A mund të qëndrojë si besimtar dikush që shërben nën një qeveri të korruptuar?

Shumë vite më parë në një nga takimet e VUSH-it (Vëllazëria Ungjillore Shqiptare) pata një diskutim me disa pastorë rreth temës së përfshirjes së besimtarëve ungjillorë në politikë. Dukej që grupi ku unë isha, ishte kundra përfshirjes në politikë dhe si për rrjedhojë në nivele të larta të qeverisjes. Unë i pyeta:

  • “A nuk lutemi ne për ata që janë në pushtet?”
  • “Po”-m’u përgjigjën.
  • “A nuk lutemi që ata të shpëtohen dhe të vijnë në njohurinë e Jezus Krishtit?”.
  • “Patjetër”.
  • “Atëherë çfarë presim ne që të ndodhë me ata politikanë dhe qeveritarë që bëhen besimtarë, a duhet të largohen nga pozicionet e tyre?”

Kjo bisedë më kujtohet herë pas here, sepse dalin figura të caktuara të cilët janë të përfshirë si në politikë dhe në jetën e kishës. Më kujtohet dikush vite më parë që mora vesh ishte besimtar i krishterë Adventist. I thashë atyre që njihja në atë qytet të votonin për të. Kur ai fitoi pozicionin bashkiak, por u bë gjithashtu zëdhënës i partiës së tij, u zhgënjeva sepse nuk pashë asgjë ndryshe tek ai person që nuk e kishin të dhunshmit e tjerë partiakë. Më pas mora vesh për pastorë apo drejtues kishash që u përfshinë në nivele të ndryshme të partive dhe qeverisjes. Shumicën e tyre nuk i njoh personalisht, pra nuk kam pirë kafe dhe t’i njoh nga afër. Ajo që di për ta është çfarë më thonë të tjerët.

Ndërsa politika shqiptare është përçudnuar në të gjitha nivelet, nuk mund të rrish dot pa menduar: “A janë kripë për ambjentin ku janë ata besimtarë të krishterë, apo i janë përshtatur ambjentit dhe s’kanë më shije?”

Të shohësh një të krishterë pranë një bashkë-zyrtari të korruptuar dhe mashtrues, nuk është garanci që edhe besimtari është bërë po ashtu. Por s’mund të thuash që s’ka bërë gjë, qoftë me indiferencën e vet.

Të shohësh një të krishterë të ngjitet në karrierë politike apo shtetërore, nuk është shenjë që patjetër ky person është i korruptuar siç të tjerë. Ka disa heronj biblikë që kanë shërbyer nën lidera monstruozë, ku dy më të njohurit janë Jozefi dhe Danieli. Të dy në nivele kryeministrore, nën urdhërat e Faraonit dhe të tmerrshmit Nebukadnetzar.

Gjykatësi i shpirtrave i ka sjellë në librat historiko-teologjikë këto personazhe për të na kujtuar diçka. A mos mbretëresha Ester ishte po ashtu një fituese e modelit të hershëm të “Bachelor”, pra e padenjë të konsiderohet si dikush me respekt? Po Obadiah që ishte administrator në shtëpinë mbretërore të Ashabit dhe Jezebelit, a mund të konsiderohej si besimtar në atë kohë të zymtë për Izraelin, duke qenë në kontrast të fortë me mesazhet e profetit Elijah?

Teoria që nëse një besimtar nuk i konfronton ata që janë në qeverisje, patjetër duhet të jetë palë me ta, duhet të peshohet me shumë kujdes. Trimëria nuk duket sesa ballas dikush del kundra të keqes, por të dalësh ballas në kohën e duhur me mesazhin e duhur. Vetë Jezusi nuk doli përballë turmës që donte ta vriste, por shumë herë ju shmang. A ishte kjo shenjë që ai kishte frikë nga turma? Absolutisht JO. Ai bënte atë që Ati i thoshte, dhe ne të gjithë e dimë që në kohën e caktuar ai ju dorëzua pa përpjekje atyre që erdhën për ta arrestuar dhe gjykuar me vdekje.

Kur na jepet neve e drejta për të gjykuar të tjerët? Sipas shkrimeve biblike është një balancë e kujdesshme që të paditurit dhe të zhgënjyerit me jetën e tyre, nuk e mbajnë asnjëherë. Mendimi im është që duhet të jemi të kujdesshëm të gjykojmë dhe të japim vendime për secilin sidomos për ata që janë në pushtet. Kjo kërkon durim dhe vëzhgim të kujdesshëm, duke shmangur aludimet e pabazuara dhe thashethemet. Kam vënë re që gjykimet e këtij lloji shpesh bëhen nga njerëz që nuk bëjnë diçka me domethënie. Nuk mund të rri pa menduar që kush punon, nuk ka kohë të merret me jetën e të tjerëve.

Nëse kërkojmë që çdo pushtetar që është i krishterë të japë dorëheqjen nëse punon nën një administratë të përfolur, atëherë sa larg dhe sa thellë do ta ndajmë atë që mendojmë që është e shenjtë me atë që nuk është? Nëse një i krishterë është drejtor shkolle, spitali, qendër shëndetësore, policie, zyre të gjëndjes civile e kështu me rradhë-a duhet të japë dorëheqje sepse është punonjës nën një qeveri të korruptuar? Po një mësues, një mjek, një biznesmen, a duhet të heqin dorë nga profesioni i tyre sepse punojnë nën një sistem të korruptuar?

E njëjta thikë duhet të presë njësoj për të gjithë.

Nëse ty do të jepej mundësia të ishe në një pozicion të lartë vendimmarrës, a nuk do të mendoje që mund të kontribuoje sadopak pozitivisht – përveç përfitimit material që vjen me pozicionin (pra një rrogë më të lartë)?

Le të jemi të ngadalshëm në gjykim, por jo budallenj. Çdo rast duhet marrë me fakte dhe dëshmitarë, dhe jo me aludime. Pra, në raste kur dikush është në qeveri dhe gjithashtu e quan veten pjesë e kishës, ruaje gojën të mos bëhesh pjesë e thashethemeve për të përgjithësuar gjëra që nuk i di. Lër Perëndinë të jetë gjykatësi i tyre për gjërat që nuk i di dhe jep opinionin tënd biblik për detaje që janë të ditura dhe publike. Shikoji ato në dritën e shkrimeve dhe krahasoji me veprimet e tua apo të bashkëqytetarëve të tjerë që nuk janë në syrin publik. Shiko nëse ke një tra në syrin tënd, përpara se ta heqësh nga sytë e të tjerëve.

Le të mos harrojmë që mentaliteti shqiptar  prodhon besimtarë që janë ndryshe nga vende të tjera. Sot ndërsa unë jetoj në Kanada, nuk krahasohen as problemet dhe as sfidat që u duhet të përballojnë kishat dhe besimtarët këtu me ato të Shqipërisë. Por mund të them që edhe këtu, paragjykimet dhe thashethemet për të krishterë në pozitë bëhen në një këndvështrim tjetër.

Nëse ti nuk dëshiron të përfshihesh në politikë sepse nuk e përballon dot presionin e madh që është aty, mirë bën të mos përzihesh sepse nuk është vendi yt. Por disa prej besimtarëve Perëndia do i thërrasë të shërbejnë në politikë dhe në vendimmarrje dhe asnjëherë nuk është e lehtë. Pra, më shumë se gjithçka ato vëllezër dhe motra kanë nevojë për lutjet tona dhe kurdo që është e mundur me dashuri edhe korrigjime. Le të mësojmë nga këshilla e mençur e Gamalielit që u tha këshillit judaik ndërsa kërkonin të vrisnin apostuj. “Nëse kjo është vepër e Perëndisë, atëherë do të gjendemi duke luftuar kundra Perëndisë. Nëse nuk është prej Perëndisë do të venitet”. Pra, nëse këto vëllezër dhe motra janë aty ku janë të drejtuar nga Perëndia dhe me dëshirë për të bërë gjëra për Perëndinë, Perëndia do i mbajë, pavarësisht mëkateve dhe dobësive të tyre. Nëse nuk janë prej Perëndisë, i Mëshirshmi dhe i Drejti, di sesi të merret me ta në mënyrën e duhur. Le të mos bëhemi fajtorë përpara Perëndisë, duke marrë nëpër gojë njerëz që ndoshta Perëndia po i përdor.