Pse pagëzohen të krishterët?

Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës. Amen” (Mateu 28:19-20).

Pagëzimi, një nga themelet kryesore biblike, është keqkuptuar dhe është abuzuar prej grupeve të ndryshme kishtare. Shumica e njerëzve kujtojnë se pagëzimi është thjesht spërkatja e kokës së foshnjeve (apo të së rriturve) me ujë. Ka nga ata që nuk besojnë fare në domosdoshmërinë e pagëzimit. Ka nga ata që pagëzohen vetëm në emrin e Jezusit, kurse mormonët pagëzohen për hatër të të vdekurve. Të tjerë pagëzohen disa herë me rradhë gjatë jetës. Por ç’na thotë Bibla rreth kësaj çështjeje?

Pse duhet të pagëzohet besimtari në ujë?

Sipas Jezusit, pagëzimi është një urdhërim. Nëse Krishti është Zot i jetës sonë, nuk kemi pse t’i dimë dhe t’i kuptojmë mirë të gjitha arsyet e rëndësisë së pagëzimit – thjesht na duhet që t’i bindemi Atij dhe të pagëzohemi. Nëse Jezusi na dha urdhër që të pagëzohemi dhe iu tha dishepujve të Tij që t’i pagëzonin besimtarët e rinj, derisa Ai Vetë të kthehet përsëri, atëherë një besimtar që nuk është i pagëzuar, është i pabindshëm dhe kryeneç.

Ka nga ata besimtarë, që e kuptojnë rëndësinë e pagëzimit, por, për shkak se kanë mëkat në zemër, kanë frikë të pagëzohen. Ka të tjerë që nuk pagëzohen, ngaqë kanë frikë nga uji. A s’janë larë ndonjëherë në det apo në vaskë njerëz të tillë?! Në ato vende të botës, ku uji është me pakicë, pagëzimi mund të bëhet thjesht duke derdhur pak ujë mbi kokën e besimtarit.

Siç e thamë edhe më lart, bindja ndaj urdhërimit të Jezusit ka më shumë rëndësi sesa të kuptuarit e të gjitha arsyeve teologjike që kanë lidhje me këtë temë. Kjo vihet re qartë tek pasazhi biblik, që përshkruan pagëzimin e Jezus Krishtit prej Gjonit në lumin Jordan. “Atëherë erdhi Jezusi nga Galileja në Jordan te Gjoni për t’u pagëzuar prej tij. Por Gjoni e kundërshtoi fort duke i thënë: “Mua më duhet të pagëzohem prej teje dhe ti po vjen tek unë?’’ Dhe Jezusi, duke iu përgjigjur, u tha: “Lejo të bëhet për tani, sepse në këtë mënyrë përmbushim çdo drejtësi’’ Atëherë ai e lejoi. Dhe Jezusi, sapo u pagëzua, doli nga uji; dhe ja, qiejt iu hapën, dhe ai pa Frymën e Perëndisë duke zbritur si një pëllumb e duke ardhur mbi të; dhe ja një zë nga qielli që tha: “Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur’’ (Mateu 3:13-17). Së pari, Gjoni, i cili e dinte se pagëzimi ishte simbol i pendesës, nuk e kuptoi se përse kishte nevojë të pagëzohej Jezusi, por iu bind Atij, edhe pse kishte dyshime. Së dyti, Jezusi ia bëri të qartë Gjonit se pagëzimi ishte i nevojshëm, “sepse në këtë mënyrë përmbushim çdo drejtësi”. Ky ishte fillimi i shërbesës tokësore të Jezusit, ndaj edhe Ai po pagëzohej jo si shenjë pendimi, por për t’iu treguar të gjithëve se Ai ishte caktuar si “Kryeprift” (Hebrenjve 4:14). Së treti, Jezusin e kemi si shembull në jetën tonë të krishterë. “Sepse për këtë ju u thirrët, sepse edhe Krishti e vuajti për ne, duke ju lënë një shembull, që të ecni pas gjurmës së tij” (1 Pjetrit 2:21). Së fundi, Ati foli nga qielli, duke thënë se ishte i kënaqur me atë që po bënte i Biri, ndaj si mund të presupozojmë se Zoti është i kënaqur me ata, që nuk pranojnë të pagëzohen?

Kush mund të pagëzohet?

Bibla na e bën mëse të qartë se gjithkush, që beson në Krishtin, mund të pagëzohet. Nuk ka nevojë që të ndihemi “gati”, apo të presim, derisa ta kuptojmë mirë rëndësinë e pagëzimit. Të vetmit njerëz, që mund të pagëzohen, janë ata që janë në gjendje të besojnë. Kjo do të thotë se foshnjet nuk mund të besojnë dot për vete, ndaj edhe nuk duhet të pagëzohen. Nunët, p.sh. nuk përmenden fare në Bibël. Në ç’moshë, atëherë, duhet të pagëzohet besimtari? Atëherë kur ai është në gjendje t’i besojë vërtet Krishtit si Shpëtimtar. Adoleshentët, p.sh., apo edhe fëmijët më të vegjël, që shfaqin besim në Krishtin, mund të pagëzohen. Pavarësisht nga mosha, pra, ai/ajo që pagëzohet, duhet të jetë penduar për mëkatin, ta dojë me gjithë shpirt Jezusin dhe t’ia ketë përkushtuar jetën Atij.

Pagëzimi në ditët e sotshme është pak më i komplikuar sesa pagëzimi i përshkruar në Bibël. P.sh. duhet caktuar një datë dhe duhen bërë plane për shërbesën e pagëzimit në kishë. E megjithatë, po të dalë rasti, besimtari duhet të pagëzohet sa më parë, pa pritur për ceremoni! Kështu veproi edhe eunuku etiopas tek Veprat e Apostujve 8. Filipi ia shpjegoi se ç’do të thoshte ai pasazh biblik që po lexonte, duke i thënë, pa dyshim, se duhej të pendohej për mëkatin dhe eunuku tha: “Ja uji! Çfarë më pengon të pagëzohem?’’ (Veprat e Apostujve 8:36). I vetmi kusht ishte: “Nëse ti beson me gjithë zemër, mund ta bësh’’ Dhe ai u përgjigj duke thënë: “Unë besoj se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë’’ (Veprat e Apostujve 8:37). S’kishte pse të priste deri nesër, apo derisa të gjente një lumë më të mirë!

Si duhet të pagëzohet besimtari?

Besimtari i vërtetë duhet të pagëzohet, duke u zhytur plotësisht në ujë. Kjo ide rrjedh nga fjala “pagëzim”, që në greqisht ka kuptimin e një cope të zhytur në ujë, gati për t’u ngjyrosur me bojë. Po qe se copa nuk ishte e zhytur plotësisht në ujin me bojë, atëherë nuk do të ngjyrosej mirë dhe do të dukej sikur ishte “spërkatur” me bojë. Prandaj edhe në Bibël pagëzimi është një zhytje e plotë në ujë.

Pagëzimi simbolizon diçka që ka ndodhur brenda në zemrën e besimtarit, duke treguar se mëkati nuk ka më pushtet mbi të. Çdo njeri vuan prej virusit të mëkatit dhe Bibla na thotë se ne të gjithë jemi nën pushtetin e këtij virusi, por, nëse vdesim, ky virus nuk ka më pushtet mbi ne. Këtë e quajmë “vdekje ndaj mëkatit”. “Ne, pra, u varrosëm me të me anë të pagëzimit në vdekje, që, ashtu si Krishti u ringjall prej së vdekurish me anë të lavdisë së Atit, kështu edhe ne gjithashtu të ecim në risinë e jetës. Sepse, nëse u bashkuam me Krishtin në një vdekje të ngjashme me të tijën, do të jemi edhe e ringjalljes së tij, duke ditur këtë: se njeriu ynë i vjetër u kryqëzua me të, që trupi i mëkatit mund të jetë anuluar dhe që ne të mos i shërbejmë më mëkatit. Në fakt, ai që ka vdekur është shfajësuar nga mëkati” (Romakëve 6:4-7). Perëndia, jo vetëm që na fal, kur pendohemi, por edhe na jep fuqi që të çlirohemi prej tutelës dhe pushtetit të mëkatit. E shohim, pra, se pagëzimi simbolizon varrosjen në varr. Spërkatja me ujë nuk mund ta simbolizojë dot një gjë të tillë, ndaj edhe ata, që janë pagëzuar si foshnje, duhet të pagëzohen tamam si besimtarë, duke përmbushur kështu urdhërimin e Krishtit.

Përfundim

A e besojmë vërtet atë që na thotë Zoti në fjalën e Tij? Mos, vallë, kujtojmë se disa urdhërime nuk janë aq të rëndësishme, ndaj edhe nuk duhen zbatuar pikë për pikë? Fatkeqësisht, shumë besimtarë refuzojnë të pagëzohen për arsye të ndryshme, por arsyeja kryesore është mosbindja dhe mëkati. Pagëzimi tregon se jemi penduar për mëkatin dhe se dëshirojmë që t’i shërbejmë Shpëtimtarit. “Kështu edhe ju, konsideroheni veten të vdekur për mëkatin, por të gjallë për Perëndinë, në Jezu Krishtin, Zotin tonë. Le të mos mbretërojë, pra, mëkati në trupin tuaj të vdekshëm, që t’i bindeni atij në epshet e veta. As mos i jepni gjymtyrët tuaja në shërbim të mëkatit si mjete paudhësie, por tregoni veten tuaj te Perëndia, si të gjallë prej së vdekurish, dhe gjymtyrët tuaja si mjete drejtësie për Perëndinë” (Romakëve 6:11-13).

0 Comments

lere me poshte komentin tend