RUAJE VETEN TËNDE

Inkurajim per miqte e mi – Nga Pastor Tomor Ajeti.

‘Ai që ka lindur nga Perëndia e ruan veten e tij dhe i ligu nuk e prek atë.’ 1 Gjoni 5:18
Çdo fëmijë i Perëndisë është i nxitur nga Fjala e Tij që ta ruajë veten nga i ligu. Ky nuk është thjeshtë një sugjerim por një këshillë që vjen nga Ati qiellor për bijtë dhe bijat e Tij dhe ne duhet ta dëgjojmë me kujdes.
Së pari duhet të ruajmë frymën tonë. Fryma jonë ka mundësi të ndotet nga gjërat e papastra frymërore, në veçanti nga idhujt. Çfarë janë idhujt? Idhujt janë ato gjëra që zënë vendin e Perëndisë në jetën tonë, dhe mund të jenë idhuj njerëzorë, material si dhe imagjinar. Shembuj mund të jenë të shumtë por mjafton që ‘diçka’ ose ‘dikush’ të marr më shumë kohë sesa Perendia dhe vullneti i Tij, dhe kjo ‘gjë’ ose ky ‘person’ zë vendin e idhullit në jetën tonë sepse vjedh atë përkushtim që i takon vetëm dhe vetëm Perëndisë.
Së dyti duhet të ruajmë shpirtin tonë. Shpirti është ajo pjesë e qënies sonë ku përfshihen mendja, vullneti dhe emocionet tona. Nëse ka diçka që duhet të ruajmë vazhdimisht nga i ligu, kjo sot do të ishte mendja jonë. Ajo bombardohet me të keqen pothuajse vazhdimisht përmes medias negative, Internetit dhe reklamave që shikojmë edhe në rrugët tona, që absolutisht nuk meritojnë të jenë aty, së pari për shkak të fëmijëve (si reklamat e klubeve të natës me femra pothuajse lakuriqe dhe produkteve të ndryshme që nuk kanë të bëjnë asgjë me seksualitetin por të çojnë në atë drejtim) dhe së dyti, sepse nuk kanë të drejtën morale të jenë në rrugët e qytetit. Duke qenë se i ligu vepron përmes gjërave vizive, është përgjegjësia jonë të vendosim gjërat e duhura para syve tanë për aq kohë sa e kemi ne në dorë si psh. celulari ose TV në shtëpi.
Së treti duhet të ruajmë trupin tonë.Trupi është ajo pjesë e qënies sonë që Bibla e quan ‘tenda’. Kjo dmth që këtë trup e kemi përkohësisht ndaj dhe duhet ta ruajmë nga çdo ndikim që e dëmton atë. Çfarë e dëmton trupin tonë ose çfarë e ndot atë? Ka disa gjëra që e ndotin trupin por Bibla thotë që një gjë që e ndot trupin më shumë se gjithçka tjetër është marrëdhënia seksuale jashtëmartesore dhe çdo lidhje seksuale që është jo e natyrshme.
Një fëmijë i Perëndisë e ruan trupin e tij/saj nga çdo lidhje e tillë dhe virgjëria në Bibël është edhe për meshkujt edhe për femrat. Pra kushdo që e ruan veten e tij/saj para martesës është i/e virgjër në trup sipas planit të Perëndisë.
Trupi mund të dëmtohet edhe nga konsumimi i substancave të dëmshme përmes ushqimit dhe përdorimit të tyre me tepricë. Ka substanca të tilla që shkaktojnë edhe vartësi të dëmshme që mund të shkaktojnë sëmundje fizike dhe të shkurtojnë jetëgjatësinë e planifikuar nga Perendia në jetën tonë. Për të tilla substancave fëmijët e Perëndisë duhet t’i kushtojnë kujdes të veçantë duke e ditur se substancat e tilla qarkullohen edhe falas në vendin tonë për t’i futur në prangat e të ligut jo vetëm të rriturit por edhe fëmijët nëpër shkollat tona.Trupi ynë ështe tempulli i Frymës së Shenjtë dhe duhet t’i kushtojmë kujdesin e veçantë që meriton sipas Fjalës së Perëndisë.
I ligu (satani) nuk është armik vetëm me Perëndinë por është edhe armik me njeriun, ndaj dhe duhet ta ruajmë veten tonë nga ky armik i padukshëm qe dëshiron të na prek me ligësinë e tij. Le të mos i japim vend atij as në frymën tonë as në shpirtin tonë dhe as në trupin tonë.
Ne jemi kryevepra e Perëndisë përmes aktit të krijimit. Le që gjithë qënia jonë (fryma, shpirti dhe trupi) të ruhen pa të metë deri në shfaqjen e Zotit tonë Jezu Krisht. (1 Sel.5:23).

0 Comments

Add a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *