Katër fakte të rëndësishme rreth Fjalës së Perëndisë

Por ti qëndro në ato që mësove dhe u binde plotësisht, duke e ditur prej kujt i mësove, dhe se që nga fëmijëria i njeh Shkrimet e shenjta, të cilat mund të të bëjnë të ditur për shpëtimin me anë të besimit që është në Krishtin Jezus. I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë i përkryer, tërësisht i pajisur për çdo vepër të mirë” (2 Timoteut 3:14-17).

Parathënie

Në ditët e sotme, shumica e njerëzve e kanë hedhur poshtë Biblën, duke mos e konsideruar më atë si fjalën e frymëzuar dhe të pagabueshme të Perëndisë. Për këtë arsye, njerëzit nuk mbështeten më tek Bibla, sepse për ta, ajo nuk është më burimi i vetëm i autoritetit hyjnor. E nëse Biblës i ka humbur autoriteti, atëherë pse duhet t’i ndjekim më udhëzimet e saj? Më mirë ta lëmë Biblën të zërë pluhur në raftet e ndonjë muzeumi!

Mendime të tilla vihen re si në kishë, ashtu edhe në botë. Ato kanë bërë që njerëzimi, automatikisht, të paraqesë karakteristikat e përmendura tek 2 Timoteut 3:1-5, “Dhe dije këtë: në ditët e fundit do të vijnë kohë të vështira, sepse njerëzit do të jenë egoistë, lakmues parash, mburravecë, krenarë, blasfemues, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të paudhë, të padhembshur, të papajtueshëm, shpifës, të papërmbajtur, mizorë, që s’e duan të mirën, tradhtarë, kokëshkretë, fodullë, dëfrimdashës më fort se perëndidashës, të perëndishëm në dukje, por mohues të fuqisë së saj; edhe nga këta largohu”. Njeriu bëhet zot i vetvetes, atëherë kur e vendos vetë se ç’është e mira e ç’është e keqja. Por, në të njëjtën kohë, ai nuk është në gjendje ta kuptojë se kjo mënyrë jetese vjen si rezultat i një mashtrimi shpirtëror: “Por njerëzit e këqij dhe mashtrues do të shkojnë keq e më keq, duke gënjyer dhe duke u gënjyer vetë” (2 Timoteut 3:13).

Ne, si besimtarë, jemi të bindur se Bibla është vetë fjala e Perëndisë. Ajo na është dhënë për të na mbrojtur nga teoritë e paperëndishme të botës, si edhe nga fetë e rreme. Bibla është standarti ynë i vetëm, përsa i përket gjërave, që kanë lidhje me besimin dhe jetën praktike. Çdo gjë duhet të gjykohet në bazë të Biblës.

Fakti 1: Bibla është themeli i jetës sonë

Timoteut iu mësua Bibla, qëkur ishte i vogël. Folja “mësoj” (në vargun në hyrje të këtij studimi) rrjedh nga fjala “dishepull”. Prandaj, pra, dishepullizimi duhet filluar në moshë sa më të vogël. Një proçes i tillë të mësuari është themeli i qëndrueshëm në jetën e fëmijës. Kështu ishte planifikuar prej Perëndisë, që në fillim: “Dhe këto fjalë që sot po të urdhëroj do të mbeten në zemrën tënde; do t’ua ngulitësh bijve të tu, do të flasësh për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën rrugës, kur ke rënë në shtrat dhe kur çohesh” (Ligji i Përtërirë 6:6-7). Kështu u rrit edhe Jezusi prej Maries e Jozefit dhe, si rezultat, Ai “rritej në dituri, në shtat dhe në hir përpara Perëndisë dhe njerëzve” (Luka 2:52). Bibla është themeli i shpëtimit, sepse ishte Bibla ajo, që e ndihmoi Timoteun ta kuptonte se kishte nevojë për Krishtin si Shpëtimtar. Bibla i tregon njeriut se është mëkatar dhe se i duhet një Shpëtimtar. I tregon atij, gjithashtu, se nuk mund ta shpëtojë dot veten, me anë veprash bamirësie, apo duke jetuar një jetë të pastër morale apo fetare. Bibla thotë se Perëndia është i vetmi Ai, që na ka siguruar një mënyrë për t’u shpëtuar, përmes gjakut të çmuar të Krishtit. Ky shpëtim duhet pranuar, duke besuar në Të: “Dhe në asnjë tjetër nuk ka shpëtim, sepse nuk ka asnjë emër tjetër nën qiell që u është dhënë njerëzve dhe me anë të të cilit duhet të shpëtohemi” (Veprat e Apostujve 4:12)… “Ne, pra, konkludojmë se njeriu është i shfajësuar nëpërmjet besimit pa veprat e ligjit” (Romakëve 3:28). Prandaj, pra, Timoteu ishte i mençur, ngaqë e kishte mësuar të vërtetën dhe e dinte se nuk kishte asnjë rrugë tjetër shpëtimi, përveç Krishtit: “Jezusi i tha: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje” (Gjoni 14:6).

Fakti 2: Bibla është e vërteta e pagabueshme

Bibla është e frymëzuar prej Perëndisë. Me këtë nënkuptojmë se ajo nuk është produkt i mendjes njerëzore, por se autori i saj është Perëndia. Vini re se si Pali përdor shprehjen “i gjithë Shkrimi”, për të na treguar se çdo  libër dhe çdo kapitull i Biblës është i frymëzuar prej Perëndisë.

Perëndia vendosi që t’ia komunikojë njeriut mendimet dhe udhëzimet e Tij, jo me anë imazhesh, por përmes fjalës së shkruar dhe të folur. Fjalët dolën nga Perëndia, i cili përdori njerëz, që ishin të frymëzuar prej Tij, për t’i shkruar këto fjalë, me qëllim që brezat e ardhshëm t’i lexonin e t’i mësonin për veten e tyre: “Duke ditur së pari këtë: që asnjë profeci e Shkrimit nuk është objekt i interpretimeve të veçanta. Sepse asnjë profeci nuk ka ardhur nga vullneti i njeriut, por njerëzit e shenjtë të Perëndisë kanë folur, të shtyrë nga Fryma e Shenjtë” (2 Pjetrit 1:20-21). Mund të themi, me të drejtë, se Bibla është fjala e pagabueshme e Perëndisë, ngaqë Ai vetë është autori i saj. Pavarësisht se ç’thotë Satanai, apo shkenca, apo feja, fjala e Perëndisë “është e vërteta” (Gjoni 17:17).

Fakti 3: Bibla është e dobishme për t’u lexuar e për t’u studiuar

Perëndia na e dha fjalën e Tij, me qëllim që të përfitojmë prej saj. Besimtari përfiton diçka nga Bibla, atëherë kur ai e lexon dhe e studion atë. Përkundrazi, kur besimtari nuk e lexon e nuk e studion Biblën, atëherë ai vuan shpirtërisht.

1) E dobishme për mësimin e doktrinës: Doktrina është e rëndësishme, ngaqë ajo është baza e asaj që besojmë e që kryejmë. Doktrina është e vërteta e pandryshueshme, e vërteta absolute në një botë, që beson tek relativizmi.

2) E dobishme për bindje: Bibla na paralajmëron. Ajo, jo vetëm që na tregon se ç’është e vërtetë dhe e dobishme për ne, por edhe se ç’është e gabuar dhe e dëmshme. Në këtë mënyrë, e dimë se si duhet t’i bindemi Perëndisë dhe se si t’i shmangemi mëkatit: “E kam ruajtur fjalën tënde në zemrën time, që të mos mëkatoj kundër teje” (Psalmi 119:11).

3) E dobishme për ndreqje: Bibla, jo vetëm që na qorton, kur gabojmë, por edhe na tregon mënyrën se si ta ndreqim gabimin. Bibla nuk është një libër gjykimi, siç kujtojnë disa, por një libër riparimi. Perëndia na e vë në dukje mëkatin, me qëllim që të na çlirojë prej tij dhe të na kthejë përsëri tek Vetja.

4) E dobishme për edukim në drejtësi: Bibla është një libër praktik. Ajo, ashtu si edhe manuali i një pajisjeje, që e blejmë në dyqan, na jep udhëzime të hollësishme rreth mënyrës së të jetuarit të një jete të shenjtë e të pafajshme.

Fakti 4: Bibla është e rëndësishme për rritjen shpirtërore

Fjala e Perëndisë prodhon maturi tek ata, që e lexojnë dhe e studiojnë. Fjala “i përkryer” do të thotë i kompletuar, i matur, i përgatitur për t’u përdorur prej Zotit. Një i krishterë nuk mund ta arrijë kurrë maturinë shpirtërore, po qe se nuk e njeh Biblën dhe nuk i bindet asaj. Është e pamundur të thuash se i je nënshtruar punës së Perëndisë dhe i je përshtatur vullnetit të Tij, nëse nuk i hap fare faqet e Biblës.

E si do të mund të jemi të pajisur “për çdo vepër të mirë”, nëse nuk e lejojmë Zotin të na flasë, të na drejtojë e të na udhëzojë në rrugën e drejtësisë? Si do të mund ta kuptojmë vullnetin e Tij dhe planet që ka Ai për ne, nëse e neglizhojmë fjalën e Tij? “Prandaj edhe ne, nga dita që e dëgjuam këtë, nuk pushojmë të lutemi për ju dhe të kërkojmë që të mbusheni me njohjen e vullnetit të tij me çdo urtësi dhe mënçuri frymërore, që të ecni në mënyrë të denjë për Zotin, që t’i pëlqeni atij në çdo gjë, duke sjellë fryt në çdo vepër të mirë dhe duke u rritur në njohjen e Perëndisë” (Kolosianëve 1:9-10). Fjala e Perëndisë është burimi i mençurisë, që na nevojitet për të kryer detyrën, që na ka ngarkuar Ai.

Përfundim

Jemi thirrur për të jetuar një jetë, që është e pëlqyeshme përpara Perëndisë. Gjithçka që bëjmë, gjithçka që themi, vendet ku shkojmë, madje edhe mendimet që mendojmë duhet t’i sjellin lavdi e nder Zotit: “Dhe çdo gjë që të bëni, me fjalë a me vepër, t’i bëni në emër të Zotit Jezus, duke e falënderuar Perëndinë Atë nëpërmjet tij” (Kolosianëve 3:17). Kjo është e mundur vetëm atëherë, kur i përkushtohemi studimit të Biblës dhe vënies së saj në praktikë. Bibla përmban gjithçka, që na nevojitet, për të patur një jetë të krishterë të suksekshme. Shumë shpejt, do vijë dita kur do të ballafaqohemi me “kohë të vështira”, siç e përmend edhe Pali tek 2 Timoteut 3:1. Duhet ta dimë se si t’i përballojmë frikën, sprovat dhe shtrëngatat. Vetëm Perëndia është Ai, që mund të na japë forcë për t’i përballuar ato ditë pasigurie. Ndaj është budallallëk ta hedhësh poshtë fjalën e Tij në kohë paqeje.

Marre nga BiblaIme

0 Comments

Add a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *