Puna e përditshme si shërbim ndaj Perëndisë
Ne u krijuam për të punuar
Puna nuk ishte pasojë e mëkatit. Që në fillim, Perëndia i dha njeriut një detyrë: “Zoti Perëndi e mori njeriun dhe e vuri në kopshtin e Edenit, që ta punonte dhe ta ruante.” Zanafilla 2:15 Kjo është një e vërtetë e rëndësishme. Puna ishte pjesë e planit të mirë të Perëndisë para Rënies. Mëkati nuk e krijoi punën; ai e prishi punën. Pas Rënies, puna u bë e mundimshme, e lodhshme dhe shpesh zhgënjyese. Megjithatë, vetë puna mbeti pjesë e thirrjes së Perëndisë për njeriun. Prandaj, kur një i krishterë shkon në zyrë, në fabrikë, në shkollë, në një kantier ndërtimi, në një dyqan, në një spital apo punon nga shtëpia, ai nuk po largohet nga jeta e tij shpirtërore. Ai po jeton një pjesë të thirrjes së tij para Perëndisë.Puna “laike” mund të jetë shërbim shpirtëror
Shpesh mendojmë se shërbim ndaj Perëndisë është vetëm ajo që bëjmë brenda kishës: të predikojmë, të këndojmë, të drejtojmë një grup, të bëjmë ungjillizim ose të shërbejmë në një aktivitet. Por Shkrimi na jep një perspektivë shumë më të gjerë. Pali u shkruan skllevërve dhe punëtorëve: “Çfarëdo që të bëni, punojeni me gjithë shpirt, si për Zotin dhe jo për njerëzit.” Kolosianëve 3:23 Vini re: “çfarëdo që të bëni.” Jo vetëm predikimin. Jo vetëm lutjen. Jo vetëm aktivitetin e kishës. Çfarëdo që të bëni. Kjo do të thotë se puna jonë e përditshme mund të bëhet një akt adhurimi kur e bëjmë me ndershmëri, përgjegjësi, përkushtim dhe me vetëdijen se po i shërbejmë Zotit. Punonjësi i krishterë nuk duhet të ketë dy standarde: një në kishë dhe një tjetër në vendin e punës. Karakteri ynë në punë është pjesë e dëshmisë sonë për Krishtin.Puna jonë është edhe dëshmi
Një nga mënyrat më të fuqishme për të dëshmuar për Krishtin është mënyra se si punojmë. Titit 2:10 flet për një jetë që “zbukuron mësimin e Perëndisë, në çdo gjë”. Njerëzit që punojnë me ne mund të mos vijnë menjëherë në në takime kishe për të dëgjuar një predikim. Por ata na shohin çdo ditë. Ata shohin nëse jemi të ndershëm. Shikojnë nëse i mbajmë premtimet. Shikojnë si reagojmë kur trajtohemi padrejtësisht. Shikojnë nëse punojmë vetëm kur na kontrollon shefi. Shikojnë nëse përfitojmë nga të tjerët. Shikojnë nëse ankohemi vazhdimisht. Dhe shikojnë nëse besimi ynë në Krishtin ka ndonjë ndikim real në karakterin tonë. Puna e bërë mirë mund të bëhet një platformë për ungjillin.Perëndia e sheh punën që bëjmë
Në një vend pune mund të ketë një shef që nuk e vëren përkushtimin tonë. Mund të kemi një menaxher që nuk e vlerëson punën tonë. Mund të punojmë shumë dhe të mos marrim menjëherë shpërblimin që mendojmë se meritojmë. Por besimtari punon me “sytë lart”. Pse? Sepse e di se ka një Zot qiellor që sheh. Shpërblimi i Perëndisë është më i madh se paga që marrim në fund të muajit. Paga është e rëndësishme dhe puna duhet të shpërblehet me drejtësi, por vlera e punës sonë nuk përcaktohet vetëm nga shuma në çekun e pagës. Puna po formon edhe personin që po bëhemi. Dikush ka thene: “Shpërblimi më i madh i punës së njeriut nuk është ajo që merr prej saj, por ajo që bëhet përmes saj.” Kjo sjell një pyetje e fuqishme për çdo të krishterë: Çfarë lloj njeriu po më transformon puna ime? A po më bën më të ndershëm? Më të durueshëm? Më të përgjegjshëm? Më bujar? Më të përulur? Apo më lakmitar, më egoist dhe më të fiksuar pas parasë?Puna nuk duhet të bëhet idhull
Puna është e mirë. Por edhe gjërat e mira mund të bëhen idhuj. Një njeri mund të fillojë të jetojë vetëm për karrierën, pagën, pozitën, suksesin dhe pasurinë. Në atë moment puna nuk është më thjesht një mjet për të përmbushur përgjegjësitë tona; ajo bëhet një zot i vogël. Prandaj Bibla na mëson edhe për pushimin. Perëndia nuk na krijoi si makina. Edhe vetë ritmi i krijimit na mëson për punën dhe pushimin. Ne kemi nevojë për gjumë, ushqim, familje, marrëdhënie, adhurim dhe kohë për të pushuar. Ndonjëherë edhe pamundësia për të pushuar është shenjë se kemi harruar se kush është në të vërtetë Zoti. Bota nuk mbahet mbi shpatullat tona apo sic me kane thene kur kam qene besimtar i ri “ti nuk je Shpetimtari”. Ne punojmë me besnikëri, por Perëndia është ai që sundon dhe kujdeset për gjithçka.Puna dhe bujaria
Puna nuk është vetëm për të fituar para për veten. Pali, duke kujtuar shembullin e tij, thotë: “Në çdo gjë ju tregova se duke u munduar kështu duhet të ndihmoni të dobëtit dhe të mbani mend fjalët e Zotit Jezus, që tha: ‘Ka më shumë lumturi të japësh sesa të marrësh.’” Veprat 20:35 Kjo ndryshon mënyrën se si e shohim pagën. Ne punojmë për të siguruar nevojat tona dhe të familjes, por Perëndia gjithashtu na jep mundësinë që përmes punës sonë të ndihmojmë të tjerët. Paga jonë mund të ushqejë një familje. Mund të ndihmojë një të varfër. Mund të mbështesë një misionar. Mund të kontribuojë në punën e kishës. Mund të ndihmojë një person në nevojë. Prandaj pyetja nuk është vetëm: “Sa mund të fitoj?” Por edhe: “Si dëshiron Perëndia që ta përdor atë që fitoj?”Jezusi dhe puna
Vetë Jezusi na jep një shembull të jashtëzakonshëm. Para se të vinte në botë si njeri, Ai ishte Krijuesi. Kur erdhi në tokë, Ai jetoi për shumë vite si një punëtor, i njohur si marangoz. Kjo na kujton se puna e zakonshme nuk është diçka e padenjë për një ndjekës të Krishtit. Jezusi nuk e kaloi gjithë jetën tokësore duke predikuar në mënyrë publike. Ai kaloi shumë vite në heshtje, duke jetuar dhe punuar në një komunitet të zakonshëm. Kjo duhet të na ndryshojë mënyrën se si e shohim jetën tonë të zakonshme. Vitet që kalojmë duke punuar nuk janë vite të humbura nga perspektiva e Perëndisë. Edhe puna e zakonshme mund të jetë pjesë e një jete të jashtëzakonshme të jetuar për Krishtin.Edhe rritja e fëmijëve është punë me vlerë
Në një shoqëri që shpesh e mat vlerën me pagën, pozitën dhe titullin profesional, duhet të kujtojmë se jo çdo punë e rëndësishme paguhet me para.Rritja e fëmijëve, kujdesi për familjen, edukimi, përgatitja e ushqimit, organizimi i shtëpisë dhe kujdesi për njerëzit janë përgjegjësi me një vlerë të madhe.Shkrimi i Shenjtë nuk e mat vlerën e punës vetëm me një rrogë.Një nënë apo baba që kujdeset për fëmijët po kryen një detyrë me rëndësi të përjetshme. Fëmijët nuk janë thjesht një përgjegjësi; ata janë njerëz që Perëndia ia ka besuar familjes për t’i rritur, dashur dhe drejtuar.Po pensioni?
Edhe pensioni nuk duhet parë thjesht si fundi i dobisë sonë. Kur mbaron një karrierë, nuk mbaron thirrja për të qenë i dobishëm për Perëndinë. Mund të ndryshojë lloji i punës, por jo domosdoshmërisht qëllimi i jetës. Mosha më e madhe mund të sjellë mundësi të reja për mentorim, lutje, këshillim, kujdes për familjen, shërbim ndaj kishës dhe ndihmë ndaj brezit të ri. Nuk dalim në pension nga mbretëria e Perëndisë.Puna nuk përfundon me këtë jetë
Një nga të vërtetat më inkurajuese të Shkrimit është se puna jonë nuk përfundon përgjithmonë me vdekjen. Në Zbulesën 22:3 lexojmë: “Shërbëtorët e tij do t’i shërbejnë.” Në praninë e Perëndisë do të vazhdojmë t’i shërbejmë Atij. Në mbretërinë e Krishtit puna nuk do të jetë më e shoqëruar nga mallkimi, kotësia, lodhja dhe padrejtësia që njohim sot. Puna do të jetë e çliruar nga pasojat e mëkatit.Puno për Zotin
Ndoshta duhet ta shohim ndryshe javën tonë. Kur të hënën në mëngjes ngrihemi për të shkuar në punë, nuk po largohemi nga “shërbesa e krishterë” për të hyrë në jetën “normale”. Po vazhdojmë t’i shërbejmë Perëndisë në një fushë tjetër. Kur punojmë me ndershmëri, po e nderojmë Atë. Kur i shërbejmë klientit me respekt, po e nderojmë Atë. Kur kujdesemi për familjen, po e nderojmë Atë. Kur refuzojmë mashtrimin, po e nderojmë Atë. Kur punojmë edhe kur askush nuk na sheh, po e nderojmë Atë. Kur përdorim të ardhurat tona për të ndihmuar dikë në nevojë, po e nderojmë Atë. Kur dimë të ndalojmë dhe të pushojmë, po pranojmë se Ai është Zoti dhe ne nuk jemi. Prandaj, pyetja nuk është vetëm: “Çfarë pune bëj?” Pyetja më e rëndësishme është: “Për kë po punoj?” Nëse përgjigjja është “për Zotin”, atëherë edhe puna më e zakonshme mund të marrë një kuptim të përjetshëm. Sepse për një të krishterë, puna e përditshme nuk është e ndarë nga besimi. Puna jonë është një nga vendet ku besimi ynë bëhet i dukshëm. Dhe lutja jonë mund të jetë: “Zot, më ndihmo që mënyra se si punoj të zbukurojë doktrinën e Krishtit, të bekojë njerëzit rreth meje dhe të të sjellë lavdi Ty.”Besimi që refuzon të tërhiqet
Çfarë na fton të mendojmë kjo histori?
1. Realiteti i pushtimit nga demonët.
Teksti e thotë qartë: vajza ishte “demonizuar keqas”. Bibla nuk e trajton këtë si metaforë, por si një realitet frymor. Në kohën e Jezusit kishte njerëz që ishin nën ndikim të drejtpërdrejtë të demonëve, dhe Jezusi i çlironte ata. Pyetja që lind për ne sot është: si mund të dallojmë kur një problem është thjesht njerëzor (psikologjik, emocional, fizik) dhe kur ka edhe një dimension frymor? Kjo kërkon urtësi, njohje të Shkrimit dhe shumë kujdes. Jo çdo problem është demonik, por Bibla na kujton se bota frymore ekziston dhe nuk duhet injoruar.
2. Kërkesa e dëshpëruar e gruas që nuk u dorëzua.
Kjo grua ishte e dëshpëruar për vajzën e saj. Ajo thërriste, lutej dhe kërkonte mëshirë. Edhe kur u përball me heshtjen e Jezusit dhe me refuzime të njëpasnjëshme, ajo nuk u tërhoq. Besimi i saj nuk ishte një kërkesë e lehtë; ishte një këmbëngulje që vinte nga dashuria për vajzën e saj dhe nga bindja se Jezusi ishte shpresa e vetme.
3. Reagimi i dishepujve.
Dishepujt, si në shumë raste të tjera në Ungjij, nuk tregojnë dhembshurinë e Jezusit. Ata i kërkojnë Jezusit ta largojë gruan, sepse ajo po bërtiste pas tyre. Shqetësimi i tyre kryesor nuk ishte vuajtja e gruas apo e vajzës së saj, por bezdisja që po ndjenin. Sa shpesh edhe ne mund të reagojmë kështu: më shumë të shqetësuar për qetësinë tonë sesa për nevojën e dikujt tjetër.
4. Pse Jezusi duket sikur e refuzon disa herë?
Në pamje të parë, duket sikur Jezusi po e sorrollat këtë grua. Ai hesht, pastaj thotë se është dërguar vetëm te Izraeli, dhe më pas përdor një krahasim të ashpër. Por në të vërtetë Jezusi nuk i thotë asnjëherë një “JO” përfundimtare. Ai e fut në një dialog, duke e shtyrë që të shprehë hapur besimin e saj. Përmes kësaj bisede, besimi i gruas del në pah në mënyrë të jashtëzakonshme. Kjo duhet të na bëjë të reflektojmë më thellë kur shohim nevojat e njerëzve përreth nesh: ndonjëherë procesi është më i thellë sesa duket në sipërfaqe.
5. “I madh është besimi yt.”
Jezusi e shpall publikisht madhështinë e besimit të saj. A e tha këtë për gruan apo për dishepujt? Ai vetë e dinte tashmë sa besim kishte ajo. Ndoshta kjo ishte edhe një mësim për dishepujt që po e shikonin gjithë këtë skenë: një grua jo-izraelite po tregonte një besim që ata vetë shpesh nuk e kishin.
6. Shërimi i menjëhershëm.
Teksti përfundon me një fjali të fuqishme: vajza u shërua në atë moment. Kur Jezusi jep fjalën e Tij dhe vendos diçka, pengesat nuk kanë më fuqi të qëndrojnë. Autoriteti i Tij është i menjëhershëm dhe i plotë.
Mendoni për këto gjëra — dhe Krishti ju ndriçoftë.
Zhvillimi i një vizioni për dishepullizim gjithperfshires në kishë
Si ta ndihmojmë kishën të jetojë besimin nga e hëna deri të shtunën
Shumë barinj dhe udhëheqës kishtarë sot po përballen me një pyetje thelbësore: Si t’i ndihmojmë besimtarët ta lidhin besimin e tyre me punën, profesionin dhe jetën e përditshme? Për shumë kisha, kjo rrugë nuk është e lehtë. Ajo është e mbushur me pasiguri, prova e gabime, por edhe me shpërblime të mëdha shpirtërore. Projekti Imagine Church i Institutit Londinez për Krishterimin Bashkëkohor (LICC) sugjeron një qasje praktike me disa hapa për të sjellë ndryshim kulturor në kishë – një ndryshim që synon dishepullizimin e gjithë jetës, jo vetëm të jetës kishtare.
1. Ndërtoni një vizion për dishepullizim të gjithë jetës
James Collins, autor i librit Built to Last, thekson se organizatat e qëndrueshme kanë vlera themelore dhe një qëllim të qartë. Strategjitë mund të ndryshojnë me kohën, por vizioni mbetet.
E njëjta gjë vlen edhe për kishën. Nëse duam t’i pajisim besimtarët të ndjekin Krishtin në çdo fushë të jetës – përfshirë punën – nevojitet një vizion i qartë dhe i artikuluar mirë.
Teologu Miroslav Volf e përshkruan bukur këtë vizion: “Ne kemi nevojë të ndërtojmë dhe të forcojmë komunitete të pjekura me vizion dhe karakter, që e festojnë besimin si mënyrë jetese kur mblidhen për adhurim para Perëndisë dhe që, të dërguar nga Perëndia, e jetojnë atë ndërsa shpërndahen për të kryer detyra të ndryshme në botë.”
Kisha që mblidhet të dielën është ajo që pajis kishën e shpërndarë për çdo ditë tjetër të javës.
2. Fokusohuni te “frontet” e përditshme të jetës
Vendet ku njerëzit kalojnë shumicën e kohës jashtë kishës – puna, shkolla, shtëpia, shoqëria – janë fusha reale misioni.
Çdo kishë ka kontekstin e saj. Edhe pse shërbesat misionare jashtë kontekstit tonë kulturor kanë vlerë, fushat ku besimtarët tanë tashmë jetojnë dhe punojnë janë fushat e tyre misionare. Shpesh është më e lehtë të flasim për Krishtin në një udhëtim misionar sesa në një ambient të zakonshëm, ndoshta sekular, ku na njohin prej vitesh.
Këtu bashkohen vizioni i kishës me thirrjen biblike të udhëheqësve, siç na kujton Efesianëve 4:11–12: “Ai dha disa si apostuj, disa si profetë, disa si ungjilltarë, disa si barinj dhe mësues, për të pajisur shenjtorët për veprën e shërbesës, për ndërtimin e trupit të Krishtit.”
Disa barinj e kanë të vështirë këtë, veçanërisht ata që kanë kaluar pjesën më të madhe të jetës së tyre brenda strukturave kishtare. Por shumë prej tyre kanë mësuar duke hyrë në botën e besimtarëve të tyre.
Pastori baptist britanik David Coffey tregon se gjatë shërbesës së tij vizitonte rregullisht anëtarët e kishës në vendin e punës: në gjykata, spitale, ferma, fabrika, zyra, kazermë ushtarake, shtëpi familjare dhe madje në burgje. Qëllimi i tij nuk ishte thjesht të shihte çfarë bënin, por t’i inkurajonte dhe t’i dishepullizonte pikërisht aty ku Perëndia i kishte thirrur të punonin.
Çdo kishë duhet të identifikojë realitetin e punës së njerëzve të saj: profesionistë, menaxherë, punëtorë krahu, teknikë, mësues, shërbyes publikë apo punëtorë shërbimi. Dallojnë shumë edhe kushtet: statusi, paga, siguria, fuqia apo mungesa e tyre.
3. Ndërtoni një ekip bërthamë
Ndryshimi kulturor nuk ndodh vetëm nga një person. Një ekip bërthamë – njerëz të angazhuar dhe të bindur – është thelbësor. Ky ekip komunikon vizionin, mbështet nismat, teston ide të reja dhe inkurajon njëri-tjetrin kur rruga bëhet e vështirë. Ashtu si në çdo mision të madh, një ekip i tillë është i pazëvendësueshëm.
4. Bëni ndryshime të vogla, por të qëndrueshme
Ndryshimi i kulturës së kishës rrallë ndodh përmes revolucioneve të mëdha. Ai ndodh përmes lëvizjeve të vogla, por të qëllimshme, që përforcojnë njëra-tjetrën.
Thirrja e besimtarëve në punën e tyre mund të afirmohet përmes:
- predikimit,
- lutjes publike,
- ilustrimeve vizuale,
- grupeve të vogla,
- bekimeve në fund te takimit,
- programeve praktike, konferencave apo shërbesave të dërgimit.
5. Ndani dhe festoni historitë
Historitë kanë fuqi. Ato tregojnë se Perëndia është në veprim. Kur një kishë fillon të flasë për Perëndinë që vepron në punë, në zyrë, në shkollë apo në shtëpi, njerëzit fillojnë të ndihen të parë dhe të vlerësuar. Pastori Tom Nelson tregon se, kur kisha e tij filloi ta lidhte adhurimin e së dielës me punën e së hënës, njerëzit i thoshin: “Gjithmonë jam ndjerë si qytetar i dorës së dytë” ose “Faleminderit që na the se puna jonë ka vlerë para Perëndisë.”
6. Rishikoni “kontratën” e kishës
Për disa kisha, integrimi i besimit dhe punës kërkon një ndryshim thelbësor të mënyrës se si e shohin kishën. Kisha nuk është vetëm vend për të marrë kujdes pastoral, por edhe vend për t’u pajisur për thirrjen në botë.
Siç thoshte Dallas Willard: “Kisha është për dishepullizim, dhe dishepullizimi është për botën.”
7. Vlerësoni dhe rregulloni vazhdimisht
Asnjë model nuk i përshtatet çdo kishe. Prandaj, është e domosdoshme të ndalet kohë për të vlerësuar, për të dëgjuar komunitetin dhe për të rregulluar qasjen. Kisha që ka sukses është ajo që mban fort vizionin, por është e gatshme të përshtatet në mënyrën e zbatimit.
Një pyetje për reflektim:
- Barinj dhe udhëheqës: çfarë ka funksionuar për ju dhe çfarë jo?
- Besimtarë: si mund t’ju ndihmojë më mirë kisha që ta jetoni thirrjen tuaj në botë?
Dishepullizimi nuk përfundon në derën e takimit te djelës. Ai fillon aty – dhe vazhdon kudo ku Perëndia na ka vendosur.
Si të bëjmë vetë-examinim si të krishterë?
Si të bëjmë vetë-examinim si të krishterë?
Vetë-examinimi është një disiplinë thelbësore shpirtërore për të krishterët, pasi na ndihmon të vlerësojmë zemrat, veprimet dhe marrëdhënien tonë me Perëndinë. Ky proces na ndihmon të rritemi në shenjtëri dhe të përputhemi me vullnetin e Tij. 2 Korintasve 13: 5 thote "Ekzaminoni veten per te pare nese po qendroni ne besim". Ne mund te ftojme dike tjeter te na beje keto pyetje dhe ndoshta mund te vihemi pak me shume ne pergjegjesi, por nese jemi te sinqerte dhe serioze ne mund t’ja bejme vetes keto pyetje, sepse ne fakt jane per te miren tone. Disa hapa për të kryer një vetë-examinim të kuptimtë mund t’i gjeni me poshte:
1. Filloni me lutje
Ftojeni Frymën e Shenjtë të udhëheqë mendimet tuaja. Ne fakt ky nuk eshte vete-ekzaminim por ftese qe Fryma te ndihmoje dhe zbuloje te verteten e brendshme qe ne si njerez ndoshta nuk duam ta degjojme ne kushte joekzaminuese. Kërkoni që Perëndia t’ju zbulojë fusha në jetën tuaj që kanë nevojë për vëmendje, bindje dhe transformim.
- Psalmi 139:23-24: "Hulumtome, o Perëndi, dhe njihezemrën time; provoje dhe njihi mendimet e mia. Dhe shiko nëse ka ndonjë udhë të keqe dhe më udhëhiq në udhën e përjetshme."
2. Ekzaminoni marrëdhënien tuaj me Perëndinë
Reflektoni mbi ecjen tuaj me Krishtin. Pyetni veten:
- A kaloj kohë të rregullt në lutje, lexim të Biblës dhe adhurim?E deshiroj kete gje?
- A kërkoj sinqerisht vullnetin e Perëndisë mbi vullnetin tim?
- A ka fusha ku jam bërë i ftohtë apo larg Perëndisë?
- A kam besim te Perëndia në të gjitha rrethanat, apo mbaj veten sikontrollor?
3. Vlerësoni bindjen tuaj ndaj Fjalës së Perëndisë
Shikoni se si jeta juaj përputhet me mësimet e Shkrimit:
- A po jetoj në bindje ndaj urdhërimeve të Perëndisë?
- A ka mëkate specifike që duhet të rrëfej dhe të braktis?
- A e dua Perëndinë me gjithë zemrën, shpirtin dhe mendjen time? (Mateu 22:37)
- A shmang sjelljet mëkatare si gënjeshtra, thashethemet, lakmia apo krenaria?
- A ndjek shenjtërinë në mendimet dhe veprimet e mia?
4. Vlerësoni marrëdhëniet tuaja me të tjerët
Krishterimi thekson dashurinë për të tjerët. Reflektoni mbi ndërveprimet tuaja me familjen, miqtë dhe të tjerët:
- A mbaj mëri, hidhërim ose mosfalje?
- A i trajtoj të tjerët me mirësjellje, durim dhe përulësi?
- A e ndaj dashurinë e Krishtit përmes fjalëve dhe veprimeve të mia?
- A praktikoj pajtimin dhe përpiqem të jetoj në paqe me të tjerët? (Romakëve 12:18)
5. Reflektoni mbi përdorimin e kohës, talenteve dhe burimeve tuaja
Perëndia na thërret të jemi kujdestarë të asaj që Ai na ka dhënë. Pyesni veten:
- A e përdor kohën time me mençuri për të nderuar Perëndinë?
- A shërbej në kishë apo ndihmoj ata që kanë nevojë?
- A jam bujar me burimet e mia, duke dhuruar me gëzim për të mbështetur veprën e Perëndisë?
- A janë prioritetet e mia të përqendruara në gjëra të përjetshme apo të përkohshme?
6. Kontrolloni gjendjen e zemrës tuaj
Ekzaminoni motivet dhe dëshirat tuaja të brendshme:
- A luftoj me krenarinë, smirën apo ambicien egoiste?
- A kërkoj vlerësimin dhe aprovimin e të tjerëve mbi atë të Perëndisë?
- A po rritem në frytet e Frymës: dashuri, gëzim, paqe, durim, mirësjellje, mirësi, besnikëri, butësi dhe vetëkontroll? (Galatasve 5:22-23)
7. Shikoni se ku keni hapesire per rritje
Vetë-examinimi nuk është vetëm për të identifikuar gabimet, por edhe për të njohur fusha ku mund të rriteni. Pyesni veten:
- Cilët disiplina shpirtërore mund të përmirësoj (p.sh., lutjen, agjërimin, meditimin mbi Shkrimin)?
- Si mund të thelloj marrëdhënien time me Perëndinë?
- Si mund të shërbej më besnikërisht të tjerëve?
8. Rrëfeni dhe Pendohuni
Nëse Fryma e Shenjtë ju bind për mëkat, rrëfejani atë Perëndisë. Pendohuni duke u larguar nga mëkati dhe duke u angazhuar për bindje. Besoni premtimin e Perëndisë për falje:
- 1 Gjonit 1:9: "Nëse i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë për të na falur mëkatet dhe për të na pastruar nga çdo paudhësi."
9. Rinovoni angazhimet tuaja
Pas reflektimit mbi jetën tuaj, rinovoni angazhimin tuaj ndaj Perëndisë. Vendosni qëllime specifike dhe të zbatueshme për t’u rritur në besim, bindje dhe dashuri. Kërkoni forcë dhe mençuri nga Perëndia për t’i ndjekur ato.
10. Përfundoni me mirënjohje
Mbylleni vetë-examinimin tuaj duke falënderuar Perëndinë për hirin, faljen dhe besnikërinë e Tij. Lëvdoni Atë për veprën që po bën në jetën tuaj dhe për mundësinë për t’u afruar më shumë me Të.
Këshilla për një vetë-examinim të frytshëm
- Bëjeni rregullisht: Vetë-examinimi është më i efektshëm kur bëhet rregullisht, jo vetëm gjatë krizave apo stinëve të veçanta (p.sh., Kreshmës).
- Përdorni Shkrimin: Lëreni Biblën të udhëheqë reflektimet tuaja, pasi ajo është standardi përfundimtar për të vlerësuar jetën tuaj.
- Jini të sinqertë: Shmangni justifikimin apo minimizimin e mëkateve. Jini të sinqertë me veten dhe Perëndinë.
- Kërkoni llogaridhenie: Ndani reflektimet tuaja me një mik të krishterë të besuar, mentor ose pastor për të marrë inkurajim dhe mbështetje.
Vetë-examinimi nuk ka të bëjë me ndjenjën e fajit apo kërkimin e përsosmërisë; ka të bëjë me rritjen në ngjashmërinë me Krishtin përmes hirit të Perëndisë. Lëreni këtë proces t’ju çojë në një intimitet më të thellë me Zotin, një kuptim më të qartë të qëllimit tuaj dhe një ndjenjë të ripërtërirë të gëzimit në udhëtimin tuaj të besimit.
Kete artikull mund ta perdorni per vete apo te tjere.
Devotshmeria si cilesi ne zvogelim
Sfida e vertete
Ec ne drite
A te eshte bere e merzitshme kisha?
Ndersa shkruaj kete postim kujtoj dhjetra biseda qe kam bere me njerez te ndryshem dhe qindra te tjera qe i kam degjuar te tjeret te shprehen. Ndoshta fjala “e merzitshme” nuk eshte perdorur gjithmone ne cdo bisede te tille por thelbi eshte i njejte.
Zakonisht ka dalur si teme kur dikush qe deklaron qe eshte besimtar dhe ndjekes i Jezus Krishtit, nuk eshte as ne dashuri dhe as ne marredhenie me kishen e Tij. Nuk eshte e rastit qe per shumicen, kisha nenkupton takimin e kishes te dielave keshtu qe per hir te faktit kisha si familje dhe kisha ne aktivitetin liturgjik nderthuren.
Here me vjen keq per ta dhe jam perpjekur t’i ndihmoj separi duke u perpjekur te degjoj aresyet e verteta pas “merzitjes”. Here te tjera ballafaqohem me nje lloj narzicizmi religjioz qe nuk eshte i pakte ne ditet tona dhe aq me teper neper rrethet e krishtera, ku i eshte dhene shume fokus te drejtave personale dhe deshirave personale te panderthurura me te mirat dhe bekimet e te tjereve.
Me duhet te pohoj qe jetoj ne nje brez qe eshte krejt ndryshe nga breza te tjere. Nje brez ku individualizmi eshte ne nivelet me te larta. Ne nje brez ku fale teknologjise mund te degjoj ne cdo kohe kenge dhe predikime nga anembane globit. Per dike qe ndoshta perton te dale nga shtepia per nje takim kishe, degjimi i nje predikimi nga celulari eshte jo vetem i thjeshte por gati i pakushtueshem. Ne mund te degjojme falas mesazhe te mirepregatitura nga pastore qe harxhojne ore te tera dhe qe mbeshteten financiarisht nga kisha qe nuk kane lidhje me ne. Degjojme falas kenge adhurimi nga muzikante te nivele te larta te regjistruara ne studio profesionale. Jo pa aresye behet me pak terheqese te shkosh ne nje takim kishe ku predikuesi nuk eshte aq i pergatitur sesa ai ne Youtube dhe muzikantet jo aq te talentuar sa ato ne YouTube.
A vertet eshte bere kisha e merzitshme apo ndoshta kerkohet te shmanget niveli i pergjegjesise dhe llogaridhenia?
A mos ndoshta gabimisht eshte prezantuar kisha vetem si nje vend ku shkohet ne raste kur ke nevoje per ndryshim (je vetem-ke nevoje per miq, je semure-ke nevoje per sherim, ndihesh i dobet-ke nevoje per inkurajim, ndihesh mekatar-ke nevoje per pranim, je ne udhekryq-ke nevoje per keshille, je ngushte financiarisht-ke nevoje per ndihme.) ose per te kaluar nje kohe te mire ne nje ambjent ndryshe nga ai i diteve te javes. Kjo e fundit mund te ngrere pritje qe nuk permbushen gjithmone. Shpesh besimtare shkojne te degjojne te “rejat e fundit” nga kendveshtrimi i pastorit/mesues. Keto te reja duhen paketuar ne nje menyre qe i pershtatet brezit te sotshem: 1) jo shume te gjate, 2) jo te thate, por me ilustrime, 3) qe t’i flase cdo individi ne te njejten kohe, 4) te jete inkurajues dhe jo bezdisesh. Shpesh besimtare shkojne vec per te marre dozen javore shpirterore, pra “degjo nje mesazh dhe ca kenge te bukura”- dhe jo rralle i bashkohen kishave me shume anetare ku nuk eshte e nevojshme te besh shoqeri, ku mund te zgjedhesh ku te ulesh dhe afer kujt te mos ulesh.
Ne nje kishe lokale pritet qe cdo besimtar te jete kontribues me aftesite, dhuntite, financat dhe buzeqeshjen inkurajuese. Mungesa e pjesetareve te kishes jo vec ne takimin e te dieles por ne jeten e kishes, e ben me te veshtire per gjymtyret e tjera te plotesojne detyrat e gjymtyreve joaktive, nderkohe qe duhet te bejne detyrat e tyre.
Nga ana tjeter mungesa e rradhitjes ne kishe zvogelon mundesine e te paturit dike qe ti e ndihmon te rritet dhe dike qe te ndihmon te rritesh. Kjo kerkon vazhdimisht nje ndershmeri ne komunikim qe shkon pertej komunikimit siperfaqesor: “Si je?” ‘Jam mire.” Individualizmi shoqeror ka ndikuar ne individualizmin shpirteror ku jo rralle marredhenia personale me Jezusin, me Fjalen e gjalle dhe Frymen e Shenjte, mund te merret si zevendesues i komunitetit dhe komunikimit ne komunitetin e besimit. Ajo qe eshte me e bezdisshme eshte llogari-dhenia, ose me nje fjale me biblike: “rrefimi i mekateve”.
Bibla thote rrefejini mekatet njeri-tjetrit qe te sheroheni dhe nuk jane te rralla rastet kur ne ia rrefejme mekatet vec Perendise. Dhe kjo ndoshta per aresyen e vetme se rrefimi i mekateve te krijon idene e asaj qe mund te behemi vulnerabel perpara te tjereve dhe na mban te lidhur ne marredhenie qe duam te mbajme jo shume te forta.
A vertet kisha behet e merzitshme?
Ka raste qe takimet e kishes mund te mos jene shume ngazellyese, une e pranoj kete gje. Por varet se cfare pret! Nese pret nje takim si nje shfaqje ku gjithcka duhet te jete super-class, atehere eshte e mundshme qe te zhgenjehesh. Dhe nuk eshte aspak gabim te kesh pritje kur mbledhesh me besimtare te tjere. Por ndoshta i gjithe ndryshimi eshte tek LLOJI i PRITJES dhe tek lloji i produktit te pritshem perfundimtar.
Nese ne besojme qe sa here qe besimtaret mblidhen bashke ne emer te Krishtit, i Bekuari eshte ne mes te tyre, atehere pritjet duhet te gjejne kenaqesi qe jemi ne prezencen e me Te Lartit. Nese themi qe kisha eshte e merzitshme, ndoshta rrezikojme te themi qe mesazhi qe Fryma ka per ne sot apo kete sezon nuk eshte ajo qe une dua dhe qe me ben te ndjehem mire. A jemi ne te thirrur qe te ndjehemi mire? A jemi thirrur ne qe te ecim me ane te ndjenjave? A nuk jemi thirrur ne qe te ecim me besim dhe jo me ndjenja? Pra ndjenjat tona nuk duhet te jene ato qe drejtojne menyren sesi mendojme, analizojme, peshojme dhe vleresojme. Ka raste qe bisedat me disa njerez mund te duken rutine nese nuk pritet asgje prej tyre, por nese ne marrim pjese ne keto biseda me deshire, kuriozitet dhe perfshirje aktive, gjithmone do te surprizohemi mbi ate qe degjojme dhe mesojme.
Takimet e kishes kane per qellim te transformojne mekatarin ne shenjtor dhe ky proces here eshte i pakendshem dhe here i pasqaruar. Takimet e kishes u sherbejne atyre qe kane vendosur te ndjekin Krishtin, te mesojne disiplina dhe te dalin jashte zones se rehatise qe ndoshta pa e kuptuar e kane vendosur vetveten. Takimet e kishes krijojne hapesira qe bashkebesimtaret t’i sherbejne njeri-tjetrin ne ate qe kane nevoje edhe nese eshte e padukshme apo e pashprehur publikisht.
Transformimi nuk ndodh ne momente por ne udhetime. Ta ndjekesh Jezusin perfshin qe te ecesh me ata qe po e ndjekin Ate. Nese fokusohemi tek gabimet e ndjekesve te tjere edhe mund te dekurajohemi dhe merzitemi, por nese fokusohemi tek Jezusi dhe tek ajo qe ai po ben tek bashkeudhetaret atehere kisha nuk arrin te behet asnjehere e merzitshme.








