T’ju prezantoj me Biblen

nga William MacDonald

Le ta zëmë se keni lexuar shumë pak nga Bibla. Nuk jeni familjarizuar me Biblën, por dëshironi të mësoni rreth saj. Ky libër është shkruar që t’ju ndihmojë të mësoni rreth Biblës me përshkrime të lexueshme dhe të kuptueshme, që trajtojnë tamam thelbin e çështjes. Zoti ju bekoftë ndërsa mësoni të shijoni Biblën në atë mënyrë në të cilën duhet kuptuar.

Vlera e Biblës

Së pari, duhet të dini se Bibla është Fjala unike e Perëndisë. Ajo përmban gjithçka që ne kemi nevojë të dimë rreth besimit dhe moralit në këtë jetë dhe, gjithçka që kemi nevojë të dimë rreth jetës së përjetshme në të ardhmen. Një shkrimtar anonim e ka cituar atë mjaft bukur: «Ky libër përmban mendjen e Perëndisë, gjendjen e njeriut, mënyrën e shpëtimit, zymtësinë e mëkatarëve dhe lumturinë e besimtarëve. Doktrinat e tij janë të shenjta, rregullat e tij janë të lidhur, historitë e tij janë të vërteta dhe vendimet e tij janë të pandryshueshme. Lexojeni atë që të jeni të mençur, besojeni që të shpëtoheni dhe praktikojeni që të jeni të shenjtë. Ai përmban dritë që t’ju drejtojë, ushqim që t’ju ushqejë dhe ngushëllim që t’ju gëzojë. Ai është harta e udhëtarit, busulla e pilotit, shpata e ushtarit dhe karta e të krishterit. Këtu parajsa është restauruar, qielli është hapur dhe portat e ferrit janë zbuluar. Krishti është tema e madhe e tij, e mira jonë është përcaktimi i tij dhe lavdia e Perëndisë është fundi i tij. Lexojeni atë ngadalë, herë pas here dhe me lutje. Ai është një minierë pasurie, një parajsë lavdie dhe një lum kënaqësie. Ai do të shpërblejë punën më të madhe dhe do të dënojë të gjithë ata që luajnë me përmbajtjen e tij të shenjtë. Është Libri i librave – Libri i Perëndisë – zbulesa e Perëndisë për njeriun”.

Bibla është ndarë në dy pjesë, Dhiata e Vjetër dhe Dhiata e Re. Dhiata e Vjetër përmban 39 libra dhe Dhiata e Re përmban 27 libra. Këto 66 libra janë shkruar nga rreth 36 njerëz të frymëzuar nga Perëndia në një periudhë afërsisht prej 1600 vjetësh. Meqë këta njerëz ishin të udhëhequr nga Perëndia Fryma e Shenjtë, të gjithë librat e tyre ndërthuren bashkë për të treguar të njëjtën gjë.

Për arsye se Bibla është Fjala e frymëzuar e Perëndisë, ajo është e pashtershme. Ndërsa disa të vërteta themelore të besimit të krishterë mund të kuptohen lehtë, disa gjëra në Bibël nuk mund të kuptohen plotësisht deri kur të shkojmë në qiell. Kur vijmë te Bibla ne duhet të falënderojmë Perëndinë që di gjëra që ne nuk mund t’i kuptojmë plotësisht. Por ne duhet të besojmë gjithçka që thotë Perëndia, madje edhe në qoftë se nuk mund ta kuptojmë atë plotësisht. Ne nuk mund t’i lëmë mendjet tona të gjykojnë Biblën; në vend të saj, ne duhet të lëmë Biblën të gjykojë mendjet tona!

Në Ligjin e Perterire 29:29 lexojmë: «Gjërat e fshehta i përkasin Zotit, Perëndisë tonë, por gjërat e shfaqura janë për ne dhe për bijtë tanë për gjithnjë, me qëllim që të zbatojmë në praktikë tërë fjalët e këtij ligji». Fjalet e Urta 25:2 thotë: «Është lavdi e Perëndisë të fshehësh një gjë, por është lavdi e mbretërve ta hetosh atë». Ne duhet ta konsiderojmë atë nder që të hetojmë thesaret e të vërtetës që janë fshehur në Fjalën e Perëndisë!

vazhdoni te lexoni pjesen tjeter te ketij libri ose shkarkojeni ne kompjuterin tuaj per ta lexuar ne kohe te ndryshme, duke KLIKUAR KETU.

0 Comments

Add a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *