Martesa si Besëlidhje: Një lidhje që nuk thyhet lehtë

Në kohën tonë, martesa shpesh shihet si një marrëveshje emocionale, një vendim i bazuar në ndjenja dhe përputhje personale. Por narrativa biblike na paraqet një kuptim shumë më të thellë: martesa është një besëlidhje. Nuk është thjesht një premtim midis dy njerëzve, por një lidhje e shenjtë që përfshin edhe Perëndinë. Kur një burrë dhe një grua martohen, ata hyjnë në një marrëdhënie ku secili bën premtime ndaj tjetrit. Por realiteti është ky: kur këto premtime bëhen vetëm midis dy njerëzve, ato mund të thyhen më lehtë. Pse? Sepse asnjëri nuk ka autoritet absolut mbi tjetrin për ta mbajtur përgjegjës në mënyrë përfundimtare. Në mungesë të një autoriteti më të lartë, përgjegjësia dobësohet dhe premtimet rrezikojnë të humbasin peshën e tyre. Kjo është arsyeja pse Bibla na kujton: “Litari i trefishtë nuk këputet lehtë” (Predikuesi 4:12). Kjo “fije e tretë” është vetë Perëndia. Kur Ai është pjesë e martesës, lidhja nuk është më vetëm horizontale (midis burrit dhe gruas), por edhe vertikale (me Perëndinë). Dhe kjo e bën atë më të fortë, më të qëndrueshme dhe më të shenjtë. Bibla e konsideron martesën e bërë sipas mënyrës së Perëndisë si të shenjtë, dhe ajo duhet të nderohet si e tillë nga të gjithë (Hebrenjve 13:4). Kjo do të thotë se martesa nuk duhet të jetë një vendim privat dhe i fshehtë, por një akt publik, ku çifti fton Perëndinë të jetë pjesë e saj që në fillim. Ceremonitë në kishë nuk janë thjesht një moment i bukur, një sallë elegante apo një fotograf profesionist. Ato duhet të jenë një akt i qëllimshëm, një shpallje publike se kjo martesë po vendoset nën autoritetin dhe bekimin e Perëndisë. Prania e pastorit si përfaqësues shpirtëror dhe dëshmitarët që marrin pjesë nuk janë aty për të “bërë martesën”, por për të dëshmuar një vendim që çifti ka marrë përpara Perëndisë. Në përvojën time personale, kur u martova para 26 vitesh, ceremonia ishte publike. Ne morëm me qira teatrin e qytetit “Skampa”, dhe në prani të pastorit dhe shumë dëshmitarëve, bëmë besëlidhjen tonë. Njerëzit ishin aty për të parë dhe për të dëshmuar, por vendimi ishte vetëm i yni. Ne vendosëm ta fillonim martesën tonë me Perëndinë në qendër. Një tjetër element thelbësor është përgatitja. Shumë çifte kërkojnë këshillim disa javë para dasmës. Kjo është e mirë, por nuk është ideale. Përgatitja për martesë duhet të fillojë që në momentin kur dy persona fillojnë të mendojnë seriozisht për një të ardhme së bashku. Martesa është shumë e rëndësishme për t’u përgatitur në mënyrë të nxituar. Po ata që janë martuar pa një ceremoni fetare:ata që kanë bërë vetëm një martesë civile apo kanë vendosur të jetojnë bashkë me premtime të ndërsjella për dashuri dhe përkujdesje? Është e vërtetë që disa nga këto çifte mund të kenë martesa të forta dhe të bukura—madje ndonjëherë më të mira se ato që kanë bërë ceremoni në kishë. Por, në përgjithësi, kur një gjë kaq e rëndësishme fillon pa Perëndinë, ekziston rreziku që ajo të vazhdojë pa Të në qendër. Lajmi i mirë është se nuk është kurrë vonë. Çifte të tilla mund të vendosin të bëjnë një besëlidhje të vetëdijshme para Perëndisë, edhe më vonë. Një ceremoni përkushtimi, një moment ku ata i dorëzojnë martesën e tyre Perëndisë, ka një fuqi të jashtëzakonshme. Dhe jo vetëm për ta, por edhe për fëmijët e tyre, të cilët mësojnë për rëndësinë e një lidhjeje të ndërtuar mbi baza të shenjta. Sot, gjithnjë e më shumë të rinj hezitojnë të angazhohen në marrëdhënie afatgjata. Një nga arsyet kryesore është mungesa e shembujve të mirë përpara tyre. Prandaj, ndërtimi i një martese si besëlidhje nuk është vetëm për të mirën e çiftit, por edhe për të ardhmen e brezit tjetër. Bëni besëlidhjen me bashkëshortin tuaj—për veten tuaj, për Perëndinë dhe për ata që do të vijnë pas jush. Sepse një martesë e ndërtuar me Perëndinë në qendër është një lidhje që nuk thyhet lehtë.