Ky artikull eshte shkruar nga nje miku im Prof. Dr. Musa Ahmeti i cili sebashku me gruan Etleven jetojne prej vitesh ne Budapest. Jane te dy specialiste te studimeve mesjetare. Artikulli i meposhtem eshte botuar separi ne Gazeten Dielli. Po e rivendos ketu sepse ka informacion me vlere dhe nje perjetim i vecante.

Budapesti është një nga metropolet më të bukura të Europës. Është shumë i veçantë me arkitekturën perandorake mesjetare dhe atë bashkëkohore, me një popullsi të civilizuar me kulturë të lartë dhe shumë miqsore, e cila shquhet për traditën e solidaritetit dhe respektimin rigoroz të ligjit. Qyteti frymon lirshëm me Danubin që e ndan përmes, me urat e bukura që lidhin dy brigjet, dy jetët, të lashtën me bashkëkohoren.Nuk e kishim menduar ndonjëherë që këtë qytet me një mori turistësh, me një gumëzhimë e lëvizje njëzet-e-katër-orëshe ta shikonim të boshatisur: pa lëvizje, pa njerëz, pa turistë, pa studentë e nxënës, pa qytetarë e mysafirë nga të katër anët e botës. Edhe kjo ndodhi! Ndodhi atëherë kur më së paku pritej. Lajmet për përhapjen e një Pandemie në shkallë botërore, në Hungari, në përgjithësi, dhe në Budapest, në veçanti, u pritën me dyshime derisa “kurba” filloi të pushtojë qytete e shtete. Qeveria hungareze mori masa të menjëhershme. Filloi aplikimi i lëvizjeve të kufizuara, gjë e pamenduar ndonjëherë, kujdesi i shtuar dhe përfundimisht mbyllja. Qyteti nuk frymonte më me gjallërinë e mëparshme. Rrugët e bukura, që shkëlqejnë nga pastërtia mbetën bosh! Nuk kishte as edhe një njeri të vetëm, përveçpolicisë. Banorët e Budapestit, filluan të zbatojnë me përpikmëri dhe korrektësi tërë udhëzimet qeveritare. Mbyllja në apartamente, shtëpi e vende të tjera u menduan se do ishin për një kohë të shkurtër, të përkohshme. Nxënës e studentë, punëtorë e bujqër, turistë, mysafirë etj, u mbyllën me një qetësi të admirueshme duke u kujdesur për shëndetin e tyre fillimisht dhe të tjerëve pastaj.

SHQIPTARËT NË BUDAPEST

Ne, një familje shqiptare, e ndodhur mu në zemër të Budapestit (në sheshin e Bazilikës), e përjetuam boshllëkun e pamenduar ndonjëherë, mjaft rëndë. Të mësuar me lëvizje të shumta, me punë në shkollë, universitet dhe angazhime të tjera ditore publike e zyrtare, u ndodhëm të befasuar. Komunikimi me shqiptarët që jetojnë në Budapest e Hungari, ishte vetëm me celularë! (Në Hungari jetojnë rreth tri mijë shqiptarë. Pjesa dërmuese janë bukëpjekës nga Kosova, disa familje nga Shqipëria, një numër i vogël nga Maqendonia dhe Lugina e Preshevës. Në këtë numër nuk janë llogaritur edhe rreth 350 studentë nga trojet shqiptare në të gjitha nivelet e studimeve të cilët janë krenaria jonë). Nga dita e parë e deri me sot, për fat të mirë, sipas informatave që ne kemi, nuk kemi asnjë të infektuar, e as të vdekur në komunitetin shqiptar në Hungari.Nga dritarja e apartamentit shikonim (duke filluar që nga 11 marsi) ardhjen e pranverës! Lulet e gjethet që zbukuronin rrugët dhe Sheshin e Lirisë që e kemi afër. Kjo ishte pakuptueshme për ne, si lulet, gjethet, bari dhe aromat e mrekullueshme pranverore të mos i shijonim dot. Ti shikonim, por mos t’i preknim, mos t’i ndjenim? Fëmijët filluan mësimin në platformën shkollore “Online”  ashtu si edhe Etleva.  Ne, me Etlevën, për të “vrarë kohën” iu kthyem mesjetës. Kjo sikur na bënte të shikojmë Budapestin nga një prespektivë tjetër, të rëndë, të zymtë dhe shumë krenar.

Nuk po kontrollonim kohën, nuk po pajtoheshim me mbylljen brenda apartamentit, por duke parë të tjerët, fqinjët, kolegët, mjekët… policët, e mbanim veten, me shpresë se neser do kemi një “lajm të mirë” që kjo “ëndërr e keqe dhe e papritur” iku. Ditët po iknin njëra pas tjerës, filluan numërimet e të infektuarve, të të shëruarve dhe të vdekurve! (Gjej rastin të shënoj informacionet zyrtate për Hungarinë rreth Pandemisë COVID 19: në karantinë: 8.805 persona, të infektuar: 4.027; të shëruar: 2355 dhe të vdekur: 551). Edhepse vetëm 250 metra larg Universitetit, apo 375 metra larg Danubit, ne filluam të lëshonim imagjinatën tonë, se si ishin apo dukeshin ato… dhe të tjerat, sheshet, rrugët, klubet, parqet, shkollat, këndet e lojërave, palestrat e shumta sportive, llixhat e mrekullueshme me ujin e tyre kurues, metrotë, dyqanet, restorantet… Na dukej sikur nuk kishim qenë ndonjëherë…

LIRIA PAS MBYLLJES

Dhe pas 64 ditësh mbyllje (më duket fjalë e rëndë izolim total) filluam të frymonim! Dalja e parë, ishte e çuditshme! Nuk po mësoheshim me dritën e fortë të diellit, me ajrin që të përkëdhelte me dashuri, sikur dëshironte të largonte tërë ato ditë zymtësi apartamenti. Çuditërisht, bashkëqytetarët ishin tërë me maska, me doreza, me syze (një modë e re do thoshte Hana)… uleshin në distancë, mbanin radhë kudo dhe kishin fituar një durim të pabesueshëm… Kjo na bëri shumë përshtypje. Kishim afër furrtarët hasjanë, miq e shokë të Argit. Na kishte marrë malli për ta, për Kamerin, Dinin e vëllëzërit e tjerë, të cilët gatuanin sipas porosisë për ne dhe të tjerët. Ishin të palodhshëm, të dashur dhe shumë korrektë.

Pamë Danubin nga Ura e Luanëve. Ishte i qetë. Nuk kishte as edhe një anije, varkë apo motoskaf! Nuk e kishim parë asnjëherë më parë të tillë… Buzë tij, qëndronte hijerëndë “Ura e Luanëve,” “Akademia Hungareze” dhe “Kisha e Shën Anës” të ndërtuara nga filantropë e biznesmenë shqiptarë, dy të parat nga familja e mirënjohur Sina dhe e treta (kisha e Shën Anës nga prifti shqiptar Gjergj Vladani). Rrugës, edhepse ishin hequr masat e ndalimit të lëvizjeve, nuk kishte lëvizje, turistë, qytetarë…. Jo vetëm në rrugë e kudo përreth, por edhe në shpirt ndjehemi bosh tha Ina me humorin e saj të hollë.

OPTIMIZËM: UNË JAM RRUGA, E VËRTETA E JETA

U ndalëm para Bazilikës, nga ku shihnim dritaret e apartamentit tonë, duke shikuar mbishkrimin ballor: “Ego sum via veritas et vita. /Unë jam rruga, e vërteta e jeta“ e ndjemë se sa të afërt kishim qenë me Zotin. Tërë kohës, me përkushtim e dëshirë kishim lexuar librat e shenjtë të kohës, por edhe të mesjetës. Dokumentet, dorëshkrimet, inkunabulat, librat antikuarë, të cilët mbushin raftet e bibliotekës sonë. Lexuam edhe mënxyra nga e kaluara që më parë, na dukeshin si përralla. Tani që i përjetuam vetë, besimi në Zotin, në të vërtetën, në shpirtin e shenjtë u bë diçka e kapshme, e afërt dhe e dashur thënë më mirë e pandashme në jetën tonë të mbetur për ta jetuar.Gjatë tërë kohës, prej më shumë se dy muaj (saktë 64 ditë), frika e vdekjes ishte e pranishme te shumica e atyre me të cilët bisedonim. Një frikë nga ajo që nuk kemi qenë të mirë, nuk kemi bërë vepra të mira, nuk kemi respektuar dhe nderuar tjetrin sa duhet, nuk kemi besuar sa duhet në Zotin, po na gërryente nga brenda. Qetësia e vetme ishin librat e shenjtë.

BASHKË GJITHNJË E MË TË FORTË

Jeta, dëshira për të jetuar, u bë një nga qëllimet parësore, duke bërë çfarëdo që na jepte rasti për të mundur të keqen. Solidarizimi, bashkëpunimi, adhurimi u bënë gjëra të përditshme. Ne filluam të kuptojmë dhe shikojmë botën me një sy tjetër. Kjo gjë, sot na bën të ndjehemi, shumë më të përgjegjshëm për besimin, për Zotin, për të vërteten, duke ndjerë se bashkarisht mund të ngadhnjejmë mbi të keqen. I gëzohem qëndrimit të mrekullueshëm të Inës, Argit e Hanës, të cilët me sjellje shembullore na ndihmuan të përballoljmë më lehtë çdo gjë, dhembje, mërzi, dashuri, pritshmëri…

Sot, shikon më pak lëvizje se një vit më parë; shikon bashkëqytetarë që me durim presin radhën në dyqan, në klub, në metro, në bus… kudo:një ves ky i ri i sjelljes së njerëzve i imponuar nga e keqja, që po duket se po bëhet përditshëri.Nga këtu ne ndjekim zhvillimet në Shqipëri e Kosovë e gjetiu. U gëzuam kur morëm informacion se me datën 15 qershor mund të udhëtohet me avion në Tiranë e Prishtinë. Ndjejmë mall, për familjarët, të dashurit tanë, kolegët e punës, stafin, gjuhën… për çdo gjë.

Jeta ka filluar t’i kthehet normalitetit, ngadalë, por me hapa të sigurtë. Rrugët, sheshet, klubet, bibliotekat, arkivat, universitetet, shkollat, muzetë, llixhat… kanë filluar të hapën ose po bëhen gati të hapen.Sjellja e bashkëqytetarëve budapestas është e mrekullueshme! Kemi ndryshuar të gjithë. Ndjejmë përgjegjësi për tjetrin, kuptojmë më mirë hallexhiun, respektojmë më shumë veten dhe ligjin… të gjitha këto, për hir të një të ardhmeje të bukur, të ndritshtme, për hir të jetës!

Share
Share

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Categories