Krenaria: A eshte gjithmone e keqe?

Kush jane dy shprehjet qe i kam degjuar me shume?

“Jam krenar per ty” dhe “Jam krenar qe jam shqiptar”

Bibla nderkohe na flet qe te jemi ne alert lidhur me krenarine. Meqenese fjalet sherojne dhe vrasin, sqarojne dhe turbullojne, do perpiqem te sqaroj dallimin midis dy lloj krenarive. Po, jane dy lloj krenarish, nga njera te shmangesh dhe tjetren ta inkurajosh.

Po flas separi per te dyten qe ka me pak nevoje per sqarim.

Kur i thua femijeve, te afermve, miqve “jam krenar per ty/ju” dhe shprehen ne forme mirenjohjeje dhe inkurajimi eshte shume positive. Kur gruaja ime u diplomua me rezultate te shkelqyera ndersa kishte vec 4 vite ne Kanada dhe e filloi te mesoje anglishten prej zeros, une isha krenar per arritjet e saj. Te njejten gje sa here qe vajza ime sillte rezultate te mira ne shkolle apo ne arritjet e saj. Une kam qene krenar per arritjet e saj. Kjo lloj krenarie perkthehet edhe si nje lloj vleresimi per punen, perkushtimin e tjetrit. Puna eshte e mire dhe eshte nje detyre qe Perendia ja ka dhene njeriut qe nga fillimi, perpara se te mekatonte. Te punosh dhe te besh gjerat e duhura nen udhezimet e Perendise dhe per lavdine e Perendise eshte gje e mire dhe duhet jo vetem aprovuar por dhe vleresuar. Jo rralle prinderit mund ta kalojne pa dashje ate qe quhet krenari per arritjet duke kaluar ne mburrje. Jo ben qe jo rralle te degjosh deklarata krenare krahasuese, qe femijet shqiptare jane me te miret e shkolles aty ku jane ne diaspore. Jo rralle certifikata inkurajuese qe u jepen femijeve ketu ne Kanada nga shkolla, lexohen ne Shqiperi se arritje te jashtezakonshme shkencore dhe fryhet “krenaria” qe raca jone eshte race e zgjuar.

Krenaria e pare eshte ajo qe Bibla flet kundra. Fillon me konceptin kur gjithcka rrotullohet rreth nesh apo asaj qe e quajme tonen, qofte dhe identiteti.

Krenari e keqe eshte ndjenja e superioritetit lidhur me rendesine, meritat, dinjitetin, sjelljet -krahasuar me te tjere. Shpesh kjo vjen nga nje frike dhe pasiguri e pashprehur te identitetit qofte te hedhur poshte nga te tjere me dashje apo te pavleresuar sic deshirohet.

Kur individi ka ne qender jo Perendine por vetveten, atehere pret qe objekti i adhurimit te jete i perkryer – dhe kur perkryerja nuk eshte tek idhulli qe kemi krijuar atehere ne i japim vlera dhe shkelqim qe nuk e meriton, qofte duke e ngritur ate ne qiell ose duke u perpjekur te hedhesh me poshte te tjeret dhe arritjet e tyre.

Bibla ka shume vende ku permendet krenaria si gje e keqe:

Disa citime nga Fjalet e Urta

“Sytë krenarë dhe një zemër kryelartë, që janë llamba e të pabesëve, janë mëkat” Emri i krenarit pa cipë është: "tallës"; ai çdo gjë e bën me një mburrje të tepruar. (21:4,24)
 “Ai që është zemërkrenar është i neveritshëm për Zotin; edhe sikur t'i shtrëngojë dorën një tjetri për besëlidhje, nuk ka për të mbetur pa u ndëshkuar. Përpara shkatërrimit vjen kryelartësia dhe përpara rrëzimit fryma krenare”. (16:5,18  )
Nga krenaria rrjedhin vetëm grindjet, por dituria është me ata që u kushtojnë kujdes këshillave. (13:10  )
Frika e Zotit është të urresh të keqen; unë e urrej kryelartësinë, arrogancën, rrugën e keqe dhe gojën e çoroditur. (8:13  )
Kur vjen kryelartësia, vjen edhe turpi; por dituria është me njerëzit e thjeshtë. (11:2 )
A ke parë një njeri që e pandeh veten të urtë? Ka më tepër shpresë për një budalla se sa për të. (26:12)
Le të të lëvdoj një tjetër dhe jo goja jote, një i huaj dhe jo buzët e tua.  (27:2)

Psalmi 10:2-13 pershkruan me detaje se c’mund te beje dikush qe eshte krenar:

I pabesi me kryelartësinë e tij ndjek me dhunë të mjerin; ata do të kapen nga vetë kurthet që ata kanë kurdisur, sepse i pabesi mburret me dëshirat e shpirtit të tij, bekon grabitqarin dhe përbuz Zotin. I pabesi, me arrogancën e fytyrës së tij, nuk e kërkon Zotin; tërë mendimet e tij janë: "Perëndia nuk ekziston". Rrugët e tij lulëzojnë në çdo kohë; gjykimet e tua për të janë shumë të larta, larg kuptimit të tyre nga ana e tij; ai përqesh gjithë armiqtë e tij. Ai thotë në zemër të tij: "Mua askush nuk më tund dot kurrë; nuk do të më ndodhë kurrë ndonjë e keqe". Goja e tij është plot mallkime, hile dhe mashtrime; nën gjuhën e tij ka ligësi dhe paudhësi. Ai rri në pritë në fshatra, vret të pafajshmin në vende të fshehta; sytë e tij përgjojnë fatkeqin. Ai rri në pritë në vende të fshehta si luani në strofkën e tij; rri në pritë për të kapur të mjerin; ai e rrëmben të mjerin duke e tërhequr në rrjetën e tij. Ai rri i strukur dhe i mbledhur, dhe fatzinjtë mposhten para forcës së tij. Ai thotë në zemër të tij: "Perëndia harron, fsheh fytyrën e tij, nuk do ta shohë kurrë". Çohu, o Zot; o Perëndi, ngre dorën tënde; mos i harro të mjerët. Pse i pabesi përçmon Perëndinë? Ai thotë në zemër të tij: "Ti nuk do t'i kërkosh llogari".

Apostulli Pal i paralajmeron te krishteret qe te ruhen nga krenaria qe vjen ne forma te ndryshme:

Dhe të gjitha këto gjëra u ndodhën atyre si shëmbull, dhe janë shkruar për paralajmërimin tonë, për ne që jemi në mbarim të epokët. Prandaj ai që mendon se qëndron më këmbë, le të shohë se mos bjerë”.                       (1 Korintasve 10:11-12)
Sepse në qoftë se dikush mendon se është diçka, pa qenë asgjë, ai gënjen veten e vet. Dhe secili të analizojë veprën e tij dhe atëherë do të ketë arsye të mburret vetëm për veten e tij dhe jo lidhur me tjetrin”. (Galatasve 6:3-4)

Apostulli Jakob, gjysme-vellai i Jezusit nga nena nuk mbahej me te madh qe kishte lidhje gjaku me Jezusin por flet kundra krenarise:

"Perëndia u kundërvihet mendjemëdhenjve dhe u jep hir të përulurve". Nënshtrojuni, pra, Perëndisë, kundërshtoni djallin dhe ai do të largohet nga ju! Afrohuni te Perëndia dhe ai do t'ju afrohet juve; pastroni duart tuaja, o mëkatarë; dhe pastroni zemrat o njerëz me dy mendje! Pikëllohuni, mbani zi dhe qani; të qeshurit tuaj le të kthehet në zi, dhe gëzimi në trishtim. Përuluni përpara Zotit, dhe ai do t'ju lartësojë! Mos flisni keq për njeri tjetrin, vëllezër; ai që flet kundër vëllait dhe e gjykon vëllanë e vet, flet kundër ligjit dhe gjykon ligjin; dhe, po të gjykosh ligjin, ti nuk je zbatues i ligjit, por gjykatës”. (Jakobi 4: 6b-11)

Shikoni ketu sesi Jakobi e vendos krenarine ne veprim ne jeten e perditshme: dikush qe mendon qe di me shume dhe eshte me i mire se te tjeret dhe flet keq per te tjeret, kalon deri ne nivelin qe eshte ne gjendje te gjykoje. Krenaria nuk eshte nje shkalle e vetme, por eshte nje sere shkallesh qe fillojne me te paren – mosperulja e brendshme ndaj Perendise dhe ligjit te Tij.

Tek letra e Filipianeve apostulli Pal u kujton besimtareve:

Mos bëni asgjë për rivalitet as për mendjemadhësi, por me përulësi, secili ta çmojë tjetrin më shumë se vetveten. Mos mendojë secili për interesin e vet, por edhe atë të të tjerëve. Kini në ju po atë ndjenjë që ishte në Jezu Krishtin, i cili, edhe pse ishte në trajtë Perëndie, nuk e çmoi si një gjë ku të mbahej fort për të qenë barabar me Perëndinë, por e zbrazi veten e tij, duke marrë trajtë shërbëtori, e u bë i ngjashëm me njerëzit; dhe duke u gjetur nga pamja e jashtme posi njeri, e përuli vetveten duke u bërë i bindur deri në vdekje, deri në vdekje të kryqit. Prandaj edhe Perëndia e lartësoi madhërisht dhe i dha një emër që është përmbi çdo emër, që në emër të Jezusit të përkulet çdo gju i krijesave (ose gjërave) qiellore, tokësore dhe nëntokësore, dhe çdo gjuhë të rrëfejë se Jezu Krishti është Zot, për lavdi të Perëndisë Atë”. (Filipianeve 2:3-11)

Kapitulli i dashurise, 1 Korintasve 13 na meson qe dashuria nuk krekoset. Pra nese dikush krekoset perpara te tjereve nuk tregon se po e ben nga dashuria, por nga aresyet qe i permendem me siper.

Ne fund le te kujtojme se cfare profetizoi Isaiah se cfare do te ndodhe ne diten e gjykimit te Zotit. Krenaria serisht shikohet si elementi me i rrezikshem qe njerezit do te mbajne deri ne diten e gjykimit.

Vështrimi krenar i njeriut do të ulet dhe krenaria e vdekatarëve do të përulet; vetëm Zoti do të lartësohet atë ditë. Sepse dita e Zotit të ushtrive do të vijë kundër çdo gjëje krenare dhe kryelartë dhe kundër çdo gjëje që ngrihet, për ta ulur, kundër gjithë kedrave të Libanit, të lartë dhe të ngritur, dhe kundër të gjitha lisave të Bashanit, kundër të gjitha maleve të larta dhe kodrave të larta; kundër çdo kulle shumë të lartë dhe kundër çdo muri të fortifikuar, kundër gjithë anijeve të Tarshishit dhe kundër të gjitha gjërave të këndshme. Kryelartësia e njeriut do të ulet dhe krenaria e njerëzve të shquar do të përulet; vetëm Zoti do të lartësohet atë ditë. Idhujt do të hiqen plotësisht. Njerëzit do të hyjnë në shpellat e shkëmbinjve dhe në guvat e tokës përpara tmerrit të Zotit dhe shkëlqimit të madhërisë së tij, kur do të ngrihet për ta bërë tokën të dridhet”. (Isaiah 2:11-19)

Ne nje artikull tjeter do te shkruaj sesi vjen krenaria, por me sa u permend me siper besoj eshte e mjaftueshme te na vendose ne pozicion analizimi per te pare dhe rene dakort qe krenaria eshte nje pozicionim i brendshem i nje individi qe e shpreh me sjellje, me fjale, me vepra. Tek Perendia nuk ka krenari te tille ziliqare prandaj dhe besimtaret e vertete duhet ta identifikojne krenarine e keqe ne jeten e tyre dhe te ecin me perulesi perpara Perendise dhe njerezve.

Ku ndryshon “me fal” me “pendohem”?

Ju ka ndodhur ta mendoni kete pyetje?

Nese po, ne cfare konteksti e keni menduar? Une kam pare tre kontekste te kesaj analize ne jeten time: 1) kur dikush gabon ndaj meje, 2) kur une gaboj ndaj dikush tjeter, 3) kur une gaboj ndaj Perendise.

Nuk di per ju, por shpesh une kerkoj me shume falje tek te tjeret, por kerkon pendim nga te tjeret. Pse? Sepse une shoh nje ndryshim midis “me fal” dhe “pendohem”.

“Me fal” perdoret kur personi ben dicka gabim ndaj dikujt tjeter.

“Pendohem” eshte kur personi e kupton qe ka bere gabim dhe e ndan mendjen te mos e beje me – pra te ktheje rruge.

Mendoni kete analogji: Ti ke marre dike ne makine per ta cuar ne nje destinacion. Ne bisede e siper ti harron dhe kujtohesh qe e ke kaluar destinacionin. Cfare do te besh? Nese ti kerkon vec falje, do e lesh personin aty dhe do vazhdosh rrugen tende. Nese do te pendohesh, atehere do i kerkosh falje dhe do kthehesh per t’a cuar personin ne destinacionin e duhut.

Apo nese je me dike dhe e demton nga pakujdesia. te kerkosh falje eshte t’i tregosh sesa keq te vjen per pakujdesine dhe demin e bere. Ndersa te pendohesh do te thote qe e ndihmon personin e lenduar dhe e regjistron ne mendjen tende qe here tjeter nuk ka per te ndodhur me, sepse do te jesh i kujdesshem.

Nganjehere me vajzen time kemi patur diskutime pas nje gabimi te saj. Kur e kuptoj qe ka qene gabim ajo ka kerkuar falje. Por pasi gabimi eshte perseritur here pas here dhe gjithmone ajo kerkon falje, nje dite e pyes: “per cfare po kerkon falje, sepse u kape ne gabim, sepse une u lendova, apo sepse ajo qe po ben eshte gabim?”

“Me fal” shpesh behet kur kuptojme qe tjetri eshte lenduar prej gabimit tone, por “pendimi” eshte kur e kuptojme qe veprimi yne eshte gabim dhe vendosim te mos e bejme me.

Po te krahasojme nje tregim qe Jezusi pershkruan ne Bibel mbi nje fetar dhe nje taksidar, Ai ve ne dukje qe taksidari u largua i falur, sepse ishte i penduar, ndersa fetari jo, sepse nuk arrinte ta shikojne gabimin e vet.

Heren tjeter kur ti gabon nga Zotit apo njerezve, kontrollo veten dhe shiko nese po kerkon falje apo po pendohesh!

A jemi ne te perulur?

Cdo besimtar kristian ka dhe duhet te kete yll polar te jetes se tij Jezusin dhe mundohet ti ngjaje sa te mundet atij. Jezusii megjithse ishte i barabarte me Zotin perseri erdhi ne toke ne menyren me modeste te mundeshme dhe kur u rrit dhe filloi sherbesen hoqi dore nga privilegjet legjitime qe i takonin. Kulmi i peruljes se tij arriti me bindjen ndaj te Atit per t’u kryqezuar per mekatet tona ne mes te dy krimineleve. Kur kujtojme kete standart shume te larte te peruljes se Jezusit ne reflektojme rreth vetes, atyre qe na rrethojne dhe atyre qe na drejtojne.

Ne ditet e sotme nje lider model qe frymezon te tjeret quhet Sherbyes Lider (Servant Leader). Une mendoj qe Jezusi ishte personifikimi i nje lideri te tille qe ndryshoi ne menyre revolucionare konceptin mbi Krijuesin, boten, dashurine dhe moralin. Ndermjet te tjerash perulja eshte nje nga karakteristikat me dalluese te Jezusit.

Po ne si besimtare deri ku mund te shkojme ne peruljen tone?

A ka rrezik te keqkuptohemi nga bota si te dobet?

A eshte perulja dobesi apo fuqi?

Ketyre pyetjeve mund ti pergjigjemi secili sipas eksperiences personale dhe njohjes dhe besimit ne Fjalen e Shenjte. Ne jeten e perditeshme njerezit qe nuk jane besimtare jane te prirur t’a konsiderojne peruljen si dobesi. Megjithate mendoj qe ka raste miqsh qe te njohin mire dhe e dine qe nuk je i dobet pasi e ke deshmuar me prova. Kam pershtypjen qe ata cuditen me qasjen e nje besimtari ne nje situate te caktuar. Ata vertet mund te befasohen kur ju pergjigjesh me perulesi dhe respekt nderhyrjeve te tyre gjykuese dhe sfiduese. Perulesia tek ne ka limite njerezore dhe menyra me e mire do te ishte te evitojme kontaktin me njerez me energji negative dhe me egoizem te theksuar. Me e mira do te ishte qe ne te influenconim dhe t’i ndihmonim njerez te tille nese jane te gatshem dhe e mirepresin ndihmen tone. Ata mund te mos jene te gatshem ne rrugetimin e tyre dhe ne nuk duhet te dekurajohemi. Megjithate ne duhet duam te tjeret dhe te mundohemi t’i ndihmojme. Por ne te njejten kohe te ruajme veten dhe te bejme kujdes kur ndajme me dike shembuj nga jeta jone. Nese ata jane te gatshem qe te degjojne nje keshille a nje bekim nga ne besimtaret, ata do te kuptojne nevojen e tyre per driten dhe fjalen e Zotit. Ka raste kur dikush eshte ne erresire dhe nderkohe qe mendon se jemi ne. Ne kete rast mirkuptimi eshte shume i veshtire. Sepse po t’i pergjigjesh atij me te njejten monedhe do te thote qe do te shkosh dhe vete ne errresire. Kjo eshte menyra me e keqe e qasjes te cilen duhet ta evitojme sa me shume. Aishtaini thoshte per nje rast te tille “Njerezit e dobet hakmerren, te fortet falin dhe inteligjentet injorojne”. Falja eshte cliruese dhe me e mira eshte kur ja ben te ditur personit qe e ke falur. Kjo eshte nje lloj perulje e cila demonstron menaxhim te egoizmit dhe nje besim te pandalur tek Zoti. Ka raste qe personi qe ne falim nuk e meriton faljen tone. Po ne te njejten kohe ne meritojme te jemi te lire. Dhe qe te fitojme lirine duhet te falim. Kjo eshte menyra qe ka mundesi qe te clirohemi nga veshtiresite dhe te vazhdojme te qete jeten pasi kjo eshte dhe nje kerkese e Jezusit per ne tokesoret. Ne kete rast ne demonstrojme vertet forcen e nje besimtari qe ben ndryshim ne komunitet. Pra, ne kete menyre duke qene te perulur dhe duke falur ne demostrojme ne te njejten kohe fuqi mbinjerezore. Kjo pasi fuqise sone ne kete rast i shtohet dhe ajo e Jesusit.

Burri me bluza me vrima!

Perpara ca vitesh u takova me dike qe jeton ne anen tjeter te Kanadase. Miq te perbashket, qellim i perbashket. Ngjitem ndersa beme biseda. Te dy me nga nje femije te se njejtes moshe. Ai i me i madh se une, femije i nje inxhinieri qe kishte pare shume vende te botes qe femije per shkak te punes se babait. I lindur ne nje nga vendet skandinave dhe i vendosur perfundimisht ne nje nga provincat e Atlantikut. Vjen here pas here ne Toronto sepse takon dy here ne vit prinderit pleq qe jetojne ne nje fshat ne veri te Ontarios. Dhe gjithmone gjen kohen qe te me takoje aty ku mua me ka ardhur per mbare. Person me dy universitete, me te pakten 4 gjuhe te huaja me sfidoi heren e pare kur erdhi ne shtepine time. Sandale, xhinse te zbardhura dhe nje bluze me disa vrima te dukshme. Nuk thashe gje heren e pare, por e vura re dhe nje here tjeter. Me beri serisht pershtypje dhe serisht nuk i thashe gje. Mendova: “Inxhinier miku, dhe nuk e ka vrare mendjen te veshe nje bluze tjeter”. Nuk ishte nje nga bluzat qe jane grisur apo brimosur qe ne fabrike si pjese e modes se fundit. Ishte bluze e perdorur shume here, e paster por e brimosur.

Fakti eshte qe edhe une kam ca bluza qe nuk i vesh jashte shtepise, ca me njolla, ca me jake te rrudhosur dhe tek tuk ndonje qe eshte brimosur nga shumeperdorimi. Une e kam shume bezdi te hedh gjera qe mund te perdoren.

Por me del parasysh ai: OPINIONI. Cfare do te thone te tjeret po te shohin qe une po vesh nje bluze demode, te vjeter apo dhe me vrima? Kushedi sa fytyra me dalin perpara me mimiken e tyre te vecante qe dhe pa fjale me thone: “Edhe ti me bluze me vrima? Hajt se te jap une bluza, vec mos me dil ashtu”.
Ajo qe dua te them me kete histori te vertete eshte sesi e shohim ne veten dhe te tjeret. Personalisht kam arritur ne nje pike qe vleresimi ose mosvleresimi i te tjereve ka shume pak ndikim ne ate qe une bej dhe them. Aq me pak “kodi i veshjes”. Qe kur u bera i krishtere m’u happen syte te shikoja kotesine e te investuarit ne pamjen e jashtme, kur e brendshmja qelbet.

I kuptoj aresyet e dikujt qe perpiqet te vishet trendy dhe deri diku jam dakort qe te vishesh bukur, por a ka kufinj dhe udhezime? Vite me pare me kujtohej kur vajzat dilnin te blinin buke tek lagja dhe visheshin si per xhiro. Edhe pa qene nevoja per te pare revista, apo modele vezhgimi i njeri-tjeterit pa kuptuar krijon nje lloj mode dhe pa kuptuar secili perpiqet te vishet ne ate menyre. Bluza te shtrenjta qe kane simbolin apo emrin e nje kompanie. Po ashtu aksesore te llojeve nga me te ndryshme ku me shume kushton emri sesa materiali.

Miq, kur vishni rrobe firmato, a po vishni rroben apo po i tregoni botes qe ke mjaftueshem leke, per te blere edhe nje rrobe te tille? Pavaresisht se jane kode te shkruara dhe te pashkruara sesi mund te vishesh ne vende pune apo kur shkon diku, ajo qe une po ftoj per te reflektuar eshte sesa vemendje i japim pamjes se jashtme sidomos kur e dime qe do jemi nen vezhgimin e te pakten nje personi.

A je i/e lirshem te vishesh ashtu sic ti ke deshire apo presioni e asaj qe presin te tjeret te ben te dalesh nga vetvetja?

A investon kaq shume per ate qe te tjeret shohin sa harron te kujdesesh per njeriun tend te brendeshem (njohuri, dituri,etj)?

A mos ndoshta ti mendon qe gjithcka ne jete eshte siperfaqesore, si veshjet, marredheniet me te tjere, qofte dhe me pjesetaret e afert te familjes?


Ndoshta sot gjen nje bluze me vrima dhe mbaje neper shtepi, apo ne oborr, apo duke bere nje ecje ne rruge. Shiko nese njerezit do te respektojne njesoj. Ndoshta eshte koha te testosh miqte e vertete, dhe per kete kerkohet vec te veshesh nje bluze me vrima.

PRIVILEGJI DHE PERGJEGJESIA E PERDORIMIT TE FJALEVE

Në fillim Perëndia krijoi materien, atë që ne shohim dhe atë që ka prodhuar atë që ne shohim. E krijoi me anë të Logos-Fjalës- një fuqie të jashtëzakonshme dhe inteligjente. Sot ne ende shohim përmes ADN së njeriut dhe qënieve të tjera sesa kompleksë jemi krijuar. Mrekulli që nga krijimi dhe shumimi i milingonave, qukapikut por dhe balenave.

Kur krijoi njeriun i dha dicka që ne nuk e kuptuam si dhuratë të mrekullueshme. I dha fjalën. Në Bibël shohim që njeriut ju dha detyra të emërtonte kafshët. Po si mund të emërtojë kafshët nëse nuk flet dot? Kush e mësoi njeriun të flasë? I njëjti që i dha gojën.

E cfarë na është thënë që të bëjmë me fjalët tona?

Në varësi si kujt i shërbejmë, varet sesi i përdorim fjalët. Fjalët sado të thjeshta apo inteligjente, janë si enë uji që mbushen dhe shpërndajnë mesazhin nga pusi apo rrjedha e ujit ku janë nxjerrë.

Nga i njëjti burim s’mund të dalë edhe ujë i ëmbël dhe ujë i hidhur.

Fjalët shërojnë dhe fjalët vrasin.

Fjalët janë më të mprehta se shpata dhe japin një dhimbje më të gjatë sesa shuplaka. Sa herë që bëja gabime kur isha i vogël, nuk duroja dot të qëndroja përpara babit dhe të dëgjoja “predikimin e tij”. Më mirë thoja, më jep një shuplakë syve sesa një fjalim.

Eshtë e rrezikshme të vendosësh një shpatë në duart e një fëmije sepse mund të dëmtojë veten dhe të tjerë – edhe pa e patur dëmin në mëndje. E njëjta gjë është kur fjala është në duart e njerëzve të papjekur apo të lënduar. Nuk dihet se kë pret.

Në kohën e sotshme më shumë se kurrë na duhet t’i japim rëndësi fjalëve. Fjalët ndërtojnë dhe fjalët shkatërrojnë. Si mund ta dijë njeriu i thjeshtë kur të përdorë fjalë të caktuara drejt njerëzve të caktuar?

Cila është shkolla më e mirë e etikës në një kohë kur cdo fëmijë hap llogari online dhe mund të shpërndajë fjalë? Ju kujtohet 97’ kur shumë vajtën depove të armatimeve për të marrë të paktën një armë? Ca për ta patur në shtëpi e të tjerë për biznes, e të tjerë për të bërë keq.

A duhet të shkruajë cdokush? PO. Patjetër! Eshtë një nga liritë më themelore të njeriut. Fjala nuk duhet lidhur. Por si mundet pra të kemi një shoqëri të civilizuar ku e përdorim fjalën me kujdes dhe për të mirën e përbashkët? Kush pra mundet t’i thotë tjetrit: “Shkruaj kështu apo ashtu?” Një redaktor gazete apo televizioni mundet të kontrollojë atë që i jep rrogën, por shumica e lajmeve që dëgjojmë nuk na vijnë nga gazetarë.

Fjalët duhen vlerësuar, peshuar, matur dhe gjykuar nga FJALA. Besoj që është e drejtë që ideatori i komunikimit njerëzor të mund të ketë të drejtën absolute të vlerësojë se ku e ka vendin secila fjalë që themi. Jo më kot thuhet në librin e shenjtë që secili do të japë llogari për cdo “fjalë të kotë” që ka thënë. Kushdo i thotë tjetrit “budallë” patjetër që nuk do i shpëtojë gjykimit të FJALES.

Të kesh liri të shprehesh dhe të shkruash nuk është njësoj sikur të mos kesh kufij. Dhe Autori i Fjalës, për mendimin tim është Gjykatësi më i përshtatshëm për të vlerësuar atë që themi.

Nëse pra ka një gjyq bazuar tek fjalët që themi, a nuk do të ishte e drejtë që cdo fjalë-folës dhe fjalë-shkrues të dijë rregullat në mënyrë që të orientojë vetveten të flasë sic duhet edhe kur nuk ka një pronar apo një redaktor që t’i tregojë vendin fjalëve të caktuara?

Duke shkuar tek Fjala e Shenjtë, unë ndricohem dhe fjalët e mia ndryshojnë. Duke shkuar tek Fjala e Shenjtë unë vendos të marr frymëzim tek një burim me ujë të mirë që i bën mirë njerëzve. Duke shkuar tek Fjala e Shenjtë unë arrij të kuptoj, të shikoj dhe të shkruaj këtë artikull, duke guxuar të jem një nxitës i një teme që disa do e mirëpresin me kërshëri por shumë ndoshta s’do u pëlqejë. Nëse Fjala e Shenjtë është absolutja, atëherë unë kam vendos që ta njësoj vetveten në mendime dhe në fjalë sa më shumë afër të Shenjtës.

Kemi provuar si komb filozofi dhe fe, parti dhe pushtetarë, kemi bërtitur duam Babën dhe e urrejmë Babën. Ndoshta është koha të rimendojmë se ku e marrim frymëzimin për atë që mendojmë fshehtazi dhe e shprehim publikisht me fjalë.

Zoti na dha fjalën, le ta përdorim sic duhet.

MOS IA JEP PERLAT DERRAVE!

Jo rralle Jezusi gjate mesazheve te tij tha gjera te veshtira per t’u kuptuar dhe njera prej tyre eshte tek Mateu 7:6Mos ia hidh perlat derrave”. Pak me pare ai thote “mos u jep gjera te shenjta qenve”. Te dy simbolet e derrit dhe qenve tregojne ate qe kthehet tek te vjellat. tek plehrat dhe nuk arrin te vleresoje as te shenjten dhe as te cmuaren. Pak me lart Jezusi flet nje mesazh shume te forte lidhur me hipokritet dhe mosgjykimin. Kjo e fundit eshte bere kaq e perdorur sa po keqperdoret ne nje menyre te tille sa veshtireson cdo lloj korrigjimi, sepse pergjigja shpesh eshte e tille: “Kush je ti qe me gjykon mua!?”

A mund te mendojme qe perlat dhe e shenjta eshte e njejta gje? Ndoshta eshte mesazhi i shenjte i Perendise qe Jezusi predikoi dhe ia dha nxenesve te tij te vazhdojne t’ia thone kujtdo. A do te jemi te suksesshem me cilindo? Jo. Jezusi thote qe kur nuk e presin mire mesazhin, atehere shkundni pluhurin e atij qyteti apo fshati nga kembet dhe me nje fare menyre i thoni: “Ju dolem borxhit”.

Nga ana tjeter e dime qe dashuria e Perendise nuk heq dore duke i ofruar shanse mekatareve.

Pra, kush jemi ne qe te behemi gjykates dhe te vendosim qe te mos i predikojme me nje grupi njerezish nese na refuzojne heren e pare?

A nuk na thote Jezusi qe te mos gjykojme dhe te mos shikojme pamjen e jashtme?

Pse duhet te shkundim pluhurin drejt njerezve qe i njohim kur refuzojne Jezusin?

A nuk duhet te vazhdojme dhe te tregojme dashuri dhe te presim per nje mundesi tjeter per te folur me ta? Patjeter qe po. Por do te kete raste kur do te duhet te besh pjesen qe eshte me e veshtire. Dhe kjo nuk eshte gjykim por dallim.

Zoti po na meson sesi te behemi te zgjuar dhe te bejme sic thoshte pastor Tomori: “Mos harxho kohen me kedo por shko tek ai qe eshte i uritur per Zotin”

Pra, pavaresisht se Ai na ka thirrur te shkojme si delet mes ujqerve, ai na thote qe te jemi te paster si pellumbat dhe te mencur si gjarperinjte. Ne nuk jemi thirrur te jemi budallenj per gjerat qe jane te dukshme. Ketu kerkohet dallim dhe jo gjykim, kur nje person apo grup njerezish tregojne qe nuk duan te degjojne per Jezusin. Kush eshte fati i tyre? Zoti e di, nese do te kete nje dite tjeter qe ata do te degjojne, por Perendia nuk do luftoje gjithmone me njeriun duke kerkuar qe ta ktheje nga rruga e gabuar. Ne nje moment te caktuar ai do i thote cdo krenari dhe te pabinduri “u befte vullneti yt”. Perendia nuk con njerez ne ferr me zor, njerezit zgjedhin te jetojne pa Zotin dhe ferri eshte vendi ku drita dhe Zoti nuk eshte.

Zgjidh Zotin sa nuk eshte vone.

Ndoshta, kur te ngopen…

Psalmisti thote sic e kemi te regjistruar ne Psalmin 119:72Ligji i gojës sate për mua është më i çmuar se mijëra monedha ari dhe argjendi.”

Ketu psalmisti flet me superlative mbi vleren e urdherimeve te Perendise. I krahason si me te vlefshme sesa mijera monedha ari dhe argjendi.

Kemi degjuar shprehje te tipit “te dua me shume se gjithe bota”, “Te dua aq shume sa nuk me duket askush me terheqes/e se ty” etj si keto krahasime dashurie.

Pyetja ime per ju eshte: “A i ka patur ky psalmist ne dore mijera monedha ari dhe argjendi, dhe pasi ka medituar thelle, ka thene kete deklarate?”

Nuk dihet se kush eshte autori i ketij psalmi. Po te ishte nje nga mbreterit David apo Solomon, mund te merrte nje kuptim interesant ky krahasim sepse ne fakt ata i kishin mijera monedha.

Me kujtohet ish-pastori im anglez ne Shqiperi ne nje bisede lidhur me etjen e madhe te shqiptareve per gjera materiale. Ne nje permbledhje te bisedes ai me tha kotesine e materiales nese Perendia nuk eshte i pari ne jeten e njeriut. Ai kishte patur edhe shtepi dhe makine ne Angli dhe i kishte lene keto per te ndjekur vullnetin e Perendise edhe duke ardhur ne nje vend te shkaterruar si Shqiperia (shenim. Ai erdhi bashke me gruan ne vitin 1992 ne kohen kur shume shqiptare po kerkonin te iknin nga vendi i shkaterruar nga sistemi diktatorial komunist)

Me kujtohet qe i thashe: “Shqiptaret nuk i kane perjetuar as patjen e nje makine apo te nje shtepie sic ajo qe ke lene ti. Ndoshta kur te ngopen me gjerat qe i kane enderruar t’i kene, mund te konsiderojne serisht vleren e te jetuarit sipas udhezimeve te Perendise”.

Nese Psalmisti dhe miku im anglez me thone qe zbatimi i urdherimeve te Perendise eshte me i cmuar se te kesh mijera monedha ari e argjendi, cfare duhet te bej une qe nuk i kam te dyja?

Cfare duhet te synoj te kem ne fillim: deshiren per te njohur dhe zbatuar Fjalen e Perendise apo te bej nje pasuri ne fillim dhe pastaj t’i sherbej Zotit ne nje nivel tjeter ekonomik?

Vite me pare, une zgjodha personalisht te njoh dhe te ve ne zbatim urdherimet e Zotit, kur isha shume here me i varfer sesa tani. Vendosa te kerkoj se pari mbreterine e Tij duke besuar qe te tjerat do te shtohen. Per aresye te ndryshme mund te them qe ekonomikisht jam me mire se dekada me pare kur fillova jeten pas universitetit.

Nuk do te ishte keq te kisha mijera monedha ari dhe argjendi, sepse tani kam ide jo egoiste sesi mund t’i perdor. Me pare do i perdorja vec per vetveten.

Nese lexojme neper kete psalm, qe eshte me i gjati i bibles, do shohim vazhdimisht kerkesen ne lutje te psalmistit drejt Perendise: “Me gjallero”, “Me meso rruget e tua”, “Me bej qe te eci ne rrugen e urdherimeve te tua”

Psalmisti e kupton qe deshirat brenda tij luftojne, sic apostull Pal shkruan shekuj me vone. Por ne vend qe te justifikohet duke thene: “te gjithe mekatare jemi“, apo “bejme me te miren qe kemi mundesi“, ai lutet qe Perendia t’ia ndryshoje zemren, qe deshirat e zemres te drejtohen drejt Perendise, qe hapat e tij te shkojne me deshire ne udhet e Perendise.

Keto lutje dalin te sinqerta kur njeriu kupton vleren e perjetshme te asaj qe ofron i Perjetshmi. Ndoshta sot eshte momenti kur mund te reflektojme mbi ate qe kerkojme dhe si mund te kalibrojme serisht fokusin tone qe te ecim ne rruget e Perendise.

PER CFARE JENI DUKE U LUTUR SEFUNDMI?

Ndersa lexova nje postim qe m’u duk i cuditshem po bej nje reflektim qe do te jete me vlere per secilin. Postimi i permbledhur thote “Jam shume e gezuar qe jam zgjedhur te lexoj dhe te komentoj mbi librin e filan pastori, lutuni qe ta lexoj librin dhe qe libri te kete efekt ne mbare boten”. Qesha me vete duke ditur projektin ne fjale. Pastori qe eshte nje shoku im ka shkruar nje liber dhe ka ftuar te njohurit e tij te lexojne librin dhe te japin komentet (sic shohim vazhdimisht ne paratheniet e shume prej librave). Ajo qe dua une te fokusohem eshte nje problem kryesisht i brezave te rinj qe kerkojne lutje per gjera qe i kane ne dore t’i bejne. Kjo vajze kerkon lutje qe te lexoje librin qe vullnetarisht aplikoi ta lexoje. Dikush tjeter kerkon lutje gjate sezonit te provimeve te marre provimin, ndersa e di qe nuk ka mesuar gjate gjithe vitit. Nje tjeter kerkon lutje per mbrojtje nga virusi, por jo duke marre masa mbrojtese nga ana tjeter. Nje tjeter kerkon lutje te gjeje nje pune, pa trokitur ne asnje dere dhe pa u pergatitur per nje pune te re. Nje tjeter kerkon lutje qe te lexoje Biblen. Ende nuk kam degjuar kerkesa lutjeje te tipit: “Lutuni qe une te ha mengjes, se jam mesuar te zgjohem vone dhe te pi nje kafe”,apo “Lutuni qe te hap facebookun se u be nje jave qe nuk e kam bere”, apo “Lutuni qe te shoh ndeshjet e kampionatit te futbollit se nuk po gjej kohe se me duhet te punoj” apo “Lutuni qe te gjej kohe te blej xhinse te reja sepse nuk me bejne keto qe kam veshur”.

Me kuptoni? Kur Perendia na thote te lutemi nuk ka ndermed qe te lutemi per gjerat qe pertojme t’i bejme, por kur nuk dime ose nuk kemi fuqi te mjaftueshme. Lutja eshte kerkese per ndihme nga lart dhe jo justifikim per pertesen tone. Lutja na afron tek Perendia qe te kuptojme deshiren e Tij dhe aresyen per te bere gjerat sic duhet – qofshin keto praktike apo frymore. Ndersa Pali na thote lutuni ne cdo kohe, nuk eshte se ai po na fton ne nje jete ku ne s’bejme asgje vete por lutemi dhe Zoti e te tjeret i bejne gjerat qe ne jemi supozuar t’i bejme. Ne duhet t’i lexojme mesazhet biblike jo me mendje mishore dhe te interpretuara sipas rehatllekut te vendit ku kemi vendosur te qendrojme, por me mendjen te rinovuar nga Fjala dhe Fryma e Shenjte.

Nese gjejme kohe per te bere dicka, atehere do te thote qe e quajme te rendesishme per ta bere. Le te reflektojme sot dhe te shohim se cfare kemi perparesore ne jeten tone dhe nese do te na duhet te rivendosim disa prej prioriteteve ne nje renditje tjeter. Prioritetet tona do ndryshohen nga lutjet dhe lutjet do fillojne te ndryshojne prioritetet kur behen me nje zemer te sinqerte.

A mund të qëndrojë si besimtar dikush që shërben nën një qeveri të korruptuar?

Shumë vite më parë në një nga takimet e VUSH-it (Vëllazëria Ungjillore Shqiptare) pata një diskutim me disa pastorë rreth temës së përfshirjes së besimtarëve ungjillorë në politikë. Dukej që grupi ku unë isha, ishte kundra përfshirjes në politikë dhe si për rrjedhojë në nivele të larta të qeverisjes. Unë i pyeta:

  • “A nuk lutemi ne për ata që janë në pushtet?”
  • “Po”-m’u përgjigjën.
  • “A nuk lutemi që ata të shpëtohen dhe të vijnë në njohurinë e Jezus Krishtit?”.
  • “Patjetër”.
  • “Atëherë çfarë presim ne që të ndodhë me ata politikanë dhe qeveritarë që bëhen besimtarë, a duhet të largohen nga pozicionet e tyre?”

Kjo bisedë më kujtohet herë pas here, sepse dalin figura të caktuara të cilët janë të përfshirë si në politikë dhe në jetën e kishës. Më kujtohet dikush vite më parë që mora vesh ishte besimtar i krishterë Adventist. I thashë atyre që njihja në atë qytet të votonin për të. Kur ai fitoi pozicionin bashkiak, por u bë gjithashtu zëdhënës i partiës së tij, u zhgënjeva sepse nuk pashë asgjë ndryshe tek ai person që nuk e kishin të dhunshmit e tjerë partiakë. Më pas mora vesh për pastorë apo drejtues kishash që u përfshinë në nivele të ndryshme të partive dhe qeverisjes. Shumicën e tyre nuk i njoh personalisht, pra nuk kam pirë kafe dhe t’i njoh nga afër. Ajo që di për ta është çfarë më thonë të tjerët.

Ndërsa politika shqiptare është përçudnuar në të gjitha nivelet, nuk mund të rrish dot pa menduar: “A janë kripë për ambjentin ku janë ata besimtarë të krishterë, apo i janë përshtatur ambjentit dhe s’kanë më shije?”

Të shohësh një të krishterë pranë një bashkë-zyrtari të korruptuar dhe mashtrues, nuk është garanci që edhe besimtari është bërë po ashtu. Por s’mund të thuash që s’ka bërë gjë, qoftë me indiferencën e vet.

Të shohësh një të krishterë të ngjitet në karrierë politike apo shtetërore, nuk është shenjë që patjetër ky person është i korruptuar siç të tjerë. Ka disa heronj biblikë që kanë shërbyer nën lidera monstruozë, ku dy më të njohurit janë Jozefi dhe Danieli. Të dy në nivele kryeministrore, nën urdhërat e Faraonit dhe të tmerrshmit Nebukadnetzar.

Gjykatësi i shpirtrave i ka sjellë në librat historiko-teologjikë këto personazhe për të na kujtuar diçka. A mos mbretëresha Ester ishte po ashtu një fituese e modelit të hershëm të “Bachelor”, pra e padenjë të konsiderohet si dikush me respekt? Po Obadiah që ishte administrator në shtëpinë mbretërore të Ashabit dhe Jezebelit, a mund të konsiderohej si besimtar në atë kohë të zymtë për Izraelin, duke qenë në kontrast të fortë me mesazhet e profetit Elijah?

Teoria që nëse një besimtar nuk i konfronton ata që janë në qeverisje, patjetër duhet të jetë palë me ta, duhet të peshohet me shumë kujdes. Trimëria nuk duket sesa ballas dikush del kundra të keqes, por të dalësh ballas në kohën e duhur me mesazhin e duhur. Vetë Jezusi nuk doli përballë turmës që donte ta vriste, por shumë herë ju shmang. A ishte kjo shenjë që ai kishte frikë nga turma? Absolutisht JO. Ai bënte atë që Ati i thoshte, dhe ne të gjithë e dimë që në kohën e caktuar ai ju dorëzua pa përpjekje atyre që erdhën për ta arrestuar dhe gjykuar me vdekje.

Kur na jepet neve e drejta për të gjykuar të tjerët? Sipas shkrimeve biblike është një balancë e kujdesshme që të paditurit dhe të zhgënjyerit me jetën e tyre, nuk e mbajnë asnjëherë. Mendimi im është që duhet të jemi të kujdesshëm të gjykojmë dhe të japim vendime për secilin sidomos për ata që janë në pushtet. Kjo kërkon durim dhe vëzhgim të kujdesshëm, duke shmangur aludimet e pabazuara dhe thashethemet. Kam vënë re që gjykimet e këtij lloji shpesh bëhen nga njerëz që nuk bëjnë diçka me domethënie. Nuk mund të rri pa menduar që kush punon, nuk ka kohë të merret me jetën e të tjerëve.

Nëse kërkojmë që çdo pushtetar që është i krishterë të japë dorëheqjen nëse punon nën një administratë të përfolur, atëherë sa larg dhe sa thellë do ta ndajmë atë që mendojmë që është e shenjtë me atë që nuk është? Nëse një i krishterë është drejtor shkolle, spitali, qendër shëndetësore, policie, zyre të gjëndjes civile e kështu me rradhë-a duhet të japë dorëheqje sepse është punonjës nën një qeveri të korruptuar? Po një mësues, një mjek, një biznesmen, a duhet të heqin dorë nga profesioni i tyre sepse punojnë nën një sistem të korruptuar?

E njëjta thikë duhet të presë njësoj për të gjithë.

Nëse ty do të jepej mundësia të ishe në një pozicion të lartë vendimmarrës, a nuk do të mendoje që mund të kontribuoje sadopak pozitivisht – përveç përfitimit material që vjen me pozicionin (pra një rrogë më të lartë)?

Le të jemi të ngadalshëm në gjykim, por jo budallenj. Çdo rast duhet marrë me fakte dhe dëshmitarë, dhe jo me aludime. Pra, në raste kur dikush është në qeveri dhe gjithashtu e quan veten pjesë e kishës, ruaje gojën të mos bëhesh pjesë e thashethemeve për të përgjithësuar gjëra që nuk i di. Lër Perëndinë të jetë gjykatësi i tyre për gjërat që nuk i di dhe jep opinionin tënd biblik për detaje që janë të ditura dhe publike. Shikoji ato në dritën e shkrimeve dhe krahasoji me veprimet e tua apo të bashkëqytetarëve të tjerë që nuk janë në syrin publik. Shiko nëse ke një tra në syrin tënd, përpara se ta heqësh nga sytë e të tjerëve.

Le të mos harrojmë që mentaliteti shqiptar  prodhon besimtarë që janë ndryshe nga vende të tjera. Sot ndërsa unë jetoj në Kanada, nuk krahasohen as problemet dhe as sfidat që u duhet të përballojnë kishat dhe besimtarët këtu me ato të Shqipërisë. Por mund të them që edhe këtu, paragjykimet dhe thashethemet për të krishterë në pozitë bëhen në një këndvështrim tjetër.

Nëse ti nuk dëshiron të përfshihesh në politikë sepse nuk e përballon dot presionin e madh që është aty, mirë bën të mos përzihesh sepse nuk është vendi yt. Por disa prej besimtarëve Perëndia do i thërrasë të shërbejnë në politikë dhe në vendimmarrje dhe asnjëherë nuk është e lehtë. Pra, më shumë se gjithçka ato vëllezër dhe motra kanë nevojë për lutjet tona dhe kurdo që është e mundur me dashuri edhe korrigjime. Le të mësojmë nga këshilla e mençur e Gamalielit që u tha këshillit judaik ndërsa kërkonin të vrisnin apostuj. “Nëse kjo është vepër e Perëndisë, atëherë do të gjendemi duke luftuar kundra Perëndisë. Nëse nuk është prej Perëndisë do të venitet”. Pra, nëse këto vëllezër dhe motra janë aty ku janë të drejtuar nga Perëndia dhe me dëshirë për të bërë gjëra për Perëndinë, Perëndia do i mbajë, pavarësisht mëkateve dhe dobësive të tyre. Nëse nuk janë prej Perëndisë, i Mëshirshmi dhe i Drejti, di sesi të merret me ta në mënyrën e duhur. Le të mos bëhemi fajtorë përpara Perëndisë, duke marrë nëpër gojë njerëz që ndoshta Perëndia po i përdor.

Nuk me pelqen vellai!

A ju ka ndodhur te degjoni histori ku marredheniet midis familjareve nuk shkojne mire? Une jam rritur ne ambjente te tilla ku mospelqimet, zenkat dhe mosfaljet ishin te zakonshme. Jo te pakta kane qene rastet kur degjojme ne TV raste kur vellezer kane vrare njeri-tjetrin, ne dukje per nje cope gardh. Vella-vrasja eshte nje ngjarje aq e vjeter sa dhe njerezimi vete. Historia biblike per familjen e pare njerezore, eshte e mbushur me tragjedi, ku vrasja e pare pa dyshim eshte e paharrueshme. Djali i pare i Adamit dhe Eves, vret vellain me te vogel. Ndersa lexojme me kujdes shkrimet duket qe vrasja nuk ishte nje produkt i nje zenke ne nxehje e siper, por i nje urrejtje vellazerore qe kishte filluar si mospelqim dhe ishte trashur.

A ishte e mundshme te shmangej vrasja? PO. Perendia i thote Kainit, te kete kujdes se deshira per te bere te keqen po i rrinte tek dera e zemres. Duket qe Kaini nuk ka qene i kujdesshem. Ndersa ne mund te gjykojme gabimin e Kainit, a mund te mendojme qe ne nje moment te caktuar ne mund te gjendemi ne nje fushe-beteje te ngjashme, kur mund te jemi ose Kaini ose Abeli.

U bene shume vjet duke sherbyer ne kishe dhe kjo me ka dhene mundesi te degjoj rrefime, histori dhe biseda ku me kujton shpesh kete histori te lashte qe na rikujton sot te bejme kujdes. Nuk jane te pakta rastet kur nje besimtar tregon qe nuk i pelqen nje besimtar tjeter per shkak te dickaje qe ka pare, degjuar apo nje konflikti. Shumica shkojne deri aty sa qe hedhin pyetjen:

” A eshte besimtar filani?”

Te njejtet njerez bazuar ne rrefimet e tyre me japim pershtypjen qe jeten e vet nuk e kane kushedi se me te shenjte apo jane me shume “besimtare” se personi tjeter. Por ata nuk e shohin ose sic Jezusi thote fare mire: “kane qe tra ne sy te vet, saqe cdo qime ne syte e tjetrit i duket tra”.

A duhet te mbyllim syte kur shohim dike qe rrefen Jezusin, duke thene apo bere gjera qe ne i dime qe jane gabim? JO.

A duhet te fillojme e krahasohemi qe ata jane me pak besimtare sesa ne? JO

A duhet ta perflasim nje besimtar tjeter duke treguar problemt e tij/saj? JO

Jo rralle ajo qe mund te bezdise dike nuk eshte mekatshmeria e personit tjeter, por lendimi qe mund t’i kete dhene tjetrit. Pra, me nje fjale: “mua nuk me bezdis mekatshmeria jote, derisa ajo nuk pret jeten time”

Nese do te me duhet te zgjidhja si vellazeri biblike vetem ata qe nuk kane asnje problem, ndoshta me mire do te rrija vetem. Nga ana tjeter eshte e mundshme qe mekatet e dikujt tjeter jane te padukshme per drejtuesit e kishes, por menyra sesi ato sillen ne drite duhet te ndjeke parimin biblik te Mateut 18: 15 -17

Por në qoftë se vëllai yt ka mëkatuar kundër teje, shko dhe qortoje vetëm për vetëm; në qoftë se të dëgjon, ti e fitove vëllanë tënd; por në qoftë se nuk të dëgjon, merr me vete edhe një ose dy vetë, që çdo fjalë të vërtetohet nga goja e dy ose tre dëshmitarëve.Në se pastaj refuzon t’i dëgjojë, thuaja kishës; dhe në qoftë se refuzon edhe ta dëgjojë kishën, le të jetë për ty si pagan ose tagrambledhës

Thashethemet jane shkaterruese. Ato mund te kete elemente te verteta, por perderise ofrohen ne nje menyre prapashpine, kane elemente negative qe behen pjese e lajmit. Toni i mesazhit behet pjese e mesazhit dhe thashethemexhiu mund te behet fajtor edhe nese mendon qe po ben nje pune te mire duke ekspozuar mekatet e dikujt tjeter.

Si mund te shmanget kjo? Se pari, gjithsekush qe ka deshiren per te treguar dicka per dike tjeter le te kaloje nje kohe ne lutje per personin tjeter. Duke e sjellur personin ne lutje i kerkohet Perendise ta ndihmoje “mekatarin” te vije ne vete. E ndihmon po ashtu te lenduarin te jete me i qarte ne lendimin e vet dhe te fale personin tjeter per cfaredo mekati qe ka bere ndaj tij. Se dyti, pasi e ben hapin e pare, nese ka marrdhenie qofte siperfaqesore me personin tjeter duhet t’i tregoje qe veprimi qe eshte bere eshte i mekatshme dhe e kishte lenduar. Kjo eshte me e lehte per t’u bere kur personi e ka kaluar kete gje ne lutje me pare.

Se treti nese mekati eshte i perseritshem apo personi qe e ka bere nuk pranon qe ka bere faj, le t’i kerkohesh qe ceshtja te shkoje tek nje person a me shume – te mirebesuar nga te dy palet per ta sjellur ceshtjen.

Nese keto dy hapa behen mire, shumicen e rasteve nuk ka fare nevoje te sillet perpara asamblese se besimtareve. Por kur keto hapa nuk behen atehere ndodhin thashethemet qe jane vella-vrasese dhe vrasin me shume se cdo gje tjeter ne marredheniet midis besimtareve dhe ulin kredibilitetin e tyre perpara jo-besimtareve. Kjo e dyta mund te ndodhe kur besimtare qe nuk i zbatojne ato qe shkrova me siper, nuk e kane fare problem ta diskretitojne personin ne fjale perpara jobesimtareve qe i ka per shoqeri. Pra, demi mund te behet shumepalesh, ndersa mund te shmangej nese ndjekim udhezimet biblike.

Nese nuk te pelqen vellau dhe motra jote, kerkoji ndihme Zotit ta pranosh ashtu sic Zoti te ka pranuar dhe ty.