Interneti – si ndikon tek femjet tane?

Të mirat e internetit: Çfarë mund të bëjnë fëmijët/adoleshentët në internet?

Interneti ofron mundësi si për të rriturit, ashtu dhe për fëmijët dhe adoleshentët. Edhe pse ka shumë anë të mira, në përgjithësi ato mund të grupohen në këto karakteristika:

  1. Komunikojnë me fëmijë të tjerë
  2. Vizitimi i ueb-sajte me përmbajtje argëtuese
  3. E shfrytëzojnë si burim informatash për projektet shkollore dhe për detyrat e shtëpisë.
  4. Mundëson anonimitet, çdokush mund ta fshehë identitetin e vet në internet
  5. Qasje e lehtë në shumë informata
  6. Blerje
  7. Komunikim i shpejtë pa marrë parasysh largësinë
  8. Lexim lajmesh
  9. Mundësi të pakufizuara për hulumtim
  10. Lojra
  11. Kryerje të transaksioneve bankare dhe financiare
  12. Reklamim

Mediat sociale sot kanë hapur opsione të reja për zhvillimin e karrierës duke e bërë komunikimin dhe jetën më të lehtë. Ti mund të krijosh, të bashkëpunosh, të diskutosh për tema pafund, të bësh thashetheme me miqtë dhe të panjohurit, të gjesh shokun a shoqen e jetës, mundësitë janë të pafundme. Rreziku, nëse nuk je i kujdesshëm, gjithashtu mbetet i lartë.

Rrjetet sociale dhe informacionet, fotot që ndajmë në to, por edhe lidhjet që krijojmë mund të kthehen në burim shqetësimesh të pafund, deri dhe keqtrajtimesh, vjedhjesh e krime kundër personit. Vendosja e një balance midis jetës reale dhe asaj virtuale rekomandohet si çelësi i suksesit, për të mos e tepruar dhe parë mediat sociale si një përvojë të dobishme.

Ø Ndikimi psikologjik: Ndikimi psikologjik i medias sociale është i madh. Aspekti më i rëndësishëm është aftësia e saj për të lidhur njerëzit rreth botës dhe për të sjellë gëzim pavarësisht largësisë, të gjesh të njohur të vjetër me të cilët kishe humbur lidhjet dhe të vendosësh lidhje me të afërm të largët. Po medalja ka dhe anën tjetër, atë që po bëhet gjithnjë e më problem me raste flagrante. Qëndrimi për orë të tëra në rrjet dhe kthimi në qëllim më vete i komunikimit në internet krijon një varësi me ndikim negativ, përpos shfrytëzimit keqdashës të informacioneve dhe materialeve vizive.

Ø Ndikimi social: Është një nga sukseset më të mëdha të revolucionit mediatik social, përmes krijimit të rrjeteve të mëdha që ndajnë mes tyre identitete, informacion dhe ide. Madje kushdo nga ne ndesh persona që kanë një opinion të tyrin për çdo temë diskutimi. Këto media janë shndërruar tashmë në hapësira reale të opinionbëries, që në mediat e shkruara dhe elektronike mbetet mjet, politikë në duar dhe mendje të kufizuara (në numër) analistësh, opinionistësh. Në rrjet nuk mund të shmangësh papërgjegjshmërinë e disa personave dhe kjo e bën median sociale një det të frikshëm dhe të turbullt.

Ø Ndikimi politik: Informacionet dhe gjithçka që ndodh në jetën politike të vendit, por edhe anë e kënd globit janë vetëm një klikim larg. Çdo platformë bëhet e njohur, çdo incident politik gjithashtu, ndërsa njerëzit kanë zërin e tyre, shfaqjen e opinionit të tyre për çdo gjë që ndodh dhe i prek apo jo. Madje kanë mundësinë të njohin më mirë dhe liderët e politikës së sotme, të zgjedhurit e tyre dhe ata që do t’u kërkojnë nesër votën për mandatin e kryebashkiakut, deputetit a këshilltarit bashkiak e komunal. Tashmë politikanët i shfrytëzojnë jo pak këto rrjete për të bërë propagandën e tyre.

Ø Ndikimi ekonomik: Operatorët e ndryshëm ekonomikë i shfrytëzojnë rrjetet sociale për shkak të audiencës së lartë që ato kanë. Përveç reklamimit të produkteve në këtë audiencë masive përfitohet dhe reagimi i shpejtë, pa kosto i përshtypjeve të konsumatorit ndaj produkteve dhe shërbimeve të ofruara. Ndikimi ekonomik konsiderohet nga më pozitivët për rritjen e të ardhurave dhe marrjes së përshtypjeve nga bizneset. Por edhe për konsumatorët mediat sociale ofrojnë një pafundësi zgjedhjesh dhe shkëmbim informacioni mbi shërbime dhe produkte të caktuara me konsumatorë të tjerë, duke përfituar dhe kërkuar cilësinë dhe çmimin më të mirë.

 

Fakte statistikore nga bota mbi pasojat e internetit

Ø Çdo 3 fëmijë në shoqërinë e informatikës ka bllogun apo uebsajtin e vet.

Ø Një hulumtim i kryer me adoleshentë nga mosha 15 deri në 24 vjeç ka konkluduar se 59% e tyre mendojnë se shikimi i pornografisë në internet i inkurajon të rinjtë të kenë seks para se të jenë të përgatitur për atë.

Ø 12% e të gjitha ueb-sajteve janë pornografike.

Ø 90% e fëmijëve nga mosha 8 deri në 16 vjeç kanë parë pornografi në internet, edhe atë në të shumtën e rasteve rastësisht.

Ø Mosha mesatare kur fëmijët për herë të parë hasin pornografi në internet është 11 vjeç.

Ø Më shumë pornografi në internet konsumohet në moshën prej 12 deri në 17 vjeç.

Ø Industria pornografike në internet tregon se 20-30% të qarkullimit në sajte të tilla e realizojnë fëmijët.

Ø Në ditë dërgohen 2.5 miliardë mesazhe e-mail pornografike.

Ø 26 emra të karaktereve për fëmijë (pokemon, actionmen etj.) çojnë në mijëra pornosajte.

Ø 27% e fëmijëve prej moshës 7 deri në 17 vjeç do ta jepnin lirisht adresën e vet të shtëpisë nëpërmjet internetit, kurse 14% adresën e vet të e-mailit.

Ø 40% e adoleshentëve kanë lënë informacione personale në internet që të tjerët të mund t’i kontaktojnë.

Ø Një në 5 fëmijë që përdorin “dhoma për bisedë/chat rooms” janë kontaktuar nga persona pedofilë online.

Ø Dy nga 5 rrëmbime fëmijësh janë  nga 15 deri në 17 vjeç dhe kanë ndodhur si pasojë e përdorimit të internetit.

Ø 76% e rasteve të eksplorimit seksual të filluar nëpërmjet internetit kanë qenë fëmijë të moshës 13 deri në 15 vjeç.

Ø 75% nga këto kanë qenë vajza. Shumica e rasteve kanë vazhduar me takim të drejtpërdrejtë, kurse në 93% të këtyre takimeve ka pasur seks të paligjshëm.

Ø Gjatë një viti, mesatarisht, një në 5 fëmijë kanë marrë propozime seksuale nëpërmjet internetit, kurse vetëm 25% e tyre u kanë treguar prindërve të tyre për këtë gjë.

Ø 89% e të gjitha kërkesave seksuale janë realizuar nëpërmjet “chat room-e” apo mesazheve speciale.

Statistika për vendin tonë

Ø Tre mënyrat, përmes të cilave fëmijët shqiptarë të moshës 13-17 vjeç konsumojnë median dhe internetin, janë përmes lojës në internet përmes celularëve (65%), kompjuterave PCs (59%) and laptopë-ve personalë (43%).

Ø Në dallim nga vende të tjera europiane, familjet shqiptare preferojnë t’i mbajnë kompjuterat në dhomat e gjumit të fëmijëve të tyre. Të dhënat flasin se 62% e fëmijëve që kanë akses në internet kanë një kompjuter në dhomën e tyre të gjumit.

Ø Kur pyeten për perceptimet e tyre mbi risqet e rrjeteve sociale në internet, fëmijët shqiptarë ndajnë opinione të ngjashme me ato të vendeve të tjera të Europës. Rreziqet më të mëdha të perceptuara janë kënaqësi, të ndjekura nga sjellje sociale dhe takime sociale.

Ø Ofendimet dhe talljet, vjedhjet e fjalëkalimeve dhe të parët e paqëllimshëm të materialeve pornografike kur përdoret internet janë problem madhore që fëmijët përballen në masën prej 45% të tyre që duhet të përballen thuajse përditë.

Ø Sipas 44% të të pyeturve, fëmijët shohin material pornografike çdo ditë.

Ø 47% e fëmijëve të intervistuar pranuan se në vitin e kaluar ata kishin kontaktuar në internet me një individ të panjohur.

Ø 62% e fëmijëve të intervistuar konfirmuan se kishin pasur shokë që vizitonin sajte pornografike.

Ø Nga 47% e fëmijëve që kishin kontaktuar online me një individ në vitin e fundit, 40% ishin kontaktuar nga të huaj me kombësi jo shqiptare.

Ø Shumica e personave të huaj kontaktonin fëmijët shqiptarë online dhe ishin prej

Britani e Madhe (33%), Itali (14%) dhe SHBA (8%).

Ø 68% e fëmijëve nga zona rurale dhe urbane konfirmuan praninë e pamjeve që shfaqnin material pornografike kundër dëshirës së tyre. Shumica e materialit të paqëllimshëm pornografik ndodhte në qendrat e internetit (internet kafetë).

Ø 32% e fëmijëve të intervistuar konfirmuan se mësuesja do të ishte i fundit person që ata do t’i drejtoheshin për ndihmë nëse ata do të ishin të dëmtuar në ndonjë mënyrë në këto linja internet. Kjo ndiqej nga policia me 27% të fëmijëve që nuk i konsideronin as ata si një institucion i duhur për ndihmë.

Anët negative të internetit

1)             Pornografi dhe materiale seksuale;

2)             Probleme mendore,

3)             Probleme me varësinë,

4)             Çrregullime mendore,

5)             Probleme sociale,

6)             Fotografi të frikshme të personave të vrarë apo të lënduar rëndë;

7)             Urrejtje;

8)             Drogë;

9)             Armë dhe dhunë;

10)         Të dhëna të pasakta dhe irelevante;

11)         Nuk ka as kufizim sa i përket përmbajtjeve të cilat mund t’i shpallin fëmijët;

12)         Duke shfrytëzuar programet për komunikim apo sajtet për rrjetëzim social, shumë lehtë zbulohen të dhënat personale të tyre, prandaj është i mundshëm dhe keqpërdorimi i tyre nga të tjerë.

13)         Ka hakerë dhe viruse;

14)         Funksionimi jo i mirë i sistemit, humbja e të dhënave, dëmtimi dhe shkatërrimi i tërësishëm i disa komponentëve të harduerit;

15)         Ka rreziqe ligjore dhe financiare;

16)         Shfrytëzim joligjor i përmbajtjeve të mbrojtura, keqpërdorim i mundësisë për kryerje të transaksioneve financiare, etj.

 

Si t’i mbrojmë fëmijët nga interneti?

Disa këshilla të përgjithshme

Hapi 1 – Edukimi

Para se dhe vetë t’i ndani rreziqet e internetit prej dobive të tij, së pari duhet të njiheni me disa informacione të tij, të cilat i përshkruajnë karakteristikat e tij, shërbimet, mundësitë e tjera etj.

Hapi 2 – Caktoni disa rregulla themelore

Fëmijët duhet të dinë në cilat kushte, në cilën periudhë dhe në cilën mënyrë mund ta përdorin internetin. Këto kushte përcaktojani ju. Filloni për shembull me atë se internetin mund ta përdorin vetëm pasi t’i kenë përfunduar obligimet shkollore.

Hapi 3 – Kompjuteri në vend qendror

Vendoseni kompjuterin në vend qendror, në dhomë apo në klasë, që të mund të shikoni kohë pas kohe se ç’bëjnë fëmijët tuaj. Kjo është e rëndësishme që të vëreni në qoftë se fëmijët rastësisht hasin përmbajtje, të cilat nuk korrespondojnë me moshën dhe interesat e tyre.

Hapi 4 – Vendosni kufizim kohor

Fëmijëve nuk duhet t’u lejoni të kalojnë më shumë se 1-2 orë në ditë para monitorit të kompjuterit. Për fëmijët deri në moshë 7-vjeçare, më mirë është të shfletoni së bashku me ta, ndërsa për fëmijët më të mëdhenj, është e rëndësishme të përcaktoni ku mund të hyjnë dhe ku nuk mund të hyjnë në internet, para se të fillojnë me aktivitetet online.

Hapi 5 – Mësoni fëmijët për sjellje të përgjegjshme dhe të sigurt online

Tregojuni fëmijëve tuaj se nuk duhet t’ua japin të dhënat e veta personale njerëzve të panjohur në internet dhe përkujtoni se duhet t’i përdorin opsionet për privatësi në faqet e tyre personale për rrjetëzim social. Informatat që i lënë aty duhet të jenë private, gjerësisht të kufizuara për qasje. Mjafton që këto informata të mund t’i shohin vetëm shokët dhe familjet e tyre. Ata nuk do të donin t’i tregojnë informatat që në të ardhmen mund t’u bëhen pengesë në rrugën për në fakultetin ku duan të studiojnë apo punën të cilën duan ta bëjnë. Tregojuni se është e pandershme të zbulohen të dhënat për shokët dhe familjet e tyre. Kur shpallin fotografi, ato duhet t’i bëjnë private dhe të mos u vendosin tag-e (etiketa të cilat i emërtojnë të pranishmit në fotografi).

Udhëzime për përdorim të internetit sipas moshës

1)             Deri në 10 vjeç

Fëmijët në këtë moshë duhet t’i mbikëqyrni që të jeni të sigurt se nuk hasin në përmbajtje jopërkatëse. Prindërit, fëmijët e të cilëve janë në moshë deri në 10 vjeç, duhet të shfrytëzojnë vegla për përdorim të sigurt të internetit që ta kufizojnë qasjen në përmbajtje, ueb-sajte dhe aktivitete të caktuara, si dhe të marrin pjesë aktive në aktivitetet e fëmijës në internet.

2)   11-14 vjeç

Fëmijët në këtë moshë janë më të shkathët kur e përdorin internetin. Sidoqoftë, atyre dhe më tej u nevojitet mbikëqyrje që të sigurohet mbrojtja e tyre nga përmbajtjet jopërkatëse. Veglat për përdorim të sigurt të internetit duhet të shfrytëzohen për kufizim të qasjes në përmbajtje dhe ueb-faqe të caktuara, si dhe për marrje të raporteve për aktivitetet në internet të fëmijëve. Gjithashtu, fëmijët në këtë moshë duhet të kuptojnë se informatat private nuk duhet të jepen në internet.

3)             15-18 vjeç

Fëmijët në këtë moshë pothuajse nuk duhet të kenë kufizime në aspekt të përmbajtjeve, uebsajteve dhe të aktiviteteve. Adoleshentët janë mjaft të shkathët në përdorimin e internetit. Megjithatë, prindërit, edhe atyre duhet t’u caktojnë disa udhëzime themelore për siguri. Duhet t’i kenë në disponim që t’i kuptojnë mesazhet e papërshtatshme që i kanë pranuar fëmijët e tyre dhe t’u tregojnë se si t’i evitojnë situatat jo të sigurta. Nuk është keq t’i përkujtoni fëmijët se cilat të dhëna personale nuk duhet të jepen nëpërmjet internetit.

Udhëzime të tjera për prindërit dhe fëmijët për përdorimin e sigurtë të Internetit

Në përputhje me legjislacionin shqiptar në fuqi, prindërit/përfaqësuesit ligjorë kanë përgjegjësi parësore për krijimin e kushteve të jetesës që garantojnë mirërritjen, zhvillimin dhe edukimin e fëmijëve të tyre.

Fëmijët tuaj dëshirojnë të krijojnë apo zhvillojnë miqësira, të kalojnë kohën dhe ndonjëherë të kërkojnë informacione me një përmbajtje të caktuar në internet, ndonjëherë edhe duke biseduar/dialoguar/kontaktuar përmes chat-it.

Për këtë, ja disa sugjerime apo udhëzime, të cilat do t’ju ndihmojnë në jetën tuaj të përditshme me fëmijët.

  • Edhe pse këto njohuri apo eksperienca mund të jenë të vlefshme, prindërit duhet të marrin në konsideratë monitorimin e vazhdueshëm të kohës së shpenzuar në internet/ on-line prej fëmijëve tuaj.
  • Fëmijët në internet /on-line janë në risk më të madh gjatë orëve të mbrëmjes, duke qenë se persona me qëllime të ndryshme veprojnë më shpesh gjatë këtyre orëve.
  • Për këtë arsye, është e rëndësishme të flisni me fëmijët tuaj, duke i pyetur për faqet e internetit që përdorin dhe veçanërisht miqtë e tyre ekzistues apo të rinj.
  • Gjithashtu, me qëllim që fëmijët tuaj të shmangin rreziqet që lindin, qëndrojuni pranë duke i informuar dhe këshilluar që të mos bëjnë apo pranojnë ftesa nga persona të panjohur, të mos postojnë apo hedhin informacion personal si emër, adresë, foto apo çdo gjë që mund të jetë drejtëpërdrejtë ose jo e lidhur me ta, si dhe të mos komunikojnë me persona të panjohur duke u dhënë emrin e tyre të vërtetë, adresën e shtëpisë dhe të shkollës apo numrin e telefonit.
  • Edukojini fëmijët të kuptojnë dhe vlerësojnë me një sy kritik informacionin, i cili shfaqet në internet, me qëllim verifikimin e saktësisë apo vërtetësisë së informacionit të shfaqur.
  • Bisedoni me miqtë ose familjarët tuaj për mënyrën sesi ata kuptojnë dhe edukojnë fëmijët e tyre të sillen në internet.
  • Caktoni disa rregulla të dobishme për t’u respektuar nga fëmijët tuaj, një pjesë të të cilave ju sugjerohen si më poshtë:

Rregulli 1. Vendosni që në fillim disa rregulla përdorimi të kompjuterit, telefonit celular dhe internetit dhe siguroni respektimin e tyre prej fëmijëve tuaj.

Rregulli 2.  Shoqëroni gjithmonë fëmijët në përdorimin e kompjuterit dhe hyrjet e tyre të para në internet përmes kompjuterit dhe telefonit celular, si dhe komunikoni vazhdimisht me ta në mënyrë që të informoheni për çdo shqetësim në lidhje me sa më sipër.

Rregulli 3.  Kontrolloni, në mënyrë të përditshme, historikun e faqeve të internetit të vizituara prej fëmijëve tuaj.

Rregulli 4.  Klasifikoni fëmijët tuaj si “Përdorues të veçantë” në kompjuter, duke vendosur kufizime në përdorimin e internetit.

Rregulli 5.  Vendosni kompjuterin në një ambjent të përbashkët të apartamentit apo shtëpisë, duke evituar vendosjen e tij në dhomën e fëmijës.

Rregulli 6.  Informoni fëmijët tuaj në mënyrë të përditshme për rreziqet e internetit, duke biseduar me ta dhe për tema si cyberbullying ose përdorimi i internetit dhe teknologjive të lidhura me të për të dëmtuar persona të tjerë apo pronësinë e tyre intelektuale, në mënyrë të qëllimshme, të përsëritur dhe armiqësore, si dhe dërgimi i materialeve me përmbajtje seksuale me anë të internetit apo celularit apo child grooming ose veprimet e ndërmarra qëllimisht për të arritur miqësimin dhe vendosjen e një marrëdhënie emocionale me një fëmijë me qëllim shfrytëzimin e tij.

Rregulli 7.  Përsëritini vazhdimisht fëmijëve tuaj të mos japin asnjë informacion apo të dhënë personale në internet (përfshirë fjalëkalimin) dhe shpjegohuni pse nuk duhet të dialogojnë me persona të panjohur apo të postojnë, dërgojnë fotografi apo dokumente personale.

Rregulli 8.  Edukojini fëmijët tuaj që të respektojnë treguesit e moshës në lojrat kompjuterike apo shërbimet me vlerë të shtuar.

Rregulli 9.  Rregulloni dhe forconi parametrat e konfidencialitetit sa herë që kjo mundësohet në internet.

Rregulli 10.  Mësojini të mos t’i përgjigjen kurrë një e-maili apo mesazhi kërcënues, por të flasin menjëherë me ju për të ndërmarrë veprimet e duhura.

Rregulli 11. Për aktivitete që ju mendoni se cënojnë të drejtat e fëmijëve tuaj, drejtohuni tek autoritetet shqiptare përgjegjëse si p.sh Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e Fëmijës ose njësi të tjera shtetërore, si dhe telefononi në Linjën Kombëtare të Këshillimit për Fëmijë ALO 116.

 

Si ta mësosh adoleshentin të ruhet nga rreziqet e Internetit?

VËSHTIRËSIA

Lajmet në media të lënë përshtypjen se Interneti është vatra e prepotentëve elektronikë, grabitqarëve seksualë dhe hajdutëve të identitetit. Ti, me të drejtë, je në merak: fëmija yt adoleshent rri shumë në Internet dhe duket se nuk është i vetëdijshëm për rreziqet.

Ti mund ta mësosh fëmijën tënd të ruhet nga rreziqet e Internetit. Por në fillim shqyrto disa gjëra që duhet të dish për jetën online.

ÇFARË DUHET TË DISH?

Adoleshentët mund të hyjnë në Internet edhe me anë të pajisjeve portative. Rregulli se kompjuteri duhet vendosur në një vend të dukshëm për gjithë familjen, është ende i vlefshëm. Por, me anë të një tablete ose një celulari të lidhur me Internetin, fëmija yt mund të hyjë në botën e Internetit si kurrë më parë—madje pa mbikëqyrjen tënde.

 Fakti që disa njerëz bëjnë aksidente nuk do të thotë se është e gabuar të ngasësh makinën. I njëjti parim vlen edhe për Internetin. Fëmija yt ka nevojë të mësojë si «të ngasë» me kujdes

 Disa adoleshentë kalojnë tepër kohë online. «E ndez kompjuterin për pesë minuta sa për të kontrolluar email-in dhe përfundoj duke parë video për orë të tëra,—pranon një 19-vjeçare.—Më duhet shumë vetëkontroll.»

 Në Internet, adoleshentët mund të tregojnë për veten më shumë gjëra se ç’duhet. Njerëzit e paskrupull mund të lidhin komentet me fotografitë që ka postuar në Internet një adoleshent, për të zbuluar informacione, si: vendi ku jeton, në çfarë shkolle shkon dhe oraret kur nuk do të ketë njeri në shtëpi.

 Disa adoleshentë nuk i kuptojnë pasojat e gjërave që postojnë. Gjithçka që postohet online, mbetet online. Ndonjëherë, komentet dhe fotografitë e turpshme zbulohen më vonë, si për shembull, nga një punëdhënës i ardhshëm që bën kërkime për një kandidat pune.

Pavarësisht nga këto, ki parasysh: Internetin nuk e ke armik. Përkundrazi, telashet vijnë nga përdorimi jo i mençur i tij.

 

ÇFARË MUND TË BËSH?

 Mësoji fëmijës të vendosë përparësi dhe të dijë si ta organizojë kohën. Që të bëhet një i rritur i përgjegjshëm, ai ka nevojë edhe të mësojë të vërë në vend të parë gjërat kryesore. Komunikimi në familje, detyrat dhe punët e shtëpisë janë më të rëndësishme se lundrimi në Internet sa për të kaluar kohën. Nëse të shqetëson koha që kalon fëmija në Internet, vër kufij—edhe nëse të duhet të përdorësh kronometër.—Parimi biblik: Filipianëve 1:10.

 Mësoje fëmijën adoleshent të mendohet mirë para se të postojë diçka. Ndihmoje të bëjë pyetje të tilla, si: a do të lëndojë dikë ky koment që po postoj? Si do të ndikojë kjo fotografi në reputacionin tim? A do të më vinte turp nëse këtë fotografi ose koment do ta shihnin prindërit ose të rritur të tjerë? Çfarë do të mendonin për mua nëse do ta shihnin? Çfarë do të mendoja unë për dikë që ka postuar një fotografi ose një koment të tillë?—Parimi biblik: Proverbat 10:23.

 Mësoje fëmijën të jetojë sipas parimeve, jo vetëm sipas rregullave. Nuk mund t’i rrish dot nga mbrapa fëmijës për ta kontrolluar orë e çast. Për më tepër, synimi yt si prind nuk është ta kontrollosh, por ta ndihmosh fëmijën t’i ketë «aftësitë perceptuese të stërvitura për të shquar si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën». (Hebrenjve 5:14) Prandaj, në vend që t’u mëshosh rregullave dhe dënimit si faktor kryesor, bëji thirrje ndjenjës morale të fëmijës. Çfarë reputacioni dëshiron ai të ketë? Cilat nga cilësitë e tij do që të spikatin? Synimi yt është që ta ndihmosh të marrë vendime të mençura, pavarësisht nëse je me të apo jo.—Parimi biblik: Proverbat 3:21.

«Fëmijët dinë më tepër për teknologjinë. Por prindërit dinë më tepër për jetën»

 Lundrimi në Internet, ashtu si ngarja e një makine, kërkon gjykim të mirë, jo vetëm aftësi teknologjike. Prandaj, drejtimi yt si prind është i domosdoshëm. Në fund të fundit, është ashtu siç vëren Perri Aftabi, ekspertja për sigurinë e Internetit: «Fëmijët dinë më tepër për teknologjinë. Por prindërit dinë më tepër për jetën.»

SHKRIME KYÇE NGA BIBLA

 ‘Sigurohuni për gjërat më të rëndësishme.’—Filipianëve 1:10.

«Sjellja [e turpshme] është si një lojë për budallanë, por mençuria është për njeriun me aftësi dalluese.»—Proverbat 10:23.

«Ruaje mençurinë [praktike] dhe aftësinë për të menduar.»—Proverbat 3:21.

 

«Para se fëmija të hyjë në botën e Internetit, duhet t’i ketë shfaqur vazhdimisht cilësitë e admirueshme që ti po e ndihmon të zhvillojë—si të jetë dashamirës, i vetëpërmbajtur, tolerant dhe të mos bëjë dallime në njerëz—sepse në këto aspekte do të sprovohet.»—Letting Go With Love and Confidence, nga Kenet Ginzburgu dhe Suzana Fitsxheraldi.

Materiali i marre nga JeteFamiljare. Mund te lexoni mbi te mirat dhe rreziqet e TV ne artikullin e djeshem.

0 Comments

lere me poshte komentin tend