Gjallëromë në rrugët e tua

Keto vargje nxjerre nga PSALMI 119 nuk kane nevoje per shume shpjegim. Shijojini dhe ushqehuni me to!

27  Më bëj që të kuptoj rrugën e urdhërimeve të tua, dhe unë do të mendohem thellë mbi mrekullitë e tua.

28  Jeta ime tretet në dhimbje; më jep forcë sipas fjalës sate.

29  Mbamë larg nga gënjeshtra dhe, në hirin tënd, bëmë të njohur ligjin tënd.

30  Kam zgjedhur rrugën e besnikërisë; i kam vënë dekretet e tua para vetes.

31  Jam i lidhur me porositë e tua; o Zot, mos lejo që unë të hutohem.

32  Do të veproj në rrugën e urdhërimeve të tua, sepse ti do të më zgjerosh zemrën.

33  Më mëso, o Zot, rrugën e statuteve të tu dhe unë do ta ndjek deri në fund.

34  Më jep mënçuri dhe unë do ta ruaj ligjin tënd; po, do ta respektoj me gjithë zemër.

35  Më bëj të ec në rrugën e urdhërimeve të tua, sepse në to gjej kënaqësinë time.

36  Përkule zemrën time parimeve të tua dhe jo lakmisë.

37  Largoji sytë e mi nga gjërat e kota dhe gjallëromë në rrugët e tua.

38  Mbaje fjalën tënde shërbëtorit tënd, që ka frikë nga ty.

39  Largo nga unë fyerjet e rënda, që më trëmbin, sepse dekretet e tua janë të mira.

40  Ja, unë dëshiroj me zjarr urdhërimet e tua; gjallëromë në drejtësinë tënde.

41  Le të më arrijë shpirtmadhësia jote, o Zot, dhe shpëtimi yt sipas fjalës sate.

42  Kështu do të mund t’i përgjigjem atij që më fyen, sepse kam besim te fjala jote.

43  Mos hiq plotësisht nga goja ime fjalën e së vërtetës, sepse unë kam shpresë te dekretet e tua.

44  Kështu do të respektoj ligjin tënd vazhdimisht, përjetë.

45  Do të ec në liri, sepse kërkoj urdhërimet e tua.

46  Do të flas për porositë e tua para mbretërve dhe nuk do të turpërohem.

47  Do të kënaqem me urdhërimet e tua, sepse i dua.

48  Do të ngre duart e mia drejt urdhërimeve të tua, sepse i dua, dhe do të mendohem thellë mbi statutet e tua.

49  Mbaje mend fjalën që i ke dhënë shërbëtorit tënd, me të cilën me kë bërë të kem shpresa.

50  Ky është përdëllimi im në pikëllim, që fjala jote më ka dhënë jetë.

51  Kryelartët më mbulojnë me tallje, por unë nuk largohem nga ligji yt.

52  Mbaj mend dekretet e tua të lashta, o Zot, dhe kjo më ngushëllon.

53  Një indinjatë e madhe më pushton për shkak të të pabesëve që braktisin ligjin tënd.

54  Statutet e tua kanë qenë kantikët e mi në shtëpinë e shtegëtimit tim.

55  O Zot, unë kujtoj emrin tënd natën dhe respektoj ligjin tënd.

56  Kjo ndodh sepse respektoj urdhërimet e tua.

57  Ti je pjesa ime, o Zot, kam premtuar të respektoj fjalët e tua.

58  Të jam lutur shumë, me gjihë zemër; ki mëshirë për mua sipas fjalës sate.

59  Kam shqyrtuar rrugët e mia dhe i kam kthyer hapat e mia ndaj urdhërave të tua.

60  Pa asnjë mëdyshje nxitova të respektoj urdhërimet e tua.

61  Litarët e të pabesëve më kanë mbështjellë, por unë nuk e kam harruar ligjin tënd.

62  Në mes të natës ngrihem që të të kremtoj, për shkak të dekreteve të tua të drejta.

63  Unë jam shok i gjithë atyre që kanë frikë prej teje dhe i atyre që respektojnë urdhërimet e tua.

64  O Zot, toka është e mbushur me mirësinë tënde; më mëso statutet e tua.

65  Ti i ke bërë të mira shërbëtorit tënd, o Zot, sipas fjalës sate.

66  Më mëso të gjykoj drejt dhe të kem njohje, sepse u besoj urdhërimeve të tua.

67  Para se të pikëllohem endesha sa andej e këndej, por tani ndjek fjalën tënde.

68  Ti je i mirë dhe bën të mira; më mëso statutet e tua.

69  Kryelartët kanë trilluar kundër meje, por unë do të respektoj urdhërimet e tua me gjithë zemër.

70  Zemra e tyre është e pandjeshme si dhjami; por unë kënaqem me ligjin tënd.

71  Ka qenë një e mirë për mua të jem pikëlluar, që kështu të mësoja statutet e tua.

72  Ligji i gojës sate për mua është më i çmuar se mijëra monedha ari dhe argjendi.

73  Duart e tua më kanë bërë dhe më kanë dhënë trajtë; më jep zgjuarësi që të mund të mësoj urdhërimet e tua.

74  Ata që kanë frikë prej teje do të më shohin dhe do të kënaqen, sepse pata shpresë në fjalën tënde.

75  Unë e di, o Zot, që dekretet e tua janë të drejta, dhe që ti më ke hidhëruar në besnikërinë tënde.

76  Mirësia jote qoftë përdëllimi im, sipas fjalës që i ke dhënë shërbëtorit tënd.

77  Ardhshin tek unë dhemshuritë e tua të mëdha dhe kështu paça mundësi të jetoj, sepse ligji yt është kënaqësia ime.

78  U ngatërrofshin mëndjemëdhenjtë, sepse më trajtojnë në mënyrë të padrejtë dhe pa arsye; por unë mendohem shumë mbi urdhërimet e tua.

79  Le të drejtohen tek unë ata që kanë frikë nga ti dhe ata që njohin urdhërat e tua.

80  Le të jetë zemra ime e paqortueshme lidhur me statutet e tua, me qëllim që unë të mos ngatërrohem.

81  Shpirti im shkrihet nga dëshira e zjarrtë e shpëtimit tënd; unë kam shpresë në fjalën tënde.

82  Sytë e mi dobësohen duke pritur të shkojë në vend fjala jote, ndërsa them: “Kur do të më ngushëllosh?”.

83  Ndonëse jam bërë si një calik i ekspozuar në tym, nuk i kam harruar statutet e tua.

Kujdes çfarë dëgjoni!

Postimi i meposhtem eshte nga Pastor Tomor Ajeti dhe gjendet ne blogun e tij-Per Miqte e Mi. Ju ftoj te lexoni postimet e tjera te tij.

Secili prej nesh këto ditë për shkak të karantinës duket se jemi të detyruar në një mënyrë ose tjetër të mendojmë se si do ta përdorim gjithë atë kohë që e kemi në dispozicion. Kjo përfshin shumë njerëz të cilët janë brenda shtëpive të tyre dhe ndoshta nuk e ushtrojnë dot profesionin nga shtëpia. Në po të njëjtin grup janë edhe ata të papunë dhe të rinj që  tani kanë më shumë kohë në dispozicion për të harxhuar.Por çfarë ndodh me njeriun i cili është i mbyllur brenda për një kohë të gjatë. Ai/ajo do të shikojë për mënyra për të dalë jashtë ambientit ku ndodhet. Dhe nëse jeton në një pallat, ku mundësia për pak ajër mund të jetë ballkoni, atëherë ngelet që çdo gjë mediatike mund të na tundoj si një derë për të dalë jashtë.Kjo është dalja me e shpejtë nga realiteti dhe celularët, tabletat, televizori dhe kompjuteri duken si mundësitë më të shpejta për këtë gjë. Por në vend që të marrim ajër të pastër ose të pushojmë sytë nga bukuria e krijimit, bota virtuale nuk mund të na i zëvendësojë këto por na jep një ngushëllim të momentit dhe ‘na humbet mendjen’ me video të ndryshme, muzike, filma etj.Në fillim mund të duket shumë e pafajshme kjo gjë dhe nuk e kuptojmë që shumë shpejt mund të kalojmë në varësi dhe pastaj nuk arrijmë ta kuptojmë se si na ikën koha aq shpejt dhe nuk bëjmë asgjë produktive gjatë ditës.
Një ndër gjërat që ne si të krishterë ( por edhe çdo njeri tjetër pavarësisht besimit) duhet të jemi të kujdesshëm ka të bëj me atë që jemi duke dëgjuar gjatë ditës. Shikoni thënien e Jezusit: Kini kujdes se çfarë dëgjoni (Marku 4:24). Pse është aq e rëndësishme për ne se çfarë dëgjojmë? Ja disa arsye:
E para, besimi vjen nga dëgjimi. (Rom.10:17.) Nëse besimi vjen nga dëgjimi, dhe ajo që po dëgjon sjell besim tek ty atëherë patjetër vazhdo, dhe dëgjo dhe ridëgjo atë mësim ose predikim. Sot në Internet ka me miliona predikime të mira që mund të na ndërtojnë dhe forcojnë besimin tonë. Por jo të gjitha predikimet online janë për ne dhe jo të gjitha ndërtojnë besimin. Ti duhet të jesh shumë shumë i kujdesshëm se çfarë dëgjon në Internet. Jo çdo person që predikon ka qëllimet e duhura. Disa janë pas famës, disa pas parasë, disa janë pas gjërave jobiblike dhe disa janë thjeshtë mashtrues. Disa predikojnë Krishtin për smirë dhe për grindje, por disa të tjerë me vullnet të mirë. Disa predikojnë Krishtin me qëllime jo të pastra, disa predikojnë Krishtin nga dashuria. Pra ka motive të ndryshme në predikim dhe ti duhet të kesh shumë kujdes.Si pastor më është dashur në raste të caktuara të paralajmëroj njerëzit e kishës që të mos shikojnë predikime të caktuara sepse besimi i tyre mund të dëmtohej. Disa prej tyre më kanë dëgjuar por ka edhe nga ata që nuk dëgjojnë.  Pastorët janë barinjtë e kishave dhe nëse je në një kishë është gjithmonë e mirë të komunikosh me pastorët e tu në lidhje me predikimet që i dëgjon jashtë kishës tënde lokale. 
E dyta, mashtrimi vjen nga dëgjimi poashtu. Siç e përmenda më lart ka besimtarë që duke shikuar në Internet predikime të ndryshme janë larguar edhe nga besimi. Jam shumë i bindur që ka shumë mashtrues që predikojnë mësime të rreme dhe pretendojnë sikur vetëm ata kanë doktrinën e vërtetë dhe nga ana tjetër shajnë dhe ulin poshtë të tjerët, përdorin gjuhën e shpifjes dhe urrejtjes e të mos them që janë plot me urrejtje edhe vet. Jezusi nuk na ka thirrur të shpërndajmë urrejtje për njerëzit dhe aq më tepër të flasim keq për dikë që i shërben Perëndisë. Bibla nuk ka nevojë për mbrojtje njerëzore, kemi mijëra vite që Bibla ekziston dhe nuk e rrëzon kush Fjalën e Perëndisë. Është një varg në Bibël tek Romakëve 14:4 Kush je ti që gjykon shërbyesin e tjetrit? A qëndron mbi këmbë ose rrëzohet, është punë e zotit të tij… Disa kanë marr përsipër punën e Gjykatësit para kohe. Për fat të keq nuk e kanë lexuar Biblën që thotë që kjo karrige tashmë është e zënë nga vetë Perëndia. Janë dy karrige në botën frymërore që nuk duhet t’i zëmë asnjë herë. E para është Karrigeja e Gjykatësit Hyjnor, dhe kjo i përket Jezus Krishtit, sepse Ai do të gjykojë gjithë njerëzimin një ditë. Dhe e dyta është Karrigeja e Akuzuesit – e cila është zënë përjetësisht nga i ligu. As këtë karrige nuk duhet ta ngacmojmë. Po ja që shumë njerëz e ndjejnë si obligim moral të jenë herë në njërën e herë në tjetrën. Kujdes nga këto persona! Janë shumë të rrezikshëm për besimin tonë dhe për ecjen tonë përpara në Perëndinë.
E treta, frika vjen nga dëgjimi. Lajmet se çfarë do të ndodh me botën dhe në veçanti se çfarë mund të ndodh me njerëzimin i ka shtyrë njerëzit t’i boshatisin supermarketet brenda ditës dhe të shtyhen me njëri tjetrin edhe për një pako letrash toaleti! Pse ndodh kjo? Sepse duke dëgjuar lajme plot frikë nga media e pakontrolluar ankthi dhe paniku hyjnë në zemrat e njerëzve të thjshtë dhe njeriu nuk përdor më arsyen sepse frika mbizotëron dhe mposht edhe arsyen e tyre.Të gjithëve mund të na ketë ndodhur që pasi kemi parë një film horror kemi hasur në vështirësi për të fjetur nga mendimet se mund të ketë ndonjë fantazmë poshtë shtratit ose pas derës. Pse ndodh kjo? Sepse kemi dëgjuar dhe parë diçka që ka futur frikën në ne. Një nga gjërat më të shëndetshme për të bërë në këtë kohë është që të shikojmë lajme sa më rrallë. Dhe mundësisht lexoni lajmet mos i shikoni ato, sepse lajmet sot janë më shumë sesa një informim- ato kanë një tendencë që të mbajnë me orë të tëra pranë ekranit dhe njëkohësisht të të bombardojnë me reklama kot! Disa njerëz nuk e kuptojnë që janë të varur nga lajmet sepse i shikojnë 5 herë në ditë në disa kanale dhe nuk ngopen dot. Dhe kjo gjë është një budallallëk.Prandaj nëse doni lajme – lexojini ato në celular ose kompjuter, dhe mundësisht vetëm titujt. Ajo që vërtetë është e rëndësishme për ta ditur do të jetë me shkrim diku patjetër. Lajmet e tjera mund t’i lini për pensionistët sepse ata kanë kohë për t’i parë. Dhe  nëse keni gjyshërit në shtëpi lajmet e ditës mund të përsëriten sërish nga ta.
Këto janë vetëm disa nga gjërat që ndodhin në ne kur dëgjojmë diçka. Prandaj Jezusi na paralajmëroi që të kemi kujdes së çfarë dëgjojmë dhe si dëgjojmë. Njeriu nuk dëgjon vetëm me vesh fizik. Janë edhe dy mënyra dëgjimi që janë edhe më të fuqishme sesa veshët fizik. Është veshi i arsyes dhe veshi i intuitës.
 Arsyeja i përket pjesës shpirtërore të njeriut dhe intuita i përket pjesës frymërore të njeriut. Arsyeja zhvillohet ndërsa rrisim kapacitetin tonë intelektual përmes edukimit / librave që stimulojnë mendjen tonë tek ajo që është e mirë, njerëzore dhe praktike ndërsa intuita zhvillohet përmes disiplinave frymërore të përcaktuara në Bibël. Ajo që mpreh intuitën tonë si të krishterë është Bibla – Fjala e Perëndisë. Ajo ka kapacitetin ta ndihmojë edhe arsyen dhe intuitën  dhe biles Bibla ka aftësinë e vetmë të bëj ndarjen e shpirtit nga fryma, pra të bëj edhe dallimin nëse një gjë është shpirtërore ose frymërore.
Të dyja këto aftësi, arsyeja dhe intuita janë të kufizuara dhe ndikuara nga ambienti ku ne jemi rritur, nga familja që na ka edukuar dhe shoqëria ku ne jetojmë. Pra as arsyeja as intuita nuk janë burime të sigurta në vendimet që marrim. Ajo që mund ta çojë edhe arsyen dhe intuitën tonë në nivelet fisnike, në nivelet ku është edhe vet arsyetimi hyjnor është Fryma e Perëndisë. Fryma e Shenjtë ka aftësinë të na jap vesh të tillë më të mprehtë dhe në situata të caktuara do të arsyetojmë dhe do të dallojmë ashtu siç arsyeton dhe dallon vetëm Perëndia. Jezusi ka premtuar që Fryma e Shenjtë, kur Ai të vijë do të na drejtojë në çdo të vërtetë. (Gjoni 16:13) Prandaj për ta arritur këtë nivel ndërgjegjeje neve duket të fokusohemi që të dëgjojmë më shumë Frymën e Perëndisë sesa çdo gjë ose person tjetër, sepse vetëm në këtë mënyrë do të ruajmë qartësinë e arsyes dhe intuitës sonë përgjatë jetës sonë me Perëndinë dhe të tjerët.
Bashkësia me Frymën e Shenjtë është ajo që të krishterët e hershëm e patën kujdes. Ata ishin të kujdesshëm që të mos e shuanin Frymën dhe të mos e trishtonin Atë. Po ne? A jemi të kujdesshëm për të mos e bërë të njejtën gjë?
Ajo çfarë dëgjojmë ndikon në frymën dhe shpirtin tonë, jo vetëm në fizikun tonë. Prandaj kini kujdes se çfarë dëgjoni çdo ditë dhe në çdo kohë. Ashtu si jemi të kujdesshëm kur hamë ushqim sepse nuk duam që trupi ynë të helmohet nga ushqime të skaduara ose të papastra (prandaj pastrojmë produktet, gatuajmë ushqimet etj) sepse duam të jemi të shëndetshëm. Jam i mendimit që po të njejtin kujdes, biles edhe më shumë duhet të tregojmë për çfarë lejojmë të futet ne zemrat dhe mendjet tona. Kemi vetëm një jetë për ta jetuar, pse ta mbushim veten me plehrat e të tjerëve. Preferoj të përdor kazanin e plehrave për këto gjëra dhe jo jetën time!