovran që i caktoi atë që duhet të bënte. Disa kushte të caktuara u vunë mbi Ndërmjetësin. Ai duhet të bëhej i ngjashëm me mishin mëkatar; ai duhet të lartësonte ligjin dhe ta nderonte; duhet të mbante të gjitha mëkatet e të Tijëve në trupin e vet, mbi një pemë; ai do të kryente shlyerjen e plotë të mëkateve; duhet të duronte zemërimin e Perëndisë; duhet të vdiste e të varrosej. Nëse do të përmbushte këto kushte, iu premtua një shpërblim: Isaia 53:10-12. “Por i pëlqeu Zotit ta rrihte dhe ta bënte të vuante. Duke ofruar jetën e tij si flijim për mëkatin, ai do të shikojë pasardhës, do të zgjasë ditët e tij, dhe vullneti i Zotit do të ketë mbarësi në duart e tij. Ai do të shikojë frytin e mundimit të shpirtit të tij dhe do të jetë i kënaqur; me anë të diturisë së tij, i drejti, shërbëtori im, do të bëjë të drejtë shumë veta, sepse do të marrë përsipër paudhësitë e tyre. Prandaj do t’i jap pjesën e tij midis të mëdhenjve, dhe ai do ta ndajë plaçkën me të fuqishmit, sepse e ka përkushtuar jetën e tij deri në vdekje dhe u përfshi midis keqbërësve; ai ka mbajtur mëkatin e shumë vetave dhe ka ndërhyrë në favor të shkelësve”. Ai do të ishte i Parëlinduri në mes të shumë vëllezërve; ai do të kishte një popull, që do të merrte pjesë në lavdinë e tij. I bekuar qoftë emri i Tij përjetë, sepse Krishti i përmbushi këto kushte dhe si rrjedhim, Ati është i lidhur me betim solem, që të ruajë përmes kohës dhe të bekojë përmes përjetësisë secilin prej atyre për të cilin Biri i tij i mishëruar ndërmjetësoi. Duke qenë se ai zuri vendin e tyre, tani ata kanë pjesë me të. Drejtësia e Tij është e tyre, pozita e tij para Perëndisë është e tyre dhe jeta e tij është e tyre. Ata nuk kanë asnjë kusht të vetëm për të përmbushur, asnjë përgjegjësi për të kryer që të fitojnë harenë e përjetshme. “Sepse, me një ofertë të vetme, ai i bëri të përsosur për gjithnjë ata që shenjtërohen” (Hebrenjve 10:14). Ky eshte sovraniteti i Perëndisë i zbuluar para të gjithëve, zbuluar në mënyrat e ndryshme me të cilat Perendia i trajton krijesat. Një pjesë e engjëjve, Adami dhe Izraeli u vendosën mbi një pozitë të kushtëzuar, me bindjen e tyre dhe besnikërinë ndaj Perëndisë, si kusht për vazhdimësinë e bekimeve. Por në dallim të theksuar me ta, “tufës së vogël” (Luka 12:32) i është dhënë një pozitë të pakushtëzuar e të pandryshueshme në besëlidhjen e Perëndisë, këshillat e Perëndisë dhe Birin e Perëndisë. Bekimi i tyre kushtëzohet nga vepra e Krishtit për ta. “Themeli i fortë i Perëndisë qëndron i patundur, dhe ka këtë vulë: “Zoti i njeh të vetët” (2 Timoteu 2:19). Themeli mbi të cilin qëndrojnë të zgjedhurit e Perëndisë është i përsosur e asgjë nuk mund t’i shtohet e as nuk mund t’i hiqet atij (Predikuesi 3:14). Ky eshte zbulimi më i lartë dhe madhështor i sovranitetit absolute të Perëndisë. Me të vërtetë ai “ka mëshirë për atë që do dhe e ngurtëson atë që do” (Romakeve 9:18).

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Categories