Besëlidhja e Lozanës

PARATHËNIE

Ne, anëtarët e Kishës së Jezus Krishtit, nga më tepër se 150 kombe, pjesëmarrës në Kongresin Ndërkombëtar për Ungjillizimin Botëror në Lozanë, e lavdërojmë Perëndinë për shpëtimin e tij madhështor dhe gëzohemi në bashkësinë që Ai na ka dhënë me veten e tij dhe me njëri-tjetrin. Ne jemi thellësisht të prekur nga ajo që Perëndia është duke bërë në ditët tona, jemi të shtyrë drejt pendesës nga dështimet tona dhe të sfiduar nga detyra e papërfunduar e ungjillizimit. Ne besojmë që ungjilli është lajmi i mirë i Perëndisë për të gjithë botën, dhe jemi të vendosur me anë të hirit të tij që t’i bindemi urdhërimit të Krishtit, që ta shpallim atë tërë njerëzimit dhe të bëjmë dishepuj nga të gjitha kombet. Prandaj ne dëshirojmë, ta pohojmë besimin tonë dhe vendosmërinë tonë, dhe ta bëjmë besëlidhjen tonë publike.

1. QëLLIMI I PERëNDISË

Ne pohojmë besimin tonë në një Perëndi të përjetshëm, Krijues dhe Zot i botës, Ati, Biri dhe Shpirti i shenjtë, që drejton të gjitha gjërat sipas qëllimit të vullnetit të tij. Ai ka thirrur jashtë nga bota një popull për veten e tij, dhe pastaj e ka kthyer popullin e tij sërish në botë që të jenë shërbëtorët e tij dhe dëshmitarët e tij, për zgjerimin e mbretërisë së tij, ndërtimin e trupit të Krishtit, dhe për lavdinë e emrit të tij. Ne e pohojmë me turp që shpeshherë e kemi mohuar thirrjen tonë dhe kemi dështuar në misionin tonë, duke u konformuar me këtë botë apo duke u larguar nga ajo. Por ne gëzohemi që edhe kur mbartet nga enët tokësore, ungjilli është akoma një thesar i çmuar. Ne dëshirojmë ta ripërkushtojmë veten tonë ndaj kësaj detyre, që ta bëjmë të ditur këtë thesar në fuqinë e Shpirtit të shenjtë.

(Isa. 40: 28; Mat. 28: 19; Efes. 1: 11; Vep. 15:14; Gjoni 17:6,18; Efes. 4:12; 1Kor. 5:10; Rom. 12:2; 2Kor.4:7)

2. AUTORITETI DHE PUSHTETI I BIBLËS

Ne pohojmë frymëzimin hyjnor, vërtetësinë dhe autoritetin e shkrimeve të Dhiatës së Vjetër dhe të Dhiatës së Re, në tërësinë e tyre si fjala e vetme e shkruar e Perëndisë, pa asnjë gabim në të gjitha gjërat që ajo i pohon, dhe është e vetmja rregull e pagabueshme e besimit dhe e zbatimit. Ne gjithashtu konfirmojmë pushtetin e fjalës së Perëndisë për të arritur qëllimin e tij të shpëtimit. Mesazhi i Biblës i drejtohet gjithë njerëzimit. Zbulesa e Perëndisë në Krishtin dhe në Shkrimet është e pandryshueshme. Përmes saj Shpirti i shenjtë ende flet sot. Ai ndriçon mendjet e popullit të Perëndisë në çdo kulturë për të kuptuar të vërtetën e saj plot gjallëri përmes syve të tyre dhe kështu nxjerr edhe më tepër në dritë për tërë Kishën mençurinë e shumëllojshme të Perëndisë.

(2Tim. 3:16; 2Pjet. 1:21; Gjn. 10:35; Isa. 55:11; 1Kor. 1:21; Rom. 1:16; Mat. 5:17,18; Juda 3; Efes. 1:17,18; 3:10,18)

3. VEÇANSHMËRIA DHE PëRGJITHSHMËRIA E KRISHTIT

Ne pohojmë që ekziston vetëm një Shpëtimtar dhe vetëm një ungjill, edhe pse ka një shumëllojshmëri të gjerë në drejtimet ungjillore. Ne e pranojmë që secili ka pak njohuri për Perëndinë përmes zbulesës së tij të përgjithshme në natyrë. Por ne mohojmë mundësinë e kësaj që të shpëtojë, sepse njerëzit e shtypin të vërtetën përmes padrejtësisë së tyre. Ne gjithashtu e kundërshtojmë, si diçka që është përçmuese ndaj Krishtit dhe ungjillit, çdo lloj mendimi apo dialogu që aludon se Krishtit flet njëlloj përmes të gjitha feve dhe ideologjive. Jezus Krishti, duke qenë vetë i vetmi Perëndi-njeri, i cili dha veten e tij si shpërblesë e vetme për lirimin e mëkatarëve, është i vetmi ndërmjetësues midis Perëndisë dhe njerëzve. Nuk ka asnjë emër tjetër përmes të cilit duhet të shpëtohemi. I gjithë njerëzimi është duke humbur për shkak të mëkatit, por Perëndia i do të gjithë, duke dashur që asnjëri prej tyre të mos humbasë por që të gjithë të pendohen. Por ata që e kundërshtojnë Krishtin refuzojnë gëzimin e shpëtimit dhe e dënojnë veten e tyre me ndarje të përjetshme nga Perëndia. Shpallja e Jezusit si “Shpëtimtar i botës” nuk do të thotë të pohosh se të gjithë njerëzit janë të shpëtuar automatikisht apo përfundimisht, dhe aq më pak të pohosh se të gjitha fetë ofrojnë shpëtimin në Krishtin. Përkundrazi, kjo do të thotë të proklamosh dashurinë e Perëndisë për një botë mëkatarësh dhe të ftosh secilin që t’i përgjigjet atij si Shpëtimtar dhe Zot me anë të përkushtimit të sinqertë personal të pendimit dhe besimit. Jezus Krishti është lartësuar mbi çdo emër tjetër; ne dëshirojmë ditën kur çdo gju do të përkulet para tij dhe çdo gjuhë do të pohojë se Ai është Zot.

(Gal. 1:6-9; Rom. 1: 18-32; 1Tim. 2, 5; Vep. 4:12; Gjn. 3:16-19; 2Pj. 3: 9; 2Sel. 1: 7-9; Gjn. 4:42; Mt. 11: 28; Efes. 1: 20,21; Fil. 2: 9-11)

4. NATYRA E UNGJILLIZIMIT

Të ungjillizosh është të shpërndash lajmin e mirë se Jezus Krishti vdiq për mëkatet tona dhe se është ringjallur nga të vdekurit sipas Shkrimeve, dhe si Zot sundimtar Ai tani ofron faljen e mëkateve dhe dhurata çliruese të Shpirtit të shenjtë të gjithë atyre që pendohen dhe besojnë. Prania jonë e krishterë në botë është e domosdoshme për ungjillizimin, dhe kështu është edhe ai lloj i dialogut qëllimi i të cilit është që të dëgjojmë me ndjeshmëri që të mund të kuptojmë. Por vetë ungjillizimi është shpallje e Krishtit historik dhe biblik, si Shpëtimtar dhe Zot, me qëllim të bindjes së njerëzve që të vijnë te Ai personalisht dhe kështu të pajtohen me Perëndinë. Duke dhënë ftesën e ungjillit ne nuk kemi liri për të fshehur çmimin e dishepullimit. Jezusi ende thërret të gjithë ata që duan ta ndjekin atë që ta mohojnë veten e tyre, të marrin kryqin e tyre, dhe të identifikojnë veten e tyre me këtë bashkësi të re. Rezultatet e ungjillizimit përfshijnë bindjen ndaj Krishtit, përfshirjen në Kishën e tij dhe shërbim të përgjegjshëm në botë.

(1Kor. 15: 3,4; Vep. 2:32-39; Gjn. 20:21; 1Kor. 4:5; 5:11,12; Lk. 14:25-33; Mk. 8:34; Vep. 2:40,47; Mk. 10:43-45)

5. PËRGJEGJëSIA SOCIALE E TË KRISHTERëVE

Ne pohojmë që Perëndia është Krijuesi dhe Gjykatësi i të gjithë njerëzve. Prandaj ne duhet të ndajmë interesimin e tij për drejtësi dhe pajtim në gjithë shoqërinë njerëzore dhe për çlirimin e njerëzve nga çdo formë e shtypjes. Pasi që njerëzit janë krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, çdo person, pa marrë parasysh racën, fenë, ngjyrën, kulturën, klasën, gjininë dhe moshën, kanë dinjitetin e tyre për të cilin ai ose ajo duhet të respektohen dhe shërbehen, dhe jo të shfrytëzohen. Këtu gjithashtu ne shprehim pendesën për mospërfilljen tonë si dhe që kemi shikuar nganjëherë ungjillizimin dhe kujdesin social si reciprokisht të veçanta. Edhe pse pajtimi me njerëzit e tjerë nuk është pajtim me Perëndinë, as veprat sociale nuk janë ungjillizim, dhe as çlirimi politik nuk është shpëtim, prapseprap ne pohojmë se ungjillizimi dhe përfshirja sociale dhe politike janë që të dyja pjesë e detyrës sonë të krishterë. Pasi që të dyja janë shprehje të nevojshme të doktrinës sonë për Perëndinë dhe njeriun, për dashurinë tonë ndaj fqinjëve tanë dhe për bindjen tonë ndaj Jezus Krishtit. Mesazhi i shpëtimit përfshin gjithashtu mesazhin e gjykimit mbi çdo formë të armiqësimit, shtypjes dhe diskriminimit, dhe ne nuk duhet të kemi frikë për të denoncuar të keqen dhe padrejtësinë kudo që ajo ekziston. Kur njerëzit e pranojnë Krishtin ata kanë lindur sërish në mbretërinë e tij dhe ata duhet të kërkojnë jo vetëm që ta shfaqin por edhe ta shpërndajnë drejtësinë e saj në mes të një bote të padrejtë. Shpëtimin që ne e pohojmë duhet të na transformojë plotësisht në përgjegjësitë tona personale dhe sociale. Besimi pa vepra është i vdekur.

(Vep. 17:26,31; Zan. 18:25; Isa. 1:17; Ps. 45:7; Zan. 1:26,27; Jak. 3:9; Lev. 19:18; Lk. 6:27,35: Jak. 2:14-26; Gjn. 3:3.5; Mt. 5:20; 6:33; 2Kor. 3: 18; Jak. 2: 20)

6. KISHA DHE UNGJILLIZIMI

Ne pohojmë se Krishti dërgon popullin e shpenguar të tij në botë ashtu si Ati e dërgoi atë, dhe kjo gjë thërret për një hyrje të ngjashme në botë që është e thellë dhe e kushtueshme. Ne duhet të dalim jashtë nga getot e bashkësive dhe të depërtojmë në shoqërinë jokrishtere. Në misionin e shërbimit flijues të Kishës ungjillizimi është parësor. Ungjillizimi botëror kërkon nga e gjithë Kisha që të dërgojë ungjillin në të gjithë botën. Kisha është në qendrën kryesore të qëllimit kozmik të Perëndisë dhe është vegla e tij e caktuar për shpërndarjen e ungjillit. Por një kishë që predikon kryqin duhet të jetë edhe vetë e njohur nga kryqi. Ajo bëhet një gur pengese për ungjillizim kur ajo tradhëton ungjillin ose kur i mungon besimi i gjallë në Perëndinë, dashuria e mirëfilltë për njerëzit, apo ndershmëria e sinqertë në të gjitha gjërat përfshirë këtu ngritjen në përgjegjësi dhe financat. Kisha është komuniteti i popullit të Perëndisë dhe jo një institucion, dhe nuk duhet të identifikohet nga ndonjë kulturë e veçantë, ndonjë sistem politik apo social, ose nga ideologjia njerëzore.

(Gjn. 17:18; 20:21; Mt. 28:19,20; Vep. 1:8; 20:27; Efes. 1:9,10; 3:9-11; Gal. 6:14,17; 2Kor. 6:3,4; 2Tim. 2:19-21; Fil. 1:27)

7. BASHKËPUNIMI NË UNGJILLIZIM

Ne pohojmë se qëllimi i Perëndisë është uniteti i dukshëm i Kishës në të vërtetën. Ungjillizimi gjithashtu na bashkon në unitet, sepse të qenurit një e forcon dëshminë tonë, ashtu sikur mosuniteti nënvlerëson ungjillin tonë të pajtimit. Megjithatë, ne e pranojmë se uniteti organizativ mund të marrë forma të ndryshme dhe nuk përparon patjetër Ungjillizimin. Por ne që ndajmë të njëjtin besim biblik duhet të jemi të lidhur mirë në bashkësi, punë dhe dëshmi. Ne pohojmë që dëshmia jonë ka qenë nganjëherë e dëmtuar nga individualizmi mëkatar dhe dyfishimi i panevojshëm. Ne zotohemi që të kërkojmë një unitet më të thellë në të vërtetën, në adhurim, shenjtëri dhe në mision. Ne nxisim zhvillimin e bashkëpunimit rajonal dhe funksional për përparimin e misionit të Kishës, për planifikimin strategjik, për inkurajimin reciprok, dhe për ndarjen e mjeteve dhe të përvojës.

(Gjn. 17:21,23; Efes. 4:3,4; Gjn. 13:35; Fil.1:27; Gjn. 17:11-23)

8. KISHAT NË PARTNERITET UNGJILLIZUES

Ne gëzohemi që një epokë e re ungjillizimi ka filluar. Roli dominues i misioneve perëndimore po zhduket shpejt. Perëndia është duke ngritur nga kishat e reja një mjet të ri madhështor për Ungjillizimin e botës, dhe kështu demonstron që përgjegjësia për ungjillizim i takon gjithë trupit të Krishtit. Prandaj të gjitha kishat duhet ta pyesin Perëndinë dhe veten e tyre se çfarë duhet të bëjnë për t’i arritur ata që ndodhen në zonën e tyre dhe për të dërguar misionarë në pjesët e tjera të botës. Rivlerësimi i përgjegjësisë dhe rolit tonë misionar duhet të jetë i vazhdueshëm. Në këtë mënyrë do të zhvillohet një partneritet rritës i kishave dhe karakteri universal i Kishës së Krishtit do të shfaqet qartë. Ne gjithashtu falenderojmë Perëndinë për agjencitë që punojnë në përkthimin e Biblës, në edukimin teologjik, në mjetet e komunikimit masiv, me literaturën krishtere, me ungjillizime, me misione, me përtëritjen e kishës dhe me fusha të tjera të specializuara. Edhe ato gjithashtu duhet të përfshihen në vetekzaminimin e vazhdueshëm për të vlerësuar efikasitetin e tyre si pjesë e misionit të Kishës.

(Rom. 1:8; Fil. 1:5;4:15; Vep. 13:1-3; 1Sel.1:6-8)

9. URGJENCA E PUNëS Së UNGJILLIZIMIT

Më tepër se 2,700 milionë njerëz, që është më tepër se dy e treta e tërë njerëzimit, ende duhet të ungjillizohen. Neve na vjen turp se shumë njerëz kanë qenë të lënë pas dore; është një qortim i përhershëm ndaj nesh dhe ndaj gjithë Kishës. Megjithatë, në shumë vende të botës tani ka pranim të pashembulltë të Zotit Jezus Krisht. Ne jemi të bindur se kjo është koha kur kishat dhe agjencitë kishtare duhet të luten seriozisht për shpëtimin e të paarriturve dhe të fillojnë përpjekje të reja për të arritur ungjillizimin botëror. Pakësimi i misionarëve të huaj dhe paratë në një vend të ungjillizuar janë ndonjëherë të nevojshme për të ndihmuar rritjen e kishës kombëtare në vetëmbështetje dhe për t’i çliruar mjetet për vendet e paungjillizuara. Misionarët duhet të lëvizin shumë më lirshëm nga të gjashtë kontinentet dhe nëpër to, në frymën e shërbimit të përulur. Qëllimi duhet të jetë, që me çdo mjet në dispozicion dhe sa më shpejtë, çdo person të ketë mundësinë të dëgjojë, kuptojë, dhe të pranojë Lajmin e Mirë. Ne nuk mund të shpresojmë që ta arrijmë këtë qëllim pa sakrificë. Të gjithë ne jemi të tronditur nga varfëria e miliona njerëzve dhe jemi të shqetësuar nga padrejtësitë që e shkaktojnë këtë gjë. Ata prej nesh që jetojnë në rrethana të begatshme e pranojnë detyrën tonë që të zhvillojmë një stil të thjeshtë jetësor që të mund të kontribuojmë më bujarisht drejt ndihmës materiale dhe ungjillizimit.

(Gjn. 9:4; Mt. 9:35-38; Rom. 9:1-3; 1Kor. 9:19-23; Mk. 16:15; Isa. 58:6,7; Jak. 1:27; 2:1-9; Mt. 25:31-46; Vep. 2:44,45; 4:34,35)

10. UNGJILLIZIMI DHE KULTURA

Zhvillimi i strategjive për Ungjillizimin e botës kërkon për metoda imagjinative nismëtare. Nën Perëndinë, rezultati i kësaj do të jetë ngritja e kishave që janë të rrënjosura thellë në Krishtin dhe që janë së afërmi të lidhura me kulturën e tyre. Kultura duhet gjithmonë të provohet dhe gjykohet nga Shkrimet. Pasi që njerëzimi është krijesa e Perëndisë, diçka nga kultura e tyre është e pasur në bukuri dhe mirësi. Pasi që njerëzit kanë rënë, e tëra kjo është e prishur nga mëkati dhe ca është edhe demonike. Ungjilli nuk presupozon epërsinë e ndonjë kulture mbi tjetrën, por i vlerëson të gjitha kulturat sipas kriterit të tij të së vërtetës dhe të drejtësisë, dhe ngulmon në absolutet morale në çdo kulturë. Misionet shpeshherë kanë eksportuar së bashku me ungjillin edhe një kulturë të huaj dhe kishat kanë qenë në varësi të kulturës në vend të Shkrimeve. Ungjilltarët e Krishtit duhet të kërkojnë me përulje zbrazjen e vetës së tyre nga të gjitha përveç nga burimësia personale që të bëhen shërbëtorët e të tjerëve, dhe kishat duhet të kërkojnë që të transformohen dhe të pasurojnë kulturën, të gjitha këto për lavdinë e Perëndisë.

(Mk. 7:8,9,13; Zan. 4:21,22; 1Kor. 9:19-23; Fil. 2:5-7; 2Kor.4:5)

11. EDUKIMI DHE UDHëHEQJA

Ne pohojmë që nganjëherë kemi synuar rritjen e kishës në llogari të thellësisë së kishës, dhe kemi ndarë ungjillizimin nga edukimi i krishterë. Ne gjithashtu e pranojmë që disa nga misionet tona kanë qenë shumë të ngadalshme në pajisjen dhe inkurajimin e drejtuesve që të marrin përsipër përgjegjësitë që ju takojnë. Por ne jemi të përkushtuar ndaj parimeve vendase, dhe mezi presim që çdo kishë të ketë drejtues kombëtarë që do të manifestojnë stilin e krishterë të drejtimit, jo të shprehjes së dominimit por të shërbimit. Ne e kuptojmë që ka nevojë që të përmirësohet edukimi teologjik, veçanërisht për drejtuesit e kishës. Në secilin komb dhe kulturë duhet të ketë një program për përgatitjen e pastorëve dhe besimtarëve në doktrinë, dishepullim, ungjillizim, kujdes dhe shërbim. Këto programe stërvitëse nuk duhet të mbështeten në një metodologji stereotipe, por duhet të zhvillohet nga iniciativat kreative lokale sipas standardeve biblike.

(Kol. 1: 27,28; Vep. 14:23; Tit. 1:5,9: Mk. 10:42-45; Efes. 4:11,12)

12. KONFLIKTI SHPIRTëROR

Ne besojmë që ne jemi të përfshirë në një luftë të vazhdueshme shpirtërore me principatat dhe pushtetet e këqija, që kërkojnë ta rrëzojnë Kishën dhe ta pengojnë detyrën e saj të ungjillizimit të botës. Ne e dimë që kemi nevojë të pajisim veten tonë me armatimin e Perëndisë dhe ta luftojmë këtë betejë me armët shpirtërore të së vërtetës dhe lutjes. Sepse ne e dallojmë aktivitetin e armikut tonë, jo vetëm në ideologjitë e gabuara jashtë Kishës, por gjithashtu edhe brenda saj me ungjij të rremë që shtrembërojnë Shkrimet dhe vendosin njerëzit në vendin e Perëndisë. Ne kemi nevojë për vigjilencë dhe dallim për të ruajtur ungjillin biblik. Ne e pranojmë që ne vetë nuk jemi imun ndaj sjelljes sikur bota në mendimet dhe veprimet tona, pra, ndaj dorëzimit drejt sekularizimit. Për shembull, edhe pse studimet e kujdesshme të rritjes së kishës, qoftë në numër ose në frymë, janë të drejta dhe të vlefshme, ne nganjëherë i kemi lënë pas dore. Herëve të tjera, me dëshirë që të marrim sa më tepër përgjigje ndaj ungjillit, ne kemi kompromentuar mesazhin tonë, kemi manipuluar dëgjuesit tanë përmes teknikave shtypëse, dhe kemi qenë tepër të shqetësuar me statistikat ose edhe me mënyrën e pandershme të përdorimit të tyre. E tëra kjo është sjellje e kësaj bote. Kisha duhet të jetë në botë; bota nuk duhet të jetë në Kishë.

(Efes. 6:12; 2Kor. 4:3,4; Efes. 6: 11,13-18; 2Kor. 10:3-5; 1Gjn. 2:18-26; 4:1-3; Gal. 1:6-9; 2Kor. 2: 17; 4:2; Gjn. 17:15)

13. LIRIA DHE PëRNDJEKJA

Për çdo qeveri është caktuar detyra nga Perëndia që ajo të sigurojë kushtet për paqe, drejtësi dhe liri në të cilën Kisha mund t’i bindet Perëndisë, t’i shërbejë Zotit Jezus Krisht, dhe të predikojë ungjillin pa pengesë. Prandaj ne lutemi për drejtuesit e kombit dhe drejtohemi drejt tyre për garantimin e lirisë së mendimit dhe ndërgjegjes, dhe lirisë për të praktikuar dhe përhapur fenë në përputhje me vullnetin e Perëndisë dhe ashtu siç është vendosur në Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut. Ne gjithashtu shprehim shqetësimin tonë të thellë për të gjithë që kanë qenë padrejtësisht të burgosur, dhe veçanërisht ata që janë duke vuajtur për dëshminë e tyre për Zotin Jezus. Ne premtojmë që do të lutemi dhe punojmë për lirimin e tyre. Në të njëjtën kohë ne refuzojmë të kërcënohemi nga fati i tyre. Duke na ndihmuar Perëndia, ne do të kërkojmë që të qëndrojmë kundër padrejtësisë dhe të mbetemi besnik ndaj ungjillit, pa marrë parasysh çmimin. Ne nuk harrojmë paralajmërimet e Jezusit që përndjekja është e pashmangshme.

(1Tim. 1:1-4; Vep. 4:19; 5:29; Kol. 3:24; Heb. 13:1-3; Lk. 4:18; Gal. 5:11; 6:12; Mt. 5:10-12; Gjn. 15:18-21)

14. FUQIA E SHPIRTIT Të SHENJTë

Ne besojmë në fuqinë e Shpirtit të shenjtë. Ati dërgoi Shpirtin e tij që të dëshmojë për Birin e tij, dhe pa dëshminë e tij, ajo e jona është e kotë. Bindja për mëkat, për besimin tek Krishti, rilindjen dhe rritjen e krishterë, të gjitha këto janë puna e tij. Për më tepër, Shpirti i shenjtë është frymë misionare: kështu që ungjillizimi duhet të ngrihet vetëvetiu nga një Kishë që është e mbushur me Shpirtin. Një kishë që nuk është misionare është në kundërshtim me vetveten dhe është duke e shuar Shpirtin. Ungjillizimi mbarëbotëror do të bëhet një mundësi reale vetëm atëherë kur Shpirti e ripërtërin Kishën në të vërtetën dhe në mençuri, besim, shenjtëri, dashuri dhe fuqi. Prandaj ne i thërrasim të gjithë të krishterët që të luten për një vizitë të tillë të Shpirtit sovran të Perëndisë që të gjitha frytet e tij të mund të shfaqen në të gjithë popullin e tij dhe që dhuntitë e tij të mund të pasurojnë trupin e Krishtit. Vetëm atëherë e tërë bota do të bëhet një instrument i përshtatshëm në duart e tij, që tërë toka të mund të dëgjojë zërin e tij.

(1Kor. 2:4; Gjn. 15: 26,27; 16:8-11; 1Kor. 12:3; Gjn. 3:6-8; 2Kor. 3:18; Gjn. 7:37-39; 1Sel. 5:19; Vep. 1:8; Ps. 85:4-7; 67:1-3; Gal. 5:22; 23; 1Kor. 12:4-31; Rom. 12: 3-8)

15. KTHIMI I KRISHTIT

Ne besojmë që Jezus Krishti do të kthehet personalisht dhe dukshëm, në fuqi dhe lavdi, për të përfunduar shpëtimin dhe gjykimin e tij. Ky premtim i kthimit të tij është një nxitje tjetër për ungjillizimin tonë, sepse ne mbajmë mend fjalët e tij që ungjilli duhet së pari t’u predikohet të gjitha kombeve. Ne besojmë që periudha e ndërmjetme midis ngritjes së Krishtit dhe kthimit të tij është që ajo të mbushet me misionin e popullit të Perëndisë, të cilët nuk ka liri që t’i ndalë para se vjen fundi. Ne gjithashtu kujtojmë paralajmërimin e tij për Krishtët e rremë dhe profetët e rremë që do të ngrihen si pararendësit e Antikrishtit përfundimtar. Prandaj ne kundërshtojmë idenë që njerëzit mund të ndërtojnë një utopi në tokë, si një ëndërr krenare që është e sigurtë në vetvete. Besimi ynë i krishterë është që Perëndia do ta përsosë mbretërinë e tij, dhe ne mezi presim me parandjenjë të padurueshme atë ditë, dhe qiellin e ri dhe tokën e re në të cilën drejtësia do të jetojë dhe Perëndia do të sundojë përgjithmonë. Deri atëherë, ne e ripërkushtojmë veten tonë ndaj shërbimit të Krishtit dhe të popullit, në një nënshtrim plot me gëzim ndaj autoritetit të tij mbi gjithë jetat tona.

(Mk. 14:62; Heb. 9:28; Mk. 13:10; Vep. 1:8-11; Mt. 28:20; Mk. 13:21-23; Gjn. 2:18; 4:1-3; Lk. 12:32; Zb. 21:1-5; 2Pjt. 3:13; Mt. 28:18)

PËRFUNDIM

Prandaj, në dritën e besimit dhe të vendimit tonë, ne hyjmë në besëlidhje solemne me Perëndinë dhe me njëri-tjetrin, që të lutemi, të planifikojmë dhe të punojmë së bashku për Ungjillizimin e tërë botës. Ne thërrasim të tjerët të na bashkangjiten. Perëndia na ndihmoftë me anë të hirit të tij dhe për lavdinë e tij, që ne të jemi besnik ndaj besëlidhjes sonë! Amen, Haleluja!

PASTHËNIE

Kongresi më i rëndësishëm i të krishterëve protestantë gjatë shekullit të kaluar u mbajt në Lozanë të Zvicrës, që tashmë njihet me emrin “Besëlidhja e Lozanës”. Ky kuvend miratoi një trakt të përgjithshëm, me theks të posaçëm për t’i dhënë kurajo predikimit të ungjillit, zhvillimit të kishës kombëtare si dhe ngritjes së liderëve nacional. Kongresi u mblodh nën moton “Ta bëjmë të njohur Krishtin së bashku”, dhe u thirr nga predikuesi i mirënjohur Billi Graham më 1974.

“Besëlidhja e Lozanës” është dokumenti më i rëndësishëm i doktrinës krishtere protestante, si për kah ana e zbatimit të tij ashtu edhe për kah qëllimi dhe uniteti i Porosisë së Madhe të Jezus Krishtit, Zotit dhe Shpëtimtarit të botës, për shpëtimin e njeriut, për shpërndarjen e ungjillit, për kishën e tij etj.

Besëlidhja e Lozanës është një dokument doktrinar joobligativ për të krishterët, i sajuar nga përfaqësuesit më të njohur të më shumë se 150 kombeve, si: teologë, ungjilltarë, pastorë etj.; dhe si i tillë është në kontiunitetin e shumë dokumenteve historike dhe të koncileve kishtare, që më të njohurat janë: Kuvendi i Jerusalemit, Kuvendi i Nices, Kuvendi i Trentit, dhe ky i fundit i njohur si Besëlidhja e Lozanës. Ky dokument edhe sot afirmohet dhe është sfidë për shumë kisha dhe denominacione të krishterë, kurse nga teologjia praktike biblike Besëlidhja e Lozanës shërben për të identifikuar se cilat kisha dhe cilat denominacione krishtere janë protestante.

Përmbajtja e Besëlidhjes së Lozanës ndahet në dy pjesë kryesore: në pjesën “çka besojmë”, dhe në pjesën “organizohemi për ungjillin”. Çështjet në pjesën e dytë mbesin gjërat më sfiduese për të gjithë ata që e duan Jezusin për Zotin dhe Shpëtimtarin e tyre, për: unitetin dhe disunitetin mes të krishterëve, bashkëungjillizimin, kujdesin social, validiteti i misionimit, zhvillimi i kishës dhe i udhëheqjes kombëtare, zhvillimi dhe pasurimi i kulturës kombëtare prej të krishterëve dhe kishës ungjillore, liria e besimit dhe të drejtat e njeriut etj.