Unionet civile dhe martesat e homoseksualeve

Deklarata e Papa Franceskut mbi mbeshtetjen per bashkimet civile te cifteve te njejtes gjini, sic cdo gje tjeter pritet qe te marre reagime dhe kundershtime. Ne nje shoqeri globale ne te cilen ne sot jetojme, lajmi ne cdo cep te botes behet lajmi yne. Por a ka ndryshim deklarata e Papes nga deklarata e nje individi tjeter qofte aktor hollivudi apo politikan, lidhur me mbeshtetjen e lidhjeve homeseksuale? Patjeter qe PO. Si drejtuesi shpirteror dhe politik i katolikeve globale dhe si dikush qe del me shume ne mendia se cdo drejtues fetar, deklarata te tilla pritet qe do te kene reagime. Por interesi im nuk eshte tek reagimet por te ajo qe po ndodh, aresyet dhe detyra jone.

Para 20 vitesh une u martova me 1 Tetor dhe gjithmone kam festuar kete date per martesen tone. Por ne dokumenta zyrtare une jam martuar 4 jave perpara. Na duhej per pune pashaporte meqenese pas dasmes do dilnim jashte kufijve per nje jave. E kishim harruar dhe here pas here na duhet te germojme dokumentat te kujtojme daten e marteses se syte e ligjit. Pra une kam dy date martesash, njeren perpara nje nenpunese zyrtare ne pranine e 2 deshmitareve njerezore dhe tjetren perpara Zotit, pastorit, familjareve dhe rreth 200 personave qe moren pjese ne ceremonine qe u be ne Teatrin Skampa te Elbasanit. Kjo e dyta eshte martesa ime, ndersa ajo qe bera 4 jave me pare ishte bashkimi civil ne syte e ligjit.

Ne Kanada, sic ne vendet e tjera me tradite te krishtere, prifterinjte dhe pastoret mund te marrin licensen per te martuar te aprovuar nga organizmi perkates qeveritar. Pra, kur njerezit martohen ne kishe pastoret bejne edhe nje document shtese qe firmosin dhe cifti ja con zyres shteterore so deklarim i bashkimit te dy personave.

Ne shoqerine ku ne sot jetojme maredheniet midis njerezve kane marre forma te ndryshme qe nuk jane sic 100 vjet apo 1000 vjet me pare. Krishterimi ne Evrope dhe aty ku misionare dhe emigrate shkuan krijoi nje stardart te marredhenieve qe te pakten publikisht ishte uniforme. Marredheniet jashtemartesore qe quhen shkelje ishin te denueshme. Marredheniet paramartesore ishin po ashtu te denueshme por me te pranueshme sidomos kur cifti lidhej me pas. Marredheniet homoseksuale ishin me te rralla dhe me te denueshmet. Ky standart nuk eshte me. Me kujtohej ne rinine time qe nuk ishte normale qe cifti te flente ne shtepine e njeri tjetrit ende pa u martuar. Tani eshte bere normale qe ciftet martohen (edhe ne kishe) ndersa jane shtatzene. Sot te krishtere do te bertasin dhe reagojne ndaj asaj qe thote papa, por kur femijet e tyre martohen me jobesimtare (ndryshe sic thote shkrimi) kerkojne bekimin e Zotit ne ate gje qe ai nuk e bekon. Te krishtere te tjere nderkohe kane mbyllur syte per shkeljet e marredhenieve te tjera sic permenda me siper.

Fatkeqesisht ne kemi bere nje hierarki te asaj qe jane mekate shoqerore dhe e kemi vendosur homoseksualitetin te krye. Ky eshte perceptimi im te pakten. Kur erdha ne Kanada me dhimbnin syte kur shikoje meshkuj te kapur perdore me njeri-tjetrin. Por pashe po ashtu njerez qe flinin rruges. Vajza te reja qe lypnin meqe ishin larguar nga shtepite. Te droguar, pijanece. Pastaj ne festa vura re nje mekat qe nuk e shihja shume ne shqiperine e varfer : grykesia. Per shkak te begatise materiale, pervec birrave me shumice, njerezit hanin shume. Por nuk kam degjuar dike qe te flase kunder grykesise, pavaresisht se eshte nje nga mekatet e neveritura ne syte e Zotit. Po ashtu sic thashethemet, ata qe flasin pas shpine dhe mbjellin percarje, etj etj.

Perpara ca kohesh pyeta nje grup shqiptaresh pse ishin kundra praktikes se homoseksualitetit: se ishte jo e pranueshme per shoqerine shqiptare apo sepse ishte kundra asaj qe thote Bibla? Pergjigja ne shumice ishte konservatorizmi dhe jo pastertia.

Here pas here me kane pyetur a do te pranoja homoseksuale ne kishe? U jame pergjigjur PO. Sic cdo njeri tjeter ata jane te mirepritur te vijne ne takime dhe te mesojne dhe te perkushtohen ne rrugen e Zotit. Por une nuk kam per te thene asnjehere qe homoseksualiteti nuk eshte mekat. Por sic shume zakone te tjera qe njerezit i kane dhe vijne dhe ne kishe, nuk mund te bej nje vije ndarese vec per kete lloj mekati.

A do te martoja une ne kishe nje cift homoseksualesh? JO. Por sot ne Kanada ata martohen ne syte e ligjit. Une nuk pergjigjem per ligjin i cili u ka dhene hapesira njerezve qe kane opinion te ndryshme per ta jetuar jeten.

Te gjithe miqve te mi te krishtere une u sugjeroj dy gjera: 1) Beni nje liste te mekateve biblike dhe shikoni cilat praktikoni, toleroni apo mbeshtesni – pastaj shikoni nese Perendia ju pranon me kollaj kur jeni te ndergjegjshem per gjithcka qe ju beni qe nuk i pelqen Atij. 2) Fokusohuni te beni ate qe ju ka thene per te bere Krishti. Kur jemi te zene duke bere te miren, do te kemi me pak kohe te merremi me veprat e erresires.

Se fundmi, paci paqen e Perendise qe ja kalon cdo llogaritjeje njerezore dhe bejini gjerat me dashurine qe vjen prej se larti.

A mund të qëndrojë si besimtar dikush që shërben nën një qeveri të korruptuar?

Shumë vite më parë në një nga takimet e VUSH-it (Vëllazëria Ungjillore Shqiptare) pata një diskutim me disa pastorë rreth temës së përfshirjes së besimtarëve ungjillorë në politikë. Dukej që grupi ku unë isha, ishte kundra përfshirjes në politikë dhe si për rrjedhojë në nivele të larta të qeverisjes. Unë i pyeta:

  • “A nuk lutemi ne për ata që janë në pushtet?”
  • “Po”-m’u përgjigjën.
  • “A nuk lutemi që ata të shpëtohen dhe të vijnë në njohurinë e Jezus Krishtit?”.
  • “Patjetër”.
  • “Atëherë çfarë presim ne që të ndodhë me ata politikanë dhe qeveritarë që bëhen besimtarë, a duhet të largohen nga pozicionet e tyre?”

Kjo bisedë më kujtohet herë pas here, sepse dalin figura të caktuara të cilët janë të përfshirë si në politikë dhe në jetën e kishës. Më kujtohet dikush vite më parë që mora vesh ishte besimtar i krishterë Adventist. I thashë atyre që njihja në atë qytet të votonin për të. Kur ai fitoi pozicionin bashkiak, por u bë gjithashtu zëdhënës i partiës së tij, u zhgënjeva sepse nuk pashë asgjë ndryshe tek ai person që nuk e kishin të dhunshmit e tjerë partiakë. Më pas mora vesh për pastorë apo drejtues kishash që u përfshinë në nivele të ndryshme të partive dhe qeverisjes. Shumicën e tyre nuk i njoh personalisht, pra nuk kam pirë kafe dhe t’i njoh nga afër. Ajo që di për ta është çfarë më thonë të tjerët.

Ndërsa politika shqiptare është përçudnuar në të gjitha nivelet, nuk mund të rrish dot pa menduar: “A janë kripë për ambjentin ku janë ata besimtarë të krishterë, apo i janë përshtatur ambjentit dhe s’kanë më shije?”

Të shohësh një të krishterë pranë një bashkë-zyrtari të korruptuar dhe mashtrues, nuk është garanci që edhe besimtari është bërë po ashtu. Por s’mund të thuash që s’ka bërë gjë, qoftë me indiferencën e vet.

Të shohësh një të krishterë të ngjitet në karrierë politike apo shtetërore, nuk është shenjë që patjetër ky person është i korruptuar siç të tjerë. Ka disa heronj biblikë që kanë shërbyer nën lidera monstruozë, ku dy më të njohurit janë Jozefi dhe Danieli. Të dy në nivele kryeministrore, nën urdhërat e Faraonit dhe të tmerrshmit Nebukadnetzar.

Gjykatësi i shpirtrave i ka sjellë në librat historiko-teologjikë këto personazhe për të na kujtuar diçka. A mos mbretëresha Ester ishte po ashtu një fituese e modelit të hershëm të “Bachelor”, pra e padenjë të konsiderohet si dikush me respekt? Po Obadiah që ishte administrator në shtëpinë mbretërore të Ashabit dhe Jezebelit, a mund të konsiderohej si besimtar në atë kohë të zymtë për Izraelin, duke qenë në kontrast të fortë me mesazhet e profetit Elijah?

Teoria që nëse një besimtar nuk i konfronton ata që janë në qeverisje, patjetër duhet të jetë palë me ta, duhet të peshohet me shumë kujdes. Trimëria nuk duket sesa ballas dikush del kundra të keqes, por të dalësh ballas në kohën e duhur me mesazhin e duhur. Vetë Jezusi nuk doli përballë turmës që donte ta vriste, por shumë herë ju shmang. A ishte kjo shenjë që ai kishte frikë nga turma? Absolutisht JO. Ai bënte atë që Ati i thoshte, dhe ne të gjithë e dimë që në kohën e caktuar ai ju dorëzua pa përpjekje atyre që erdhën për ta arrestuar dhe gjykuar me vdekje.

Kur na jepet neve e drejta për të gjykuar të tjerët? Sipas shkrimeve biblike është një balancë e kujdesshme që të paditurit dhe të zhgënjyerit me jetën e tyre, nuk e mbajnë asnjëherë. Mendimi im është që duhet të jemi të kujdesshëm të gjykojmë dhe të japim vendime për secilin sidomos për ata që janë në pushtet. Kjo kërkon durim dhe vëzhgim të kujdesshëm, duke shmangur aludimet e pabazuara dhe thashethemet. Kam vënë re që gjykimet e këtij lloji shpesh bëhen nga njerëz që nuk bëjnë diçka me domethënie. Nuk mund të rri pa menduar që kush punon, nuk ka kohë të merret me jetën e të tjerëve.

Nëse kërkojmë që çdo pushtetar që është i krishterë të japë dorëheqjen nëse punon nën një administratë të përfolur, atëherë sa larg dhe sa thellë do ta ndajmë atë që mendojmë që është e shenjtë me atë që nuk është? Nëse një i krishterë është drejtor shkolle, spitali, qendër shëndetësore, policie, zyre të gjëndjes civile e kështu me rradhë-a duhet të japë dorëheqje sepse është punonjës nën një qeveri të korruptuar? Po një mësues, një mjek, një biznesmen, a duhet të heqin dorë nga profesioni i tyre sepse punojnë nën një sistem të korruptuar?

E njëjta thikë duhet të presë njësoj për të gjithë.

Nëse ty do të jepej mundësia të ishe në një pozicion të lartë vendimmarrës, a nuk do të mendoje që mund të kontribuoje sadopak pozitivisht – përveç përfitimit material që vjen me pozicionin (pra një rrogë më të lartë)?

Le të jemi të ngadalshëm në gjykim, por jo budallenj. Çdo rast duhet marrë me fakte dhe dëshmitarë, dhe jo me aludime. Pra, në raste kur dikush është në qeveri dhe gjithashtu e quan veten pjesë e kishës, ruaje gojën të mos bëhesh pjesë e thashethemeve për të përgjithësuar gjëra që nuk i di. Lër Perëndinë të jetë gjykatësi i tyre për gjërat që nuk i di dhe jep opinionin tënd biblik për detaje që janë të ditura dhe publike. Shikoji ato në dritën e shkrimeve dhe krahasoji me veprimet e tua apo të bashkëqytetarëve të tjerë që nuk janë në syrin publik. Shiko nëse ke një tra në syrin tënd, përpara se ta heqësh nga sytë e të tjerëve.

Le të mos harrojmë që mentaliteti shqiptar  prodhon besimtarë që janë ndryshe nga vende të tjera. Sot ndërsa unë jetoj në Kanada, nuk krahasohen as problemet dhe as sfidat që u duhet të përballojnë kishat dhe besimtarët këtu me ato të Shqipërisë. Por mund të them që edhe këtu, paragjykimet dhe thashethemet për të krishterë në pozitë bëhen në një këndvështrim tjetër.

Nëse ti nuk dëshiron të përfshihesh në politikë sepse nuk e përballon dot presionin e madh që është aty, mirë bën të mos përzihesh sepse nuk është vendi yt. Por disa prej besimtarëve Perëndia do i thërrasë të shërbejnë në politikë dhe në vendimmarrje dhe asnjëherë nuk është e lehtë. Pra, më shumë se gjithçka ato vëllezër dhe motra kanë nevojë për lutjet tona dhe kurdo që është e mundur me dashuri edhe korrigjime. Le të mësojmë nga këshilla e mençur e Gamalielit që u tha këshillit judaik ndërsa kërkonin të vrisnin apostuj. “Nëse kjo është vepër e Perëndisë, atëherë do të gjendemi duke luftuar kundra Perëndisë. Nëse nuk është prej Perëndisë do të venitet”. Pra, nëse këto vëllezër dhe motra janë aty ku janë të drejtuar nga Perëndia dhe me dëshirë për të bërë gjëra për Perëndinë, Perëndia do i mbajë, pavarësisht mëkateve dhe dobësive të tyre. Nëse nuk janë prej Perëndisë, i Mëshirshmi dhe i Drejti, di sesi të merret me ta në mënyrën e duhur. Le të mos bëhemi fajtorë përpara Perëndisë, duke marrë nëpër gojë njerëz që ndoshta Perëndia po i përdor.