Sepse Perëndia nuk na ka dhënë frymë frike, por force, dashurie dhe urtësie. 2Timoteut 1:7

Apostulli Pal këtu inkurajon Timoteun, i cili ishte i ri jo vetëm në moshë por dhe në eksperiencë. Pali i kujton nxënësit të tij të mos dorëzohet sepse tundimi që i vjen atij në mëndje nuk është nga Perëndia. Një varg më lart ai i rikujton që Timoteu ekzistonte për një qëllim të caktuar, për të bërë gjëra të caktuara, ai kishte dhunti të caktuara nga Perëndia.

Cfarë kishte ndodhur? Timoteu kishte frikë. Frika që po e ndalonte atë të funksiononte sic duhet. Duket që njerëzit që kishte rrotull nuk po e ndihmonin. Duhej që Pali nga burgu i largët ta inkurajonte.

Eshtë për të reflektuar. Si mundet që një i burgosur dhe i dënuar me vdekje po i thotë nxënësit të tij që të mos ketë frikë. A kishte frikë Pali? Besoj që sic cdo njeri ka patur momente frike, por nuk po jetonte në frikë. Dhe ai kishte të drejtë ta inkurajonte dhe nxiste dhe qortonte nxënësin e tij dhe t’i rikujtonte që Perëndia nuk ja kishte dhënë atë fryme frike.

Miq, nëse ne besojmë që për cdo gjë të mirë dhe të keqe Perëndia është fajtori, nuk kemi gjë në terezi. Apostulli Pal që e njihte Perëndinë më mirë se nxënësi i tij, i rikujton që shpirti i frikës nuk ishte nga Perëndia. Perëndia nuk vepron me frikë. Perëndia nuk i frikëson njerëzit. Perëndia i paralajmëron mëkatarët për atë që i pret nëse nuk janë pajtuar me të, por nuk i shtyp me frikë. Frika vjen nga satanai.

Nëse beson që ka Zot, duhet të besosh që ka dhe satana. Nëse nuk beson njerin, harro ekzistencën e tjetrit.

Nëse frika vjen nga Satanai, cfarë vjen nga Perëndia?

Për atë që e ka pranuar Perëndinë në shpirt, ka pranuar frymën e forcës, dashurisë dhe mendje-kthjelltësisë.

Kur ne ndjehemi të dobët dhe frika na thotë që ke për t’u rrëzuar, Zoti thotë unë jam forca jote.

Kur ne ndjehemi sikur nuk na do njeri, Zoti thotë që unë të dua me dashuri të përjetshme.

Kur ne shohim që nuk jemi të qartë në vendimet tona, Zoti na thotë që na jep një mëndje të kthjellët.

Sigurohu që je në anën e Perëndisë dhe refuzo frikën të jetë shoqëruesja jote në këtë periudhë me lajme të këqija dhe përgjatë gjithë jetës tënde.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Categories