Jeta pas pagëzimit

Çfarë të themi, pra? A të mbetemi në mëkat, që të teprojë hiri? Aspak! Ne që jemi të vdekur për mëkatin, si do të jetojmë akoma në të? Po a nuk e dini se ne të gjithë që u pagëzuam në Jezu Krishtin, u pagëzuam në vdekjen e tij? Ne, pra, u varrosëm me të me anë të pagëzimit në vdekje, që, ashtu si Krishti u ringjall prej së vdekurish me anë të lavdisë së Atit, kështu edhe ne gjithashtu të ecim në risinë e jetës. Sepse, nëse u bashkuam me Krishtin në një vdekje të ngjashme me të tijën, do të jemi edhe e ringjalljes së tij, duke ditur këtë: se njeriu ynë i vjetër u kryqëzua me të, që trupi i mëkatit mund të jetë anuluar dhe që ne të mos i shërbejmë më mëkatit” (Romakëve 6:1-6).

Pagëzimi është një nga pjesët përbërëse kryesore të jetës së besimtarit. Me anë të pagëzimit, njeriu që e ka pranuar Krishtin si Zot dhe Shpëtimtar, iu tregon të tjerëve se ia ka përkushtuar jetën shërbesës së Tij. Besimtari, tek qëndron afër ujit, gati për t’u pagëzuar, deklaron: “Kam vendosur ta ndjek Jezusin”. Dishepujve të Zotit iu dha urdhër, që t’i pagëzonin dishepujt e rinj. “Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës. Amen” (Mateu 28:19-20). Të dyja pjesët e këtij urdhërimi duhen zbatuar derisa Jezusi të vijë përsëri e ta marrë Kishën e Tij për në Qiell. Ç’ndodh pas pagëzimit? Në këtë studim, do t’i hedhim një sy shkurtimisht se ç’pritet prej besimtarit, pasi të jetë pagëzuar.

Ringjallja

Sepse, nëse u bashkuam me Krishtin në një vdekje të ngjashme me të tijën, do të jemi edhe e ringjalljes së tij” (Romakëve 6:5).

Në pagëzim, besimtari sikur merr pjesë në një dramë vizuale. Pagëzimi i ngjan varrimit, sepse, ashtu siç trupi i vdekur varroset në varr, ashtu edhe zhytja nën ujë simbolizon vdekjen e jetës së vjetër të mëkatit. Për më tepër, pagëzimi tregon se besimtari e di se Jezusi ia mori atij mëkatet mbi supet e Veta në kryq dhe se ato mëkate u varrosën të njëjtën ditë që u varros edhe Jezusi në varr. Ashtu siç u ringjall Zoti të tretën ditë, për të treguar se mëkati u mposht me anë të gjakut të Tij, ashtu edhe besimtari ngrihet prej ujit, për të simbolizuar një jetë të re në Krishtin, të çliruar prej mëkatit. “Duke ditur këtë: se njeriu ynë i vjetër u kryqëzua me të, që trupi i mëkatit mund të jetë anuluar dhe që ne të mos i shërbejmë më mëkatit” (Romakëve 6:6)… “Prandaj nëse dikush është në Krishtin, ai është një krijesë e re; gjërat e vjetra kanë shkuar; ja, të gjitha gjërat u bënë të reja” (2 Korintasve 5:17).

Drejtësia

Ç’ndodh pas pagëzimit? Si duhet të sillet besimtari? Ngaqë dalja nga uji simbolizon ringjalljen, apo jetën e re, atëherë edhe besimtari duhet të vazhdojë të ecë në këtë jetë të re, me të cilën e ka bekuar Krishti. Fatkeqësisht, të shumtë janë ata, që duan të pagëzohen sa për t’u dukur. Por Perëndia e hedh poshtë një veprim të tillë. Njerëz të tillë jetojnë sikur s’u ka ndodhur gjë – mëkatojnë si më parë, edhe pse premtuan se do ta donin dhe do t’i shërbenin Zotit. Pali iu thotë këtyre njerëzve: “Atëherë, çfarë? Të mëkatojmë sepse nuk jemi nën ligj, por nën hir? Kështu mos qoftë!” (Romakëve 6:15). Këta njerëz nuk ishin çliruar aspak prej tutelës së mëkatit, ose me pak fjalë, nuk ishin të shpëtuar, ndaj edhe vazhdojnë të mëkatojnë pas pagëzimit. “Në fakt mëkati nuk do të ketë më pushtet mbi ju” (Romakëve 6:14). Njerëz të tillë përpiqen të bëjnë të pamundurën. “Askush nuk mund t’u shërbejë dy zotërinjve” (Mateu 6:24). Njeriu ose i shërben Perëndisë, ose i shërben mëkatit, por jo të dyve në të njëjtën kohë. “A nuk e dini ju se nëse e tregoni veten shërbëtorë të atij që i bindeni, jeni shërbëtorë të atij që i bindeni, qoftë mëkatit për vdekje, qoftë dëgjesës për drejtësi?” (Romakëve 6:16).

Kërkesa

Kështu edhe ju, konsideroheni veten të vdekur për mëkatin, por të gjallë për Perëndinë, në Jezu Krishtin, Zotin tonë. Le të mos mbretërojë, pra, mëkati në trupin tuaj të vdekshëm, që t’i bindeni atij në epshet e veta. As mos i jepni gjymtyrët tuaja në shërbim të mëkatit si mjete paudhësie, por tregoni veten tuaj te Perëndia, si të gjallë prej së vdekurish, dhe gjymtyrët tuaja si mjete drejtësie për Perëndinë” (Romakëve 6:11-13).

Pali na e bën të qartë se besimtarët e vërtetë duhet të jetojnë për Zotin, jo t’ia bëjnë qejfin jetës së tyre mëkatare. Nëse po jetojmë akoma sipas jetës së vjetër, atëherë nuk mund të jemi gjallë në Krishtin dhe, nëse nuk jemi gjallë në Krishtin, atëherë nuk e kemi Atë si Shpëtimtarin tonë. “Ai nuk është perëndi i të vdekurve, por i të gjallëve, sepse të gjithë jetojnë për të” (Luka 20:38). Të gjithë pasuesve të Perëndisë iu kërkohet të jetojnë dhe të ecin në jetën e re. “Ne, pra, u varrosëm me të me anë të pagëzimit në vdekje, që, ashtu si Krishti u ringjall prej së vdekurish me anë të lavdisë së Atit, kështu edhe ne gjithashtu të ecim në risinë e jetës” (Romakëve 6:4).

I shërbejmë një Shpëtimtari të gjallë, i Cili erdhi për të na dhënë jetë, jo thjesht jetë të përjetshme pas vdekjes fizike, por jetë me bollëk pasi u rilindëm. “Unë kam ardhur që të kenë jetë e ta kenë me bollëk” (Gjoni 10:10). Kur themi se jemi thjesht njerëz dhe të prirur drejt mëkatit, apostulli Pal na sjell ndërmend faktin se i shërbejmë Atij, që kaloi çdo lloj forme tundimi dhe vështirësie, por pa mëkatuar. “Sepse ne nuk kemi kryeprift që nuk mund t’i vijë keq për dobësitë tona, po një që u tundua në të gjitha ashtu si ne, por pa mëkatuar. Le t’i afrohemi, pra, me guxim fronit të hirit, që të marrim mëshirë e të gjejmë hir, për të pasur ndihmë në kohë nevoje” (Hebrenjve 4:15-16). Ai na e hapi rrugën, me qëllim që të marrim fuqi prej Perëndisë, pavarësisht sesa të mëdha mund të jenë problemet, me të cilat mund të ballafaqohemi në të ardhmen. Me anë të lutjes afër “Fronit të Hirit”, do të marrim fuqi për ta përballuar çdo vështirësi. Tek 1 Korintasve 10:13, kjo quhet “Rrugëdalje”. “Asnjë tundim nuk ju ka gjetur juve, përveç se tundimi njerëzor; por Perëndia është besnik dhe nuk do të lejojë që t’ju tundojnë përtej fuqive tuaja, por me tundimin do t’ju japë dhe rrugë dalje, që ju të mund ta përballoni”. Ndoshta ka nga ata, të cilët nuk duan një rrugëdalje prej tundimit dhe mëkatit. Pse? Ngaqë nuk ia kanë përkushtuar jetën Krishtit, për t’i shërbyer Atij. Kjo kërkesë na bëhet mëse e qartë tek Romakëve 12:1-2, “O vëllezër, po ju bëj thirrje, nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, ta paraqisni trupin tuaj si fli të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia, që është shërbesa juaj e mënçur. Dhe mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë”… “Hiqni dorë nga çdo dukje e ligë” (1 Thesalonikasve 5:22).

Përfundim

Jemi anëtarë të familjes së Perëndisë, ndaj edhe duhet të sillemi si të tillë. Nuk ka vend për rebelë në familjen e Zotit! Duhet të vdesim ndaj mëkatit dhe të jemi të gjallë në Krishtin. Vetëm kështu mund të jetojmë siç duhet pasi të pagëzohemi. “O njeri, ai të ka bërë të njohur atë që është e mirë; dhe çfarë tjetër kërkon Zoti nga ti, përveç se të zbatosh drejtësinë, të duash mëshirën dhe të ecësh përulësisht me Perëndinë tënd?” (Mikaeu 6:8).

0 Comments

lere me poshte komentin tend